Selimi: Arrestimi i Gucatit dhe Haradinajt nuk kishte pse të ndodhte

1 muaj më parë

Selimi: Arrestimi i Gucatit dhe Haradinajt nuk kishte pse të ndodhte

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se s’ka pasur pse të bëhej arrestimi i krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Përmes një reagimi në Twitter, Selimi ka thënë se OVL-ja ishte në mes të dy palëve “ku njëra dërgoi dosje e tjetra i mori ato”.

“Njëra palë hodhi ‘rrufenë’ e tjetra hodhi pranga”, ka thënë tutje ai. “Rrufeja dhe reja që e shkrepte u lanë enigmatike ndaj arrestimi i dy drejtuesve të OVL nuk kishte pse të ndodhte”.

“Rrufeja” e kishin quajtur krerët e OVL-së së UÇK-së pranimin nga njerëz të panjohur të disa dosjeve që dyshohet se ishin të Gjykatës Speciale. Kjo kishte ndodhur në tri raste. Krerët e OVL-së i kishin publikuar dokumentet, ndërsa të premten në zyrat e tyre EULEX-i kreu bastisje dhe arrestoi krerët e OVL-së për “pengim të drejtësisë”.

Gucati e Haradinaj tashmë gjenden në Hagë.