Sarajet e Beut të fundit

3 vite më parë

Sarajet e Beut të fundit

Në qendër të Vlorës, në mes të një parku të madh prej 40 mijë metrash katrorë, shtriheshin dikur sarajet e Vlorajve, një ndër to ishte edhe shtëpia e Eqrem Bej Vlorës, e cila në nëntor të ‘44 u bastis nga komunistët. Për vite me radhë ajo u plaçkit dhe u la në harresë, deri në degradim.

Nga ajo kohë, por edhe sot, kjo ndërtesë njihet si “Shtëpia e Beut”, që i ka kaluar familjes Vlora si e vetmja trashëgimi e mbetur për të.

Vetëm pas viteve ’90, pasardhësit e Eqrem Bej Vlorës, një prej figurave më të spikatura intelektuale shqiptare, mundën ta rimarrin këtë ndërtesë, duke i rikthyer asaj lavdinë e dikurshme, ndonëse ajo zor se i fshin kujtimet e hidhura të së shkuarës dhe internimi nga një qytet në tjetrin.

“Nuk jemi rritur me atë frymën, se kemi pasur atë se kishim frikë të thoshim se ishim nipër të Eqrem Bej Vlorës. Ishim si gjithë qytetarët e tjerë”, thotë Ervin Vlora, nip i Eqrem Bej Vlorës.

Por Eqrem Bej Vlora la pas një tjetër trashëgimi të madhe e të paçmuar, librat e tij.

“Ka qenë dëshmitar i gjallë i ngjarjeve dhe ka qenë ndër familjet kryesore të Shqipërisë së asaj kohe. Familje feudale. Ishin personazhe të historinë sonë në atë kohë”, thotë Afrim Koçi, përkthyes.

“Vepra e tij është e jashtëzakonshme, e lexova në versionin e parë në anglisht dhe më pas vendosa menjëherë ta botojë. Është nga të vetmit libër, që ndonëse kanë kaluar 15 vjet, është ribotuar 3 herë të tjera”, shprehet Pirro Misha, studiues dhe botues.

“Ne kemi dëgjuar se ai ka patur një arkiv të jashtëzakonshme, pasuri të rralla, por nga to shumë pak kanë ngelur”, thotë Nevila Nika, ish-drejtorja e Arkivit të Shtetit./ Top Channel