Sarri i frikësohet Sassuolos, thotë se gara për titull në Serie A është ende e hapur

3 javë më parë

Sarri i frikësohet Sassuolos, thotë se gara për titull në Serie A është ende e hapur

Juventusi nuk ka shkëlqyer në dy ndeshjet e fundit përballë Milanit e Atalantës, pasi ka arritur të marrë vetëm një pikë, por kjo nuk ia ka prishur qetësinë në krye të renditjes, pasi rivali kryesor për titullin, Lazio ka regjistruar tre humbje radhazi dhe ka mbetur mbrapa.

Kur kanë mbetur edhe 6 javë nga fundi, bardhezinjve u duhen vetëm 11 pikë për të siguruar edhe matematikisht titullin kampion të 9 radhazi, ndërsa pikërisht këtë objektiv ka theksuar edhe trajneri Sarri në prag të transfertës ndaj Sassuolos.

“Llogaritë për titullin nuk janë mbyllur ende, pasi janë edhe 6 ndeshje për t’u luajtur, por pozitiv është fakti që kemi gjithçka në dorën tonë dhe nuk presim dhuratë nga askush. Na duhen edhe 11 pikë për të nisur festën dhe ky është objektivi ynë në 6 javët e mbetura”, deklaroi Sarri.

Sassuolo është një skuadër mjaft e rrezikshme, që javët e fundit i ka hapur punë Interit e Lazios, ndërsa këtë e ka të qartë edhe Sarri, që bën apel për përqendrim maksimal, në mënyrë që të rikthehen sa më shpejt te fitorja.

“Ndaj Milanit humbëm për shkak të një “black-out”-i, ndërsa me Atalantën ishte një ndeshje e mirë, ndonëse përballë një kundërshtari shumë të fortë. Duam të rikthehemi te fitorja, por e dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë ndaj Sassolos, një skuadër që është në rrugën e Atalantës. Ata luajnë mirë futboll dhe përballen pa frikë me kundërshtarët më të fortë, ndaj mund ta paguajmë shtrenjtë, nëse nuk i vlerësojmë maksimalisht”, tha trajneri Sarri.

Sa i përket formacionit për nesër, tekniku i bardhezinjve njoftoi se ka rikuperuar plotësisht mesfushorin boshnjak Miralem Pjanic, por shtoi se problemet më të mëdha i vijnë nga mbrojtja, ku edhe Bonucci është në dyshim.

“Pjanic mungoi për një problem të vogël muskulor, por tani është rikuperuar plotësisht dhe është gati të luajë ndaj Sassuolos. Kemi pak probleme në mbrojtje, pasi përveç Demiral e Chiellinit, në dyshim është edhe Bonucci. Gjithsesi kushdo që të luajë, synimi i vetëm është marrja e tre pikëve”, tha trajneri i Juventusit.