Së shpejti libri i ri i Agron Shalës: “Korça sipas një kosovari”

3 muaj më parë

Së shpejti libri i ri i Agron Shalës: “Korça sipas një kosovari”

Gazetari, publicisti e shkrimtari, Agron Shala, së shpejti e sjell për lexuesit librin e dytë të tij. Paralajmërimin për këtë e ka bërë Berat Dakaj, pronari i shtëpisë botuese “Armagedoni”, shkruan AktivPress.

Dakaj ka postuar në profilin e tij në Facebook një pjesë të shkurtër nga parathënia që Bardh Frangu e ka shkruar për librin e Shalës të titulluar: “Korça sipas një kosovari”.

Libri i Agron Shalës për Korçën është një udhërrëfyes i shkëlqyeshëm për këtë qytet që personifikon bukurinë dhe krenarinë shqiptare, përkatësisht djepin e trashëgimisë sonë kulturore. Libri është konceptuar si reportazh, por ngërthen në vete udhëpërshkrimin, kronikën dhe dokumentaren, të cilat ndikojnë që në tërësinë e vet libri të jetë një panoramë e bukur dhe shumë domethënëse për këtë qytet, duke përfshirë edhe rrethinën e tij, e cila është karakteristike për faktin se i jep dhe i merr qytetit“, ka shkruar Frangu.

Vitin e kaluar, Agron Shala, ka publikuar librin e parë “Andrra në beze”, që po ashtu është botuar nga “Armagedoni”.

Shala ka studiuar për psikologji dhe dramaturgji, ndërsa me gazetari merret në mënyrë aktive që nga viti 1995. /AktivPress/