Sekretari amerikan i Shtetit përplaset me një gazetare

4 javë më parë

Sekretari amerikan i Shtetit përplaset me një gazetare

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo shpërtheu me zemërim sot ndaj një gazetareje të NPR (Radioja Kombëtare Publike), e cila e akuzoi se ai i kishte bërtitur me fjalë të sharëse kur ajo i drejtoi një pyetje për Ukrainën gjatë një interviste.

Me një sulm të drejtpërdrejtë dhe personal, kryediplomati amerikan tha se gazetarja e kishte “gënjyer” dhe e quajti sjelljen e saj “të turpshme”.

NPR deklaroi se mbështet plotësisht punën e gazetares Louise Kelly.

Gjatë një interviste të zhvilluar të premten, Sekretari Pompeo u përgjigj me tone të tensionuara kur gazetarja Kelly e pyeti për Ukrainën, dhe në veçanti nëse ai duhet të kishte mbrojtur ambasadoren amerikane në Kiev, Marie Yovanovitch, largimi i të cilës është vendosur në epiqendër të procesit për shkarkimin e Presidentit Trump.

Kjo ka qenë një pikë sensitive për zotin Pompeo, i cili si një mbështetës i fortë i Presidentit Trump, ka heshtur publikisht pasi presidenti dhe aleatë të tjerë të tij kanë sulmuar diplomatët e karrierës.

Pas intervistës, zonja Kelly thotë se u thërrit në mjedisin privat ku qëndronte zoti Pompeo, ku ai i bërtiti “për një periudhë kohore pothuajse sa ç’ishte vetë intervista”, duke përdorur sharje të rënda. Gazetarja thotë se ai ishte jo i kënaqur që ishte pyetur për Ukrainën./VOA/