Rreziku i shtimit të ndikimit të Kinës dhe Rusisë në Ballkan

2 javë më parë

Rreziku i shtimit të ndikimit të Kinës dhe Rusisë në Ballkan

Ekspertë të çështjeve ndërkombëtare kanë kohë që kanë paralajmëruar rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor. Vonesat e Bashkimit Evropian për të pranuar vendet e këtij rajoni në bllok, thonë analistët, mund të shtojnë hapësirat e këtij ndikimi duke vënë në konkurrencë Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin nga njëra anë dhe Kinën dhe Rusinë nga ana tjetër. Zëri i Amerikës ka biseduar me dy ekspertë amerikanë, David Phillips, me Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia dhe Janusz Bugajskin, me Fondacionin Jamestown, transmeton Gazeta Infokus.

Kina dhe Rusia kanë kohë që po zgjerojnë ndikimin e tyre në Ballkan Perëndimor, duke përdorur strategji të ndryshme, me synimin e njejtë për t’iu kundërvënë Perëndimit, thotë analisti Janush Bugajski.

“Putini e kupton se nuk mund të përfshihet në një sulm të drejtpërdrejt kundër Perëndimit, por mund ta minojë atë duke shfrytëzuar pikat e dobëta. Dhe, sigurisht, Ballkani dhe në veçanti Ballkani Perëndimor, është pika e dobët për Perëndimin// Kina, mendoj se ka një strategji më afatgjatë që bazohet më shumë në kontrollin ekonomik dhe që eventualisht mund të shndërrohet në më shumë kontroll dhe ndikim politik në rajon”, thotë Bugajski për VOA.

Kina po i përdor investimet në Ballkanin Perendimor për synime ideologjike, thotë analisti David Phillips, ndërsa kërkon të sigurojë heshtjen apo mbështetjen e këtyre vendeve në arenën ndërkombëtare.

“Interesat e Kinës në Ballkanin Perendimor nuk janë thjesht financiare, por ideologjike. Kina kërkon të ndërtojë një rrjet vendesh totalitare tek të cilat mund të mbështetet në rast të një konflikti apo krize//Siç e kemi parë, Serbia ka mbështetur shtypjen e ujgurëve nga Kina dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Hong Kong”, thotë analisti.

Investimet kineze në rajonin e Ballkanit janë bërë në formën e huave dhe jo të investimeve të drejtpërdrejta, duke shtuar rrezikun e vartësisë së tyre tek borxhet nga Kina, thotë analisti Bugajski.
David Phillips thotë se Rusia nga ana e saj vazhdon ta përdorë Serbinë për të kundërshtuar ndikimin e Shteteve të Bashkuara në rajon.

“Rusia ka vetëm një interes dhe ai është të ndalojë Shtetet e Bashkuara të konsolidojnë partneritetin e tyre në Ballkanin Perendimor, qoftë kjo duke u përpjekur të mos lejojë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, apo duke mbështetur axhendën e Serbisë”, thotë Phillips për VOA.

Regjimi i Putinit thotë analisti Bugajski nuk dëshiron një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës dhe e ka përdorur Serbinë për të krijuar probleme në Ballkan.