Sfilatë mode në funksion të diplomacisë

3 muaj më parë

Sfilatë mode në funksion të diplomacisë

Vendet që nuk mbizotërojnë në titujt kryesorë të lajmeve, si p.sh. Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina, mund t’u kërkojnë diplomatëve të tyre të mendojnë në mënyra novatore për të gjetur rrugët për avancimin e interesave të tyre në Uashington, qendrën e politikave globale, si dhe në mbarë botën.

Për një vend që ka vetëm 10 milionë banorë dhe praktikisht nuk ka probleme madhore, mund të jetë e vështirë të marrë vëmendjen e Uashingtonit kur radhitet mes prioriteteve kryesore, thotë Hynek Kmonicek, ambasador i Republikës Çeke në Shtetet e Bashkuara.

Ambasadori Kmonicek i tha Zërit të Amerikës se krahas mbrojtjes së politikave të qeverisë së tij dhe negocimit me homologët diplomatë, pjesë e punës së tij është të sigurohet edhe që vendi i tij të ketë dukshmëri.

Ai foli ndërsa po zhvillohej një paradë mode e organizuar nga ambasada e tij dhe disa organizata partnere, në auditorin “Dean Acheson” të Departamentit amerikan të Shtetit. Ai thotë se lidhja e modës me politikën është pjesë e variantit çek të diplomacisë botërore.

“Jetojmë në shekullin e 21-të. Lidhja mes modës dhe diplomacisë është shumë, shumë e fortë”, thotë ambasadori Komnicek. “Pyesni cilindo në Uashington për Zonjën e Parë dhe modën e saj. Shpesh do të merrni një përgjigje politike”.

Marie Royce, Ndihmës Sekretare e Shtetit në Byronë për Arsimin dhe Çështjet Kulturore, është dakort.

“Shpesh nuk e ke as mundësinë t’i flasësh dikujt, por moda përçon mesazhin”, thotë ajo.

Duke vënë në dispozicion një skenë me përfaqësues të mbi 20 vendeve, që nga Australia dhe deri tek Rumania, ambasada çeke dërgon mesazhin se ky vend beson në një botë multi-kulturore.

Ambasadorja e Bashkimit Afrikan në Shtetet e Bashkuara, Dr. Arikana Chihombori-Quao, e përshkoi skenën e veshur me një fustan indigjen plot ngjyra. Ndërsa bashkëshortja e ambasadorit të Mozambikut, Maria Isabel Macedo dos Santos, ideoi vetë një fustan elegant bardhë e zi.

Kryediplomati hungarez në Uashington, Laszlo Szabo, është krenar që shikon bashkëshorten e tij, Ivonn Szeverenyi, ndërsa prezanton punën e dizenjatorëve nga Hungaria.

“Hungaria ka 1100 vjet histori. Kjo do të thotë se kemi një kulturë shumë të pasur”, thotë ai.

Lashtësia dhe trashëgimia janë burim krenarie edhe për zëvendësambasadorin e Irakut në Uashington.

Sipas kalendarit asirian, Iraku ka 6768 vjet histori. Por, lajmet rreth luftës kanë lënë mënjanë trashëgiminë e pasur të këtij vendi dhe aspektet e tjera të jetës që nuk përqëndrohen rrotull luftës, thotë zëvendësambasadori irakian, Mohamad Jawad Al Quraishy.

“Kemi edhe ne shfaqje mode, panaire librash, koncerte. Si të gjitha vendet e tjera”, thotë ai.

Megjithë modën, ambasadori Komnicek thotë se vendi i tij, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, është angazhuar në negociata komplekse me Shtetet e Bashkuara për tarifat tregtare ndaj industrisë së prodhimit të makinave.

“Ndonjëherë, jemi dakort me partnerët tanë amerikanë. Ndonjëherë nuk jemi. Sidoqoftë, e trajtojmë njëri-tjetrin si vëllezër”, thotë ai./VoA/