Selimi ironizon me Qeverinë Haradinaj

3 vite më parë

Selimi ironizon me Qeverinë Haradinaj

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një intervistë për Telegrafin, ka deklaruar se nuk do të dëshironte që Kosova të udhëhiqet nga një qeveri “kaq e lodhët”.

“Kemi të bëjmë me një qeveri përveç se e brishtë nuk premton shumë. Nuk e di se si do të mund të qeverisë Haradinaj nën kushtet e partnerëve që ka brenda, do ta ketë të pamundur të realizojë grupin e tij qeverisës”, ka thënë Selimi.

Ai ka thënë se do të dëshironte që Haradinaj të jetë i suksesshëm, por siç shprehet ai “ne nuk mund ta garantojmë një gjë të tillë kur ai vet nuk e garanton”.

Selimi po ashtu theksoi se nuk do t’ia dëshironte asnjëherë Kosovës që të ketë një qeveri të formuar nga kushtet e Listës Sebre, kur Lista Serbe e determinon formimin e saj por mund ta determinojë edhe rënien e qeverisë.

“Më lehtë e kemi ne me rrëzua këtë qeveri se sa ky me mbijetua”, ka thënë Selimi.

Ai shtoi se “do të veprojmë ndaj qeverisë Haradinaj siç ka vepruar ai ndaj qeverisë Mustafa, nëse ndjek shembullin e Isa Mustafës”, në rastin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Selimi nuk përmendi nëse do të ketë sërish gazë lotsjellës apo protesta, duke theksuar se do të mbesin të njëjtë. /Telegrafi/