Serwer: Kosova të largohet nga një marrëveshje e keqe me Serbinë dhe të përmirësojë raportet me Kinën

2 javë më parë

Serwer: Kosova të largohet nga një marrëveshje e keqe me Serbinë dhe të përmirësojë raportet me Kinën

Në takimin e parë që patën, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, s’u pajtuan për asgjë përveçse të shihen sërish në Bruksel.

Kjo e hënë do t’i vë përballë për të dytën herë dy udhëheqësit ballkanikë për t’i shpalosur qëndrimet e tyre thellësisht të kundërta para lehtësuesve europianë.

Për frymën krejtësisht të re të premtuar në negociatat e saponisura, profesori i Universitetit John Hopkins, Daniel Serwer, e arsyeton kryeministrin kosovar duke thënë se ai duhet të nënvizojë qasjen e tij ndryshe meqë vitet e kaluara të dialogut nuk kanë qenë produktive.

Ai në një intervistë për portalin Klankosova.tv ka thënë se Kosova s’duhet të ngutet për të vënë nënshkrimin mbi një marrëveshje me Serbinë që s’i bën mirë vetë asaj.

Analisti amerikan mendon që bisedimet në Bruksel nuk do të japin rezultatin e synuar edhe për një kohë goxha të mirë, prandaj Kosova duhet të shfrytëzojë këtë hendek kohor për të forcuar mbështetjen e saj ndërkombëtare. Dhe në këtë drejtim e inkurajon Kosovën që të jetë më ambicioze për të thyer barrierat me shtetet e fuqishme që s’e njohin Kosovën si shtet.

“Presidenti Vuçiq sheh pak perspektivë me anëtarësimin në BE në një periudhë të afërt dhe si pasojë është kthyer më shumë drejt Moskës dhe Pekinit sesa drejt Brukselit. Ai e ka bërë jashtëzakonisht të qartë se nuk është i përgatitur për një lëvizje të madhe përpara zgjedhjeve presidenciale serbe të vitit të ardhshëm. Kosova në këto rrethana duhet të bëjë çfarë të mundet që të përdorë kohën për të forcuar pozicionin e saj në negociata. Lëvizjet e fundit e shteteve mosnjohëse si Greqia dhe Spanja drejt përmirësimit të marrëdhënieve të tyre me Kosovën është pikëirsht ajo që i nevojitet Kosovës. Unë do të doja që Prishtina të përmirësonte marrëdhëniet me Pekinin, i cili është më shumë i interesuar për tregti në Ballkan sesa për politikë”.

Duke forcuar pozitën te ndërkombëtarët, Serwer thotë se Kosova duhet të jetë e gatshme të largohet nga një marrëveshje e keqe me Serbinë dhe në vend të saj të nënshkruajë një më të mirë.

Për më tepër, profesori amerikan nxit Kosovën që të kërkojë reciprocitet me Serbinë për secilën çështje.

“Kosova duhet të insistojë për barazi dhe reciprocitet. Nëse vendoset diçka për serbët në Kosovë, një e tillë ekuivalente duhet të jetë në dispozicion edhe për shqiptarët brenda Serbisë. Dhomat e Specializuara e kanë shkelur këtë parim. Unë do të doja që juridiksioni i tyre të jetë i shtrirë edhe në Serbi, ku u vranë vëllezërit shqiptaro-amerikanë Bytyqi pas luftës”.

Serwer ka komentuar edhe katër propozimet e Kurtit me të cilat shkoi përballë Vuçiqit në takimin e parë, për të cilat thotë se kryesisht është i të njëjtës mendje me Kurtin.

“Padyshim që jam dakord me Albinin për reciprocitetin në përgjithësi, megjithëse mund të kem disa mospajtime me mënyrën se si zbatohet në praktikë. Unë gjithashtu pajtohem që personat e zhdukur të të gjitha etnive duhet të identifikohen dhe eshtrat e tyre të kthehen”.

“Po ashtu edhe për CEFTA/SEFTA pajtohem. Mini-Shengeni më duket një ndërmarrje e përcaktuar keq, në të cilën Kosova s’është qartësisht e barabartë. Më pëlqen gjithashtu ideja e një marrëveshje joagresive, por për të cilën Serbia do të hezitojë sepse ajo nënkutpton sovranitetin e Kosovës dhe Beogradi do të dëshironte që të nënshkruajë edhe NATO gjithashtu”.

Kritik u shpreh për pozicionin e Bashkimin Europian karshi Kosovës, për të cilën tha se do të ishte i aftë të ofronte ide të zgjidhjes së problemeve mes Kosovës dhe Serbisë vetëm nëse do të njihte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe t’ia liberalizonte vizat.

Derisa për Shtetet e Bashkuara të Amerikës thotë se do të jenë sërish të ftuara kur të nevojitet përfundimi i mosmarrëveshjes.

“SHBA-ja duhet ta mbështesë BE-në, por ajo gjithashtu do të thirret që ta “zgjidhë” Kosovën. Unë mendoj se Brukseli dhe Washingtoni duhet të formojnë një entitet si Zyra Civile Ndërkombëtare për të monitoruar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog si dhe për të përmendur dhe turpëruar ata që nuk arrijnë t’i zbatojnë ato”.

Sa i përket rolit të Qeverisë së Kosovës për serbët që jetojnë në Kosovë, eksperti për çështjet e Ballkanit ka thënë se duhet të bëjë gjithçka që mundet për të përmirësuar marrëdhëniet me serbët dhe komunitetet e tjera brenda Kosovës, duke përfshirë identifikimin dhe kthimin e eshtrave të perosnave të zhdukur, zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pronës së manastirit të Deçanit dhe mbrojtjen e të gjitha komunitetet nga dhuna ndëretnike.