Shala: Do ta forcojmë Këshillin si një platformë të dobishme të dialogut publiko–privat

2 muaj më parë

Shala: Do ta forcojmë Këshillin si një platformë të dobishme të dialogut publiko–privat

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka hapur mbledhjen e dhjetë të Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik, ku u trajtuam shumë tema, në veçanti përkrahja e bizneseve.

Ai theksoi se do të vazhdojnë ta forcojnë Këshillin, duke e konsideruar si një platformë të dobishme për dialog.

“Ne do të vazhdojmë ta forcojmë këtë këshill si një platformë të dobishme të dialogut publiko – privat ku do t’i adresojmë prioritetet dhe sfidat kryesore për t’i zbatuar reformat gjithëpërfshirëse, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e ambientit e të bërit biznes në Republikën e Kosovës”, tha ministri Shala, transmeton AktivPress.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj theksoi se “s’ka dilemë që pa një koordinim të përbashkët dhe pa rolin e secilit prej nesh do të jetë e vështirë të sigurohet një agjendë e mirëfilltë e zhvillimit ekonomik”.

Në takimin e sotëm u diskutuan edhe temat nga Oda Ekonomike e Kosovës, të tilla, si “Trajtimi i çështjes së Prokurimit Publik- integrimi i mekanizmave alternativë, inicimi i analizës mbi implementimin e Ligjit mbi mbrojtjen e konsumatorit”. Njëkohësisht u diskutuan tema nga Oda e Afarizmit e Kosovës, si

“Kërkesa për shfuqizim të Udhëzimit Administrativ nga Ministria e Bujqësisë, që ndikon sidomos në sektorin e minierave dhe mineraleve, Rifunksionalizimi i Gjykatës Ekonomike për çështje të bizneseve”.

Po ashtu u trajtua edhe tema e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, si “Trajtimi i çështjes së humbjeve nga avullimi i produkteve”. U diskutuan edhe për ZRRE, KEDS – siç është “Çështja e pronësisë së trafostacioneve dhe mënyra e rimbursimit të tyre, krijimi i një fondi të veçantë për grante dhe subvencione për NVM-të, si dhe krijimi i një skeme (fondi) për ofrimin e kredive të buta dhe pa interes” etj./AktivPress/