Sa viktima të trafikimit u shpëtuan që nga 2015-ta në SHBA? (Video)

3 vite më parë

Sa viktima të trafikimit u shpëtuan që nga 2015-ta në SHBA? (Video)

Në shumë zona të Amerikës, trafikimi i qenieve njerëzore besohet të jetë një industri kriminale me të ardhura të majme, deri në 32 miliardë dollarë në vit.

Pos prostitucionit, kjo nënkupton punën e detyruar edhe në shumë forma të tjera.

Një fenomen i tillë u kap nga kamera e Klan Kosovës e kamufluar në një automjet, shtatorin e vitit të kaluar gjatë xhirimeve të dokumentarit “Trafikimi, lufta kundër skllavërisë moderne” në Los Anxhelos.

Por prostitucioni nuk zhvillohet krejtësisht pa u penguar nga Policia. Në nëntor të vitit 2015 është krijuar një Task Forcë e posaçme për të trajtuar prostitucionin.

Togeri Kent Wegner nga Byroja e Trafikimit të Qenieve Njerëzore thotë se ky mekanizëm, që përfshin përfaqësuesit e policisë dhe organizatave joqeveritare, por edhe psikologë dhe ekspertë, ka treguar rezultate të prekshme në luftën kundër këtij fenomeni.

“Që nga krijimi i Task Forcës kemi shpëtuar 116 viktima. 88 nga to ishin fëmijë, kështu që kemi bërë 267 arrestime – 96 meshkuj shfrytëzues të shërbimeve seksuale dhe 85 arrestime në lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore. 62 persona u arrestuan për krime kundër fëmijëve në internet dhe 24 u arrestuan për lloj-lloj krime të tjera. Kemi ngritur 246 urdhërbastisje dhe i kemi iniciuar katër raste në nivel federal. Krahas ndjekjes penale lokale, qeveria federale vendosi t’i ndjek edhe penalisht”, ka thënë ai në dokumentarin “Trafikimi, lufta kundër skllavërisë moderne”.

Sipas Wegner, një tjetër mënyrë interesante e përdorur nga agjentët e policisë është hetimi në rrjetet sociale për të identifikuar, ndjekur dhe dokumentuar – me dëshmi materiale – krimet e supozuara në mënyrë që prokurorët të mund të kryejnë një hetim më të suksesshëm.

Në thelb të gjithë kësaj është trajtimi i personit të trafikuar si viktimë dhe jo si kriminel.

Në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë thuhet se dënimet për trafikantët janë të rënda sidomos pas hyrjes në fuqi të legjislacionit më të fundit të miratuar në këtë shtet.

“Në Kaliforni, pasojat për trafikuesit janë rritur ndjeshëm përmes ligjit i cili është miratuar para tri vitesh. Nëse dëshmohet që dikush është i përfshirë në trafikim, ai person mund të dënohet me 15, 20, 30 vjet, deri në dënim të përjetshëm”, ka thënë gjykatësja, Catherine J. Pratt.

70% deri në 80% e fëmijëve që trafikohen për qëllime seksi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë qytetarë amerikanë.

“Kjo ka qenë befasi për shumë prej nesh kur filluam ta vërejmë para 5-6 viteve Njerëzit kishin supozuar se fëmijët e trafikuar për seks ishin nga vendet tjera, por kjo nuk është e vërtetë. Shumica nga ta janë nga ky vend, janë rritur vetëm ca milje larg nga kjo gjykatë dhe familjet e tyre jetojnë këtu”.