Rrugëtimi përrallor i “dardanëve”

4 javë më parë

Rrugëtimi përrallor i “dardanëve”

Vetëm në vazon e pestë ishte Kosova në shortin e tërhequr më 2 dhjetor 2018. Gati një vit më vonë te Kosova e vajtojnë rastin e lëshuar për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian në futboll, në tentimin e parë. Në fund të ciklit eliminator, që nisi më 22 mars, te Kosova vlerësojnë se ndoshta kanë mundur të arrijnë më shumë.

Por në të njëjtën kohë vlerësohet se Përfaqësuesja ka kaluar të gjitha pritshmëritë, duke përfunduar në vend të tretë dhe duke qenë pothuajse deri në fund fuqishëm në garën për kualifikim, shkruan sot Koha Ditore.

Në një grup me pesë përfaqësuese, Kosova u vendos nga vazoja e fundit në short. Prej vazos së parë ishte Anglia, prej të dytës Çekia, prej të tretës Bullgaria e prej të katërtës Mali i Zi. Te të gjitha këto përfaqësuese që atëherë ishte vlerësuar se Kosova ishte kundërshtarja më e fortë e mundshme nga vazoja e pestë.

Të gjithë e linin të hapur mundësinë që Kosova t’iu shkaktojë probleme, por askush që Kosova do të ishte pretenduese e madhe për dy pozitat e para në grup, që siguruan kualifikimin për në Evropian. Në fund të garës, Kosova la prapa Bullgarinë e vazos së tretë dhe Malin e Zi të vazos së katërt. Madje i la prapa bindshëm. Kosova në tetë ndeshje mblodhi 11 pikë dhe u rendit e treta.