Scott thotë ka ardhur koha për t’i dhënë fund konfliktit Kosovë – Serbi

6 ditë më parë

Scott thotë ka ardhur koha për t’i dhënë fund konfliktit Kosovë – Serbi

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Kyle Scott, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë ta vazhdojnë dialogun, dhe se sipas tij, ka ardhur koha t’i jepet fund konfliktit të viteve të ’90-ta.

“Ka ardhur koha për t’i dhënë fund konflikteve të viteve të ’90-ta. I bëj thirrje Kosovës dhe Serbisë të rinisin sa më shpejt dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të përmbahen nga ndërmarrja e veprimeve që e bëjnë të pamundur arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve”, ka shkruar Scott në Twitter, transmeton Koha.net.

Dje Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rinisin bisedimet.

“Kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre shteteve.

Aty shtohet se vendet janë gatshme të forcojnë rolin e tyre në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por kjo mund të bëhet vetëm kur jepen shenja të gatishmërisë për kompromis.

“Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, përfundon deklarata e përbashkët.