Shaqiri e frymëzon Zvicrën ta mposhtë Turqinë, shpreson në kualifikim tutje nga vendi i tretë

1 muaj më parë

Shaqiri e frymëzon Zvicrën ta mposhtë Turqinë, shpreson në kualifikim tutje nga vendi i tretë

Xherdan Shaqiri e ka frymëzuar Zvicrën ta mposhtur Turqinë 3:1 në ndeshjen e fundit dhe vendimtare në grup, për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në mesin e 16 skuadrave më të mira në Euro 2020 nga pozita e tretë.

Shaqiri me dy supergola dhe Haris Seferovic me një, i ndihmuan kombëtares helvetike ta arrijë fitoren e parë në turneun e kësaj vere të dielën në Baku, ndërkohë që goli i Irfan Kahveci i shërbeu Turqisë vetëm sa për ngushëllim.

Turqi largohet nga Euro 2020 qysh në fazën e grupeve pas tri humbjeve në tri ndeshje.

Zvicra, ndërkohë, e mbyll grupin në vendin e tretë me katër pikë dhe goldallim -1, dhe do të shpresojë se katër pikë do t’i mjaftojnë ta sigurojë kualifikimin si njëra prej katër skuadrave të renditura më së miri në pozitën e tretë në grupin përkatës.

Nga Grupi A, Italia kualifikohet si lidere me nëntë pikë nga tri ndeshje dhe Uellsi nga vendi i dytë. Uellsianët u kualifikuan tutje para zviceranëve falë goldallimit më të mirë.

Në një ndeshje zbavitëse nga fillimi deri në fund, Seferovic e kaloi Zvicrën në epërsi herët në minutën e 6-të, kur e mposhti Cakirin papritmas me një goditje befasuese jashtë zonës, në një kohë kur Turqia kishte nisur sulme të furishme.

Turqia ka mundur ta barazonte dhe pastaj të kalonte edhe në epërsi, sikur mos të ishte për dy pritje mahnitëse të portierit Sommer.

Shaqiri e dënoi Turqinë në minutën e 26-të, kur shënoi gol spektakolar me këmbën e tij të dobët, të djathtë, nga rreth 20 metra lartësi.

Mesfushori shqiptar i Liverpoolit ishte pranë golit të dytë personal vetëm dy minuta më vonë, por Cakir ia mohoi atij golin me një pritje madhështore në situatë një kundër një.

Kahveci e ktheu Turqinë në lojë dhe i dha një fije shprese kur shënoi gol mahnitës me të majtën nga largësia në minutën e 62-të.

Por Shaqiri iu kundërpërgjigj vetëm gjashtë minuta më vonë, duke e futur topin në rrjetë pas një superkundërsulmi të skuadrës së tij, për golin e dytë personal në këtë takim.

Zvicra është në një situatë të mirë për t’u kualifikuar nga vendi i tretë, pasi ka katër pikë, por i duhet të shpresojë dhe të presë deri në përfundimin e fazës grupore të mërkurën.