Selmanaj: Vetëvendosje, relikt i së kaluarës – tjera kohë ishin kur ndaloheshin të zgjedhurit e popullit të hyjnë në Kuvend

2 muaj më parë

Selmanaj: Vetëvendosje, relikt i së kaluarës – tjera kohë ishin kur ndaloheshin të zgjedhurit e popullit të hyjnë në Kuvend

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj ka thënë se do të vazhdojë të marrë pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht kërkesave të Lëvizjes Vetëvendosje se do ta parandalojnë atë.

Kjo pas deklaratave për të pagjeturit për të cilat Selmanaj thotë se iu janë keqinterpretuar, njofton Klan Kosova.

”Unë shkova sot dhe normalisht do të shkojë”.

”Tjera kohë kanë qenë situatat kur janë ndaluar të zgjedhurit e popullit, qoftë qeveritë, qoftë deputetë të hyjnë në institucionit më të lartë përfaqësues”.

”E kujtoj vitin ’89 kur të zgjedhurit e popullit u detyruan që para objektit të Kuvendit të kryejnë punën e tyre”.

”Nga ana tjetër unë po dëgjoja disa deklarata kur shpallem si person i padëshiruar. Dhe kjo tregon tregon logjikën, ose çfarë relikti të së kaluarës kjo parti politike prodhon duke i marrë si atribute për të bërë politikë në shekullin 21”.

”Nëse analizohet situata se çfarë bënë këta kundër meje, në formën e konstruktimit të situatave dhe temave dhe fjalëve”.

”Kjo është vetëm relikt i së kaluarës, madje relikti më i keq i së kaluarës. Shantazhi, intimidimi, linçimi publik nuk është formë e mjeteve, nuk është mjet demokratik”.

Ai tutje në Rubikon të Klan Kosovës, ka sqaruar më në detaje deklaratën për të pagjeturit për të cilët u tha se e trajtoi si të konsumuar.

”Arsyeja pse lindi kjo qasje e Lëvizjes Vetëvendosje kundër meje, apo u përdor si arsye: kishte të bënte me dy deklarata të mia”.

”Sepse vetëm tri ditë pasi ka raportuar kryeministri i vendit për marrëveshjen e Washingtonit, ku njëra nga pikat flet për personat e pagjetur në Kosovë, unë kam thënë se kjo çështje e raportimit është konsumuar nga ana e Kryeministrit [Avdullah Hoti]”.

”Sepse kur flet kryeministri i vendit pas tri dite unë nuk kam çka them më shumë për këtë temë si brenda një institucioni të njëjtë- sepse më pas e kam elaboruar qartë se pse e kam thënë kur kjo çështje trajtohet nga instanca më e lartë atëherë unë si bartës i kryeministrit nuk kam çka të shtoj tjetër”.