Rrëfimi i gazetarit britanik që xhiroi sulmet në familjen Jashari

3 muaj më parë

Rrëfimi i gazetarit britanik që xhiroi sulmet në familjen Jashari

Fotografitë e bëra nga gazetari anglez Vaughan Smith ishin shkrepjet e para domethënëse të një lufte të re në Kosovë. Ato shfaqnin disa njerëz që hidhnin shishe me benzinë për t’iu vënë flakën shtëpive.

Kjo ishte dëshmia e parë se serbët kishin filluar një kampanjë të madhe kundër Kosovës.

Përgjatë muajve të luftës, asnjë kameraman nuk arriti t’iu afrohet mjeteve motorike luftarake të serbëve teksa shkatërronin shtëpitë, por këtë e bëri gazetari anglez Vaughan Smith.

Në emisionin “PasDite” në RTV Dukagjini ai ka rrëfyer disa nga ngjarjet që më pas ndryshuan historinë e Kosovës. Smith thotë se rreth 140 gazetarë vendas dhe të huaj kanë humbur jetën në Kosovë.

“Çmimi që kanë paguar gazetarët për raportimin e asaj që po ndodhte ishte i shtrenjtë. Unë për pak sa jam vrarë në Prekaz, kur plumbi preku në telefonin tim. Ai telefon ma kishte shpëtuar jetën. Unë jam falënderues për gazetarët që kanë raportuar”, tregon ai.

Reporteri anglez tregon se pasi kishte shërbyer në ushtrinë britanike, ai kishte filluar punën si fotoreporter i lirë dhe fotografitë dhe videot që bënin u shisnin agjencive të njohura.

“Ky profesion sot është i zakonshëm, por atë kohë nuk ishte e njëjta gjë”.

Smith thotë se ndër videot e para që ai kishte bërë në Likoshan dhe Prekaz ishin pamjet kur buldozerët serb po rrënonin shtëpitë e shqiptarëve.

Ai thotë se të njëjtit ishin përdoruar edhe në Srebrenicë.

“Pas Likoshanit kuptuam se forcat serbe po zhvillonin një aksion më të madh. Shkuam në mal dhe pamë se dilte tym nga Prekazi. Pamë buldozerët që po rrëzonin shtëpitë në Prekaz… Sapo na panë forcat serbe, ato gjuajtën në drejtim tonin. Ne u shtrimë në tokë dhe ikëm disi deri te vetura. Kur e nxora telefonin ai nuk po bënte. E pashë që kishte një plumb dhe kështu unë kisha shpëtuar”.

Ai thotë se ishte frikë të qenit gazetar në një zonë të tillë por thotë se eksperienca të tilla kishte përjetuar edhe në Bosnje.

“Ishte shumë me rëndësi që komuniteti ndërkombëtarë të dinte çfarë po ndodhte. Unë nuk kisha qëllime politike”.

Gazetari thotë se kishte shumë momente të vështira por ndër më të rëndat që i ka mbetur në mendje ishte masakra në Obri.

“Në Obri pashë trupat e të vrarëve. Shumica nga ta ishin gra dhe fëmijë”.

Smith thotë se UÇK-ja në atë kohë dukej e dyshimtë pasi pjesëtarët e saj bartnin maska dhe njerëzit që ishin prapa atyre maskave mund të ishin kriminelë.

Ai thotë se personin e parë pa maskë që e kishte intervistuar si gazetarë i huaj e mbante nofkën “dhjetë”.

“Kur shkova për ta intervistuar ai hoqi maskën dhe më tha “jam lodhur më me maska”. Prapa maskës fshihej një fytyrë që mbante mustaqe”.

Gazetari britanik rrëfen se shpesh gjatë punës së tij në terren serbët i ndalonin dhe i’u futnin bomba në xhep.

“Serbët na fusnin bomba në xhep dhe na thoshin “a tu heqim siguresën?”. Sigurisht që bënin shaka me ne, por ishte një presion jashtëzakonisht i madh”.

Smith është i martuar me një grua shqiptare dhe rrëfen si e njohu atë.

“Pranvera erdhi në Hotelin Grand dhe më tha që kishte një storje për UÇK-në dhe se mund të më ofronte qasje në UÇK. Ishte shumë atraktive dhe mjaft e dashur…Më dërgoi te UÇK-ja dhe kështu filloi …”, tregoi ndër të tjera Vaughan Smith.