SHBA-ja mirëpret futbollistet kampione

4 muaj më parë

SHBA-ja mirëpret futbollistet kampione

Mijëra adhurues janë rreshtuar nëpër rrugët e New Yorkut të mërkurën për të pritur përfaqësuesen e SHBA-së në futboll të femrave, që javën e kaluar fitoi titullin e botës. SHBA-ja në finale mposhti Holandën me shifrat 2:0 të dielën, duke fituar titullin e botës për herë të katërt dhe për herë të dytë rresht.

Lojtaret ishin në një autobus të hapur, ndërsa mbanin fanella të zeza me mbishkrimin në ngjyrë ari “kampione bote”, ndërsa kaluan nëpër rrugët e Manhattanit të Ulët në një ceremoni madhështore.

Kryebashkiaku i New Yorkut, Bill de Blasio iu bashkua lojtareve dhe më vonë i priti në një ceremoni në godinën e baskisë, ku edhe ua dorëzoi çelësat e qytetit.

Disa tifozë thërrisnin “pagë të barabartë” kur lojtaret dolën në skenë, duke i mbështetur ato në kauzën e tyre, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Futbollistet kanë paditur Federatën e Futbollit të SHBA-së, pasi kërkojnë paga të barabarta me futbollistët e përfaqësueses së SHBA-së.

Të martën, Megan Rapinoe, golashënuesja më e mirë e Botërorit që fitoi edhe “Topin e Artë” si lojtarja më e mirë e këtij turneu, ka thënë se beson që asnjë nga futbollistet amerikane nuk do të vizitojë presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Unë nuk do të shkoj dhe asnjë nga bashkëlojtaret e mia me të cilat kam folur nuk e ka ndërmend të shkojë. Nuk besoj se ndonjë në skuadër ka interes për të falë një platformë për të cilën kemi punuar fort që ta ndërtojmë, gjërat për të cilat luftojmë, mënyrën se si jetojmë jetën. Nuk besoj se ne duam të korruptohemi nga kjo administratë”, tha Rapinoe për CNN.

Dhjetëra e mijëra ishin rreshtuar të mërkurën në New York për të pritur lojtaret dhe për të shprehur admirimin e tyre për to.

“Kështu dua që vajza ime të shoh se çfarë mund të bëjnë femrat dhe çfarë duhet të bëjmë”, thotë Gabrielle Blecher 49-vjeçare nga Brooklyni, një nënë e dy vajzave 11 dhe 13-vjeçare.

Në momentin kur morën çelësat e qytetit nga kryebashkiaku Bill de Blasio, yjet si Megan Rapinoe, Alex Morgan e Carli Lloyd falënderuan vendin e tyre për përkrahjen.

“Bëjeni këtë botë një vend më të mirë”, tha Rapinoe. “Dashuroni më tepër e urreni më pak”.