Sabit Geci lirohet përkohësisht nga burgu

5 vite më parë

Sabit Geci lirohet përkohësisht nga burgu

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ia ka pezulluar vuajtjen e dënimit për tre muaj, të dënuarit për krime lufte, Sabit Geci.

Ndërprerjen e dënimit ajo e ka bërë me arsyetimin e trajtimit mjekësor adekuat të, Gecit. Vendimin e ka marrë më 16 shkurt të këtij viti.

Gecit i ishte ndërprerë vuajtja e dënimit edhe në tetor të vitit 2015 me të njëjtat arsyetime. Vendimin e kishte nxjerr zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj.

Në vendimin që ka siguruar Insajderi jepen shkurt arsyet e ndërprerjes së vuajtjes së dënimit.

“Lejohet pezullimi I ekzekutimit të dënimit me burgim, për të dënuarin Sabit Geci…, i dënuar me aktgjykim PK. Nr 34/13 dt. 30. 10. 2013 të Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, shkruan në vendim.

“Pezullimi sipas pikës 1 të këtij vendimi lejohet në kohëzgjatje prej 3 muajve, për  shkak të ofrimit të trajtimit të nevojshëm mjekësor dhe pas kalimit të afatit prej tre muajve nga dita e nxjerrjes së këtij vendimi i dënuari obligohet të kthehet në ekzekutim të dënimit”, shkruan në vendimin e ministres. Hoxha.

Geci, obligohet që çdo muaj nëpërmjet raportit të nënshkruar nga komisioni përkatës prej tre mjekëve ta informojë Shërbimin Korrektues të Kosovës mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Në arsyetim, vendimi thuhet se është bazuar në rekomandimin e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, në rekomandimin e komisionit të mjekëve, sipas të cilit konstatohet gjendja shëndetësore e të dënuarit Sabit Geci.

Vendimi rekomandon pezullimin e ekzekutimit të dënimit për arsye të trajtimit adekuat shëndetësor.