Reportazh nga Shqipëria e vitit 1968: Një shtet absurd, një komb në skamje

1 javë më parë

Reportazh nga Shqipëria e vitit 1968: Një shtet absurd, një komb në skamje

Në vitin 1968, gazeta suedeze “Svenska Dagbladet” ka botuar një reportazh të gazetarit Sven Aurén, ku flitet për katër vizitat e tij në Shqipëri – duke filluar nga viti 1938 kur ai erdhi për dasmën e Mbretit Zog e deri në shtatorin e vitit 1968 kur vizitoi për herë të fundit Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, pas një odiseje të gjatë disa vjeçare për të marrë vizën në ambasadën shqiptare në Paris, ku iu bashkëngjit një grupi turistësh duke fshehur identitetin e tij. Memorie.al sjell të plotë këtë reportazh.

Nga: Sven Auren
Përktheu: Adil Bicaku

DREJT SHQIPËRISË

Motorët ushtojnë, rrezet e diellit vallëzojnë mbi fletët e avionit, dhe poshtë në Adriatik shkëlqejnë patat e bardha. Pas nesh është zhdukur bregdeti Italian. Por, në lindje, lart mbi horizont ngrihen vargmalet blu. Kjo që kemi përpara është Shqipëria: sateliti i Kinës në Evropë, republika popullore staliniste e fundit në pjesën e botës sonë. Cilën ditë jave? Qartë një të martë, sepse vetëm të martat mundesh të udhëtosh për në Shqipëri.

Ende në vitin 1968, ka një shtet në Evropë – sa Belgjika me sipërfaqe – që është shumë larg posedimit të një agjencie të veten fluturimi dhe që nuk disponon as edhe një avion pasagjerësh. Janë italianët që vendosin mbi frekuencën e trafikut. Një herë në javë fluturon një firmë italiane në linjën Romë-Tiranë dhe gjithmonë me një avion gjysmë të mbushur. Çdo të martë ndodh e njëjta gjë në aeroportin e Tiranës, sapo ulet prej fluturimit, menjëherë duhet të shpejtoj për t’u kthyer sërish, kështu që qëndrimi në aeroport nuk shkon as gjysmë ore.

Ky avion pra një herë në shtatë ditë drejtohet për rrugë drejt Shqipërisë, sikur të ishte në shërbim transporti për furnizim me ushqim të ndonjë ekspedite të izoluar në Çolin e Veriut, përbën të vetmen lidhje me Evropën Perëndimore. Por, që është edhe shumë e largët. Edhe pse distanca midis bregdetit italian dhe atij shqiptar përbën veç disa milje, ta matësh me një matëse tjetër është pa mbarim. Qartë, Shqipëria e sotme është një nga shtetet më të largëta të rruzullit.

Jam në avionin e Tiranës, kur shkruaj, si parathënie, këto shënime udhëtimi. Stjuardesat, të kënaqura se e dinë se së shpejti do të kthehen sërish në Romë, janë bujare si me buzëqeshjen ashtu dhe pijen. Ndërkaq, ato nuk kanë nevojë të stërmundohen. Pasagjerët janë pak: një palë diplomatë italian, njëri nga të cilët shtrëngon një thes poste në gjoks sikurse një prind përqafon fëmijën e vet; një zotëri mjekrosh nga Sorbona, për të cilin thuhet se ka shkruar një artikull të veçantë entuziast mbi heroin kombëtar Skënderbeun dhe për këtë arsye është ftuar zyrtarisht nga shteti shqiptar; si dhe disa shqiptarë që është vështirë të përcaktosh statusin e tyre. Së fundi lista e pasagjerëve përmban një udhëtim kolektiv në të cilin bëj pjesë edhe unë si turist midis tjerësh.

Po ç’ka të bëj një gazetar me një grup udhëtimi?

 

Nuk është kollaj të hysh në kufijtë shqiptar. Ata janë më të mbyllurit në Evropë, ndoshta në të gjithë botën. Ka shumë vite që shefa dashamirës të ambasadës janë përpjekur të më nxjerrin një vizë individuale. Aplikime, telefonata dhe në biseda private, pa përjashtim, të gjitha kanë rezultuar në përgjigjen e zakonshme të Shqipërisë, kur bëhet fjalë për viza për gazetarë të uritur perëndimor: kërkesa është nën shqyrtim. Muaj dhe vite kalojnë, dhe nuk ndodh asgjë, dhe me kalimin e kohës dhe kjo mungesë reagimi merr një karakter pothuaj normal. Vetëm në Ambasadën e Parisit tashmë janë stivë kërkesat pa përgjigje të qindra gazetarëve.

Kur të kujtohen këto ngjarje, s’është zor të kuptosh që unë u habita, kur, rastësisht, pashë në një vitrinë të një agjencie të thjeshtë udhëtimesh, në Bulevardin Opera (Avenue de L’Opera), që ishte për shtetet e Lindjes. Në një qosh të fshehtë, sikur nuk ishte qëllimi që të shihej, ndodhej një afishe që lajmëronte mbi një udhëtim për në Shqipëri. Udhëtimi ishte dy javë me autobus, vizitë në të gjithë qytetet dhe komunitet e mëdha… Një pyetje me vend, me të vërtetë veçse të regjistrohesh, por nuk bëhej fjalë për nisje para se lista e pjesëmarrësve të miratohej nga ambasada shqiptare. Që ky institucion, që tashmë ishte bërë objekt i aq përpjekjeve pa rezultat, do të pranonte emrin tim në këtë rastin e ri duket natyrisht e pamundur. Por, ndoshta një pasaportë të re me të dhëna të një profesioni tjetër, se sa këtë xhyben e kuqe të theksuar “gazetar” p.sh. “shkrimtar”, nuk do të binte aq në sy?

Kjo ndodhi. Dhe, megjithatë, ky është shpjegimi që unë jam në rrugë për në një shtet komunist, i cili aq gjatë ka refuzuar të më pranojë. Unë shkoj me etiketën si grup turistik dhe kjo tingëllon ca vulgare. Por, bashkudhëtuesit e mi nuk mund të konsiderohen si turistë të rëndomtë. Njerëz që kërkojnë atë normalen pothuajse nuk shkojnë në Shqipëri. Përveç kësaj, grupi është i jashtëzakonshëm edhe në një tjetër këndvështrim. Shqiptarët janë i vetmi popull në Evropë që kanë mbi komodinë libërthin e kuq të Maos. Do të kishte qenë më e arsyeshme që studentët revolucionarë të Sorbonës të shfrytëzonin këtë shans dhe të merrnin kontakt me një komb të inspiruar nga Kina.

Mjaft e çuditshme që nuk ka asnjë të ri të atij tipi në grupin tonë. Mos vallë kanë frikë se mos u shuhen iluzionet? Nuk ka as komunistë dhe as nga ata me prirje simpatizuese komuniste, që apriori kanë vendosur të gjejnë atë më të mrekullueshmen. Këta janë mësues dhe mësuese shkollash, një çift i ri jurist që është specializuar për kërkesë patentash në shtetet e Lindjes, një 78-vjeçar inxhinier më bashkëshorten që bëjnë udhëtime të çuditshme gjatë jetës që u ka mbetur dhe një ish-gjykatës nga Orleansi i cili, është krejt i verbër dhe udhëhiqet nga bashkëshortja e kujdesshme e tij e cila sheh për të dy dhe i tregon për çdo gjë. Është gjithashtu një burrë në moshën mesatare, postier me interesa të përgjithshme nga lagja e trembëdhjetë e Parisit, i cili ka një kohë të gjatë që është i inatosur sepse kurrë nuk gjente diçka për të lexuar për Shqipërinë në buletinin e mëngjesit. Ai vendosi ta marrë çështjen vetë në dorë. Kryesisht është një grup simpatik francez kur janë për së mbari. Por, edhe pse ende edhe në të ardhmen dukej e pamundur që një gazetar të kryente një vizitë individuale, dhe një grup udhëtarësh ofron shansin e vetëm të hedhësh një sy përbrenda kufijve, natyrisht mund të këmbëngulësh se gazetari dhe udhëtimi kolektiv s’kanë gjë të përbashkët. Në një diktaturë komuniste të këtij modeli ekstrem duket që një rrugëtim i tillë do të thotë se autoritetet dëftejnë atë që duan të dëftejnë dhe fshehin të tjerat. Që të shfrytëzoj plotësisht të paktën atë që lejohet të shoh, ndërkaq, kam ndërmarrë një numër masash përgatitore. Ka diplomatë të shteteve të ndryshme që kohët e fundit kanë qenë të stacionuar në Tiranë po ashtu edhe specialistë të cilët kanë pasur shërbime të ndryshme në Shqipëri. Falë informatorëve të këtij tipi që jam armatosur me dijeni paraprake mbi situatën aktuale. Me këtë mes ka disa mundësi të krahasohet midis të tanishmes dhe të dikurshmes.

UDHËTIMI IM I KATËRT NË SHQIPËRI….

Në moshën e rinisë u njoha me një student shqiptar në Paris dhe më pas kalova një javë në shtëpinë e tij në Tiranë. Vizita më la aq përshtypje të forta, saqë unë disa vjet më vonë shkova prapë për të shkruar një libër mbi vendin. Vizitën e tretë e bëra pak para luftës kur udhëtova me veturë prej Stokholmi për të marrë pjesë në dasmën piktoreske të mbretit Zog me princeshën Hungareze Apony (Apponyi). Kjo qe në prill 1938. Menjëherë pas një viti u zhduk shteti shqiptar prej valëve të luftës, u shkretua, u copëtua dhe më në fund u kthye në formën e tanishme.

Kësaj Shqipërisë së djeshme që unë i kushtova aq shumë interes, qe një komb ballkanik i panjohur dhe primitiv me një milion banorë, që gjithnjë e quan veten shqiptar: bijtë e shqiponjave. Me mbi dy të tretat male jopjellorë dhe gati një të tretën pjesë kultivuese në lugina dhe rripa bregdetare, që gjithashtu një vend shumë i varfër. Gjatë gjithë historisë së tij ndodhej në rrugën e konflikteve të mëdha të interesave të fuqive të mëdha. Që shqiptarët, të cilët janë pasardhësit e ilirëve, mundën të ruajnë si gjuhën e vet ashtu edhe veçoritë kombëtare p.sh. zakonet e jetesës bile edhe fizionominë – është një mrekulli! Direkt apo indirekt ata kanë qenë gjithnjë të kolonizuar. Ata janë sunduar nga grekët, romakët dhe Bizanti. Në pesë shekuj me radhë, deri më 1912, vendi ishte pronësi turke. Gjatë luftës së parë botërore shërbeu si fushëbeteje e ushtrive të superfuqive. Në vitet 1920 për të parën herë fitoi, të paktën dukej, një si formë pavarësie politike. Struktura sociale ishte feudale me një numër prijësish të pasur malësore si figura dominuese. Më 1928 prijësi malësor, Ahmet Zogu, mundi t’i bindë prijësit tjerë të fortë të pranonin formimin e një monarkie ku ai shpallet mbret me emrin Zogu I.

Tragjedia e përhershme e vendit është se kurrë nuk ka mundur të mbijetojë pa një financier të huaj. Zogu qeveriste, por Mussolini paguante, që e shndërroi mbretin e parë të vendit në vasal Italian. Më 1939 vasali nuk u tregua aq i bindur, prandaj e dëbuan dhe vendi u kthye në një koloni italiane. Por, gjatë vizitës sime në vitet tridhjetë pati ende fronin të paprekur të vendosur në një sallon në pallatin mbretëror në Tiranë, që dukej si një vilë mesatare e Djurs’holmit (Djursholm, lagje me vila në periferi të Stokholmit ku banon klasa e pasur – shën. përkth.)

Kur je ulur kështu në një kolltuk të avionit në rrugë drejt një Shqipërie të re që njohuritë për të janë veç të karakterit teorik, është e natyrshme, që të kaluarat të dalin parasysh si shfaqje. A ka mbetur më diçka nga shteti magjepsës ballkanik? Por, peizazhi madhështor i vendit duhet të ketë mbetur po ashtu:

Malet aventuriere, rrugët me serpentina, ata liqenet blu të thellë në Shkodër dhe Pogradec, urat e gurit të përkulura si mace zemërake në rrëpirën e grykave, shqiponjat, që fluturojnë rreth kreshtave të maleve masive, ato luginat e gjelbëruara me fushat e tyre me luledielli, duhan dhe misër… Por njerëzit, atmosfera? Para lufte, udhëtarët që shkonin në Shqipëri përbënin një numër mjaft të vogël dhe në vendet e tyre ata konsideroheshin si ekstravagantë, romantikë ose aventurierë. Në Shqipëri ata ishin mbretër. Ata priteshin si miq të nderuar. Të pasur dhe të varfër konkurronin për t´u hapur dyert, shkëlqenin nga kënaqësia, gatishmëria ishte totale. Bujaria qe ngritur në dogmë fetare. Nganjëherë, bile, ndodhte që edhe gjakmarrja lihej me një anë e cila ishte e dhimbshme, dhe që e shkretonte vendin si kolere dhe çonte në zhdukje si familje ashtu edhe fise. Nëse viktima, që duhej të vritej, arrinte të hynte brenda në shtëpinë e hasmit para se ai të arrinte ta qëllonte, përfitonte nga zakoni i mikpritjes sa kohë që të qëndronte aty.

Shqiptarëve u pëlqente t´i fotografosh dhe dëshironin të jepnin dhurata. Na jepnin peshqeshe kudo që shkonim. Njerëz fukarenj – shumica ishin pothuaj aq fukarenj sa s´ta merrte mendja – silleshin me një krenari të denjë madhështore. Zhelamanët shëtisnin në rrugën e katundit si princa. Përsa i përket ngjyrave të dukej se tabloja ishte sublime. Mua më kujtohet tregu i Shkodrës një mëngjes të prillit: malësorët me tesha të bardha leshi deleje, xhamadanë të zi pa mëngë dhe qeleshe vezake në kokë, gra me balluke të drejta katran të zeza dhe rrobe të mundimshme, që të çonte mendjen tek eskimezët e Greonlandës. Gra nga Malësia me flokët të lyer me vaj dhe me thekë në ballë dhe një brez të çuditshëm me pafte, çapraze, nizamçe serme dhe thumba kallaji… Ky karnavali shqiptar, që s´ishte ndonjë karnaval përveç se një ditë e zakonshme shumëngjyrëshe, do të magjepste një historian të veshjeve. Kësi pamjesh sheh edhe në vende tjera në Ballkan, por në asnjë vend ishin aq intensive dhe fantastike si në Shkodër. Kjo varej nga izolimi i një shteti të vogël, që Evropa e kishte harruar fare.

Edhe Mbreti Zog, i cili kurrë nuk deshi të quhej “Mbreti i Shqipërisë”, insistonte të quhej “Mbreti i Shqiptarëve” duke menduar për shqiptarët në Greqi dhe në Jugosllavi. Unë e shoh atë, natën e dasmës në pallat në Tiranë: një Buster Keaton (artist amerikan 1895-1966 – shën. përk.) shqiptar me një fytyrë të ngurtë pa emocione dhe i mbuluar me dekorata sa që ylli shkëlqyes varet deri poshtë cepit të kapotës së uniformës. Pranë këtij kalorësi me pamje serioze, një vajzë e gjatë, bukuroshe shtathedhur që duket jashtëzakonisht e ngazëlluar se është bërë mbretëreshë edhe pse në një Monarki operete. Mbrapa çiftit, një italian i fryrë me uniformë fashiste me gjoks përpara dhe me një buzëqeshje vetëkënaqësie në fytyrën e tij të shëndoshë: dhëndëri i Mussolinit, Konti Ciano. Konti ishte kumbarë i martesës. Asnjë nuk mund ta imagjinonte çfarë fati i priste. Ky kumbara do të rikthehej së bashku me një ushtri pushtuese dhe do ta detyronte çiftin mbretëror në mërgim, dhe ai vetë pas disa vitesh do të ulej në karrige në një vend ekzekutimi në Italinë e Veriut dhe të pushkatohej pas shpine si tradhtar. Atmosfera qe madhështore, edhe pse pati ndonjë kukuvajkë si p.sh. ministri francez i cili nuk mundi ta përmbante veten dhe u gajas me zë të lartë kur pa dhuratat e dasmës: gjashtë kuaj shale nga shteti hungarez, një anije më motor nga Duçja (Il Duce) dhe një Mercedes nga Hitleri. “Dhuruesit duket se kanë pasur të njëjtin mendim në kokë: më mirë t´u japim diçka, që t´u shërbej në rast se detyrohen të lënë vendin”. Vallëzimi filloi me tonet e orkestrës së Oborrit Mbretëror dhe një orkestre arixhinjsh të cilët i kishte sjellë nusja nga Budapesti. Përfaqësuesit diplomatikë nga njëzet kombe kërcenin vals me zonjat e aristokracisë shqiptare, ndërsa muret rrethoheshin nga prijës malësorë të veshur me kostume kombëtare të qëndisura me flori dhe pistoleta brez. Disa nga ata kompletonin pistoletat me një stilograf floriri që në atë kohë do të thoshte se personi në fjalë dinte të shkruante. Majat e minareve ishin dekoruar me projektorë dhe vargje zbukurues. Balona të mëdha me portretin e çiftit mbretëror silleshin mbi çatitë e shtëpive dhe në aeroportin e Tiranës hodhën fishekzjarrë të shkëlqyer të markës më të mirë italiane.

Aeroporti i Tiranës… Ne jemi tashmë aty. Lidhni rripin e sigurisë, fikni cigaret, signores et signorinas. Kryeqyteti i Shqipërisë shtrihet brenda një kazan malesh. Avioni zhytet poshtë deri në fund dhe prek tokën. Ka qenë në mbrëmjen e dasmës së Zogut kur unë pashë këtë aeroport herën e kaluar. Atëherë ishin një mori njerëzish të gëzuar që admironin raketa e fishekzjarrë në qiell. Atëherë nuk shihej ndonjë aeroport përveçse vetëm njerëz. Po tani? Unë shikoj përreth nga dera e hapur. Tani është i shkretë si një shesh i braktisur për zbritje emergjente. Asnjë aeroplan tjetër përveç tonit. Asnjë njeri përveç se një ushtar melankolik, që është mbështetur në pushkën e tij. Asnjë ndërtesë me përjashtim të një shtëpie si kioskë të kurorëzuar me një yll të kuq.

SHQIPËRIA NË SHTATOR 1968: JETA NË TIRANË

Hoteli më i mirë i Tiranës dhe Shqipërisë quhet “Dajti”, sipas emrit të njërit mal më të lartë nga ata që rrethojnë kryeqytetin. Ndërtesa nga jashtë është diçka madhështore, që ndahet prej bulevardit të gjere nga një perde pishash. Por, nuk qenë shqiptarët që e ndërtuan, por italianët. Këta të fundit bënë çuditërisht shumë, gjatë kohës së shkurtër si zotërinj të vendit. Salla e hyrjes është shumë e madhe, veshur me mermer dhe shumë formale, dhoma të këndshme, higjiena lë për të dëshiruar. Ashensori – hoteli i vetëm i Shqipërisë me ashensor – është jashtë përdorimi, por pastruese me fustane të zeza, përparëse të bardha dhe flokët topuz, bartin valixhet e mysafirëve nëpër shkallët, ndërsa meshkujt e personelit bëjnë sehir. Okupacioni turk që vazhdoi 500 vjet, ka lënë gjurma ende deri më sot. Hotel “Dajti” është i rezervuar për të huaj, ndërsa banorët e vendit e kanë të ndaluar. Shqiptarët, që janë ulur në sallë ose që mbështeten në barin e trishtuar, janë policë me veshje civile dhe në fytyrat e tyre nuk mund të lexosh diçka.

Atmosfera përgjithësisht është e rëndë dhe karakterizon Republikën Popullore tërësisht. Portieri përshëndet mysafirët e ri pa asnjë orvatje për një buzëqeshje, nuk dallon as shkëlqim në sytë e shërbyesit. Kamerieri i barit, një burrë në moshën mesatare duket sikur ka varrosur dikë të afërt sot paradite, dhe në raft një radhë shishesh si urna në një kolumbarium (raft ku ruhen urnat me hirin e të vdekurve – shën. përkth). Ato shërbejnë vetëm si dekor. Nuk mund të porosisësh pije përkatësisht (uiski, konjak, sheri etj.), veçse klientët detyrohen të zgjedhin raki ose lëng limoni. Dhe, me një gotë raki përpara – rakia më e mirë shqiptare, që thuhet kalimthi, bërë prej manaferre – nëse shfleton në ca broshura që shoqërojnë me çelësin e dhomës. Reklamë për hotelin? Propagandë turistike për Shqipërinë? Asgjë. Njëra flet mbi “tradhtinë e Rusisë ndaj komunizmit” dhe tjetra i bën thirrje, për vigjilencë, botës socialiste: “Kuçedra kapitaliste ngrenë kryet në Çekosllovaki”.

I kthej shpinën këtij barit të gëzuar… dhe nisem për në qytetin me emrin e bukur. Se çfarë konstaton një rrugëtar në Tiranë, i cili para lufte, kur dilte nga hoteli, ishte zhurma e rrugës. Taksitë dhe veturat private i binin burisë pa ndalur, por kishte edhe tjetër lloj zhurme trafiku: një shumicë e madhe karroca kuajsh, shkatarraqe, që i kishin pajisur me buri veturash dhe karrocierët u binin më zellshëm sikurse automobilistët, një mori gomerësh që përdoreshin për transporte dhe kontribuonin në ulërimën e madhe të koncertit, qerre dhe karro, të ndryshme, katërrotëshe, tregtarë ambulantë që u binin zileve, muzikantë rrugësh… Përveç asaj, rrugët e këqija automobilistike bënin të veten që kakofonia të arrinte maksimumin. Zhurma ndoshta bënte një përshtypje irrituese, por njëkohësisht pasqyronte një jetë të gëzuar në një kryeqytet që ishte një katund ballkanik shumë i madh.

Çfarë ndesh njeriu tashti – heshtjen. Është e çuditshme dhe e paimagjinueshme. Hotel “Dajti” ndodhet në rrugën kryesore, i cili gjatë okupacionit italian u ripagëzua nga Bulevardi Zog në Bulevardi Mussolini dhe tani quhet Bulevardi “Stalin”. Ai është i gjerë si Chams-Elysées (bulevard i madh në qendër të Parisit – shën. përk) dhe mjaft i mirëmbajtur: asnjë mbeturinë, asfalti shkëlqen si një pasqyrë. Në njërën anë qëndron një monument që paraqet Stalinin, në anën e kundër duket Lenini, ndryshe bulevardi rrethohet nga shtëpi të reja dhe mjaft pompoze, të kombinuara me parqe. Atje larg një hapësirë e madhe, shesh i rrumbullakët ku heroi kombëtar i Shqipërisë, Skënderbeu, me përkrenaren e tij të famshme kontrollon situatën prej një kali bronzi me këmbët e para në ajër. Nuk mund ta mohosh që Tirana është zbukuruar. Por, nëse në barin e Hotel “Dajtit” sundon një atmosferë si në një dhomë varri, në Bulevardin “Stalin” mbizotëron qetësia e vërtetë e varrezave. Unë nuk e ekzagjeroj. Heshtja lidhet me situatën e trafikut ose drejt me thënë mungesën e trafikut. Bulevardi është bosh: as automobila, karroca kuajsh, qerre apo gomar dhe pothuajse as dhe njerëz. Qe një ditë jave nga ora katër pasdite që unë e konstatova për herë të parë. Një grua shtynte një karrocë fëmije në midis të xhadesë ku disa fëmijë loznin pafkash, dhe një burrë i vetëm qëndronte pa lëvizur dhe lexonte “Zëri i Popullit” e cila është “Pravda” e Shqipërisë. Si një turist në Sahara, prita gjatë që të dukej ndonjë automobil, dhe më në fund munda të shoh një kamion dhe një “Mercedes” elegant me perde të bardha të mbyllura, pas tyre fshihej ndonjë funksionar i lartë komunist. Asnjë motoçikletë, nja dy-tri biçikleta.

Në sheshin “Skënderbej” pret një tjetër përjetim. Në shesh shërbente një polic me një shkop të bardhë gome. Ai është i vetmi polic trafiku në Shqipëri dhe ky i shkreti s´ka asgjë për të dirigjuar. E ndjej nevojën për ta ndihmuar ashtu sikurse Çestertoni (Gilbert K. Chesterton, 1874-1936, shkrimtar dhe poet britanik – shën. përk.).tregon se si një turist anglez ndihmoi një faturino hekurudhe gjermane, që dukej se ishte shumë melankolik. Duke blerë një biletë për në lagjen më të afërt dhe t´ia japë që ta presë, e bëri nëpunësin e dëshpëruar të gëzohet.

Një shpallje në hotel thotë se ka biçikleta me qira. Nëse unë do ta kisha zbatuar lajmin e shpalljes, dhe të kisha kaluar përmes sheshit “Skënderbej” me biçikletë, edhe unë do të kisha kryer një vepër të mirë njerëzore. Është kollaj të ironizosh, por mungesa e trafikut ka vetvetiu një shpjegim të natyrshëm. Shqipëria e kuqe është një komb në skamje, që i mungon pothuaj çdo gjë dhe veçanërisht valutat e huaja. Automobila, motoçikleta dhe biçikleta nuk prodhohen në vend dhe duhet të blihen nga jashtë dhe të paguhen me para të tjera dhe jo lekë që është monedha shqiptare. Në këtë situatë kënaqen të blejnë makineri të domosdoshme, d.m.th. autobusë dhe kamionë (plus një pjesë vetura për zotërinjtë e vendit) dhe kufizimin e importimit të biçikletave deri në minimum. Ndërkaq, karrocat, qerret dhe gomerët konsiderohen se bëjnë një përshtypje prapambetjeje dhe janë të ndaluara në qendër të kryeqytetit për arsye prestigji. Rezultati: bosh dhe heshtje.

Fshesa komuniste ka fshirë shumë gjëra të tjera. Janë bërë mjaft ndërtime në Tiranë gjatë këtyre 20 viteve të fundit dhe janë ngritur zona të reja moderne banimi. Rrëmuja e rrugicave dhe shtigjeve në periferi të sheshit “Skënderbej” është pothuaj njësoj si përpara. Por, çdo gjë që i jepte qytetit ato ngjyra dhe atë joshje është zhdukur: dyqanet e vegjël të panumërta dhe të zotët që rrinin përjashta tyre dhe pinin duhan me çibuk të gjatë të punuar bukur, gratë e mbuluara që rrinin galiç pranë mureve, katundarët, me veshjet e tyre të rralla që vinin nga malet e larta, rreckamanët e shkretë dhe bajraktarët krenarë me kuajt e bukur, mizëri fëmijësh lypës, aroma e ëmbël e kafes turke që përhapej prej qindra kafenesh të vogla… Gjithë Tirana mbante aromë kafeje në atë kohë.

Tashti qyteti nuk ka asnjë aromë. Të gjithë njerëzit duket njëlloj: burrat janë veshur me pantallona të errët dhe këmisha të bardha dhe gratë mbajnë fustane pambuku, por duhet thënë se sipas rrobave nuk të duket se ka varfëri të theksuar. Njeriu nuk ndiqet më as nga turma fëmijësh lypës. Jo pse mungojnë fëmijë. Përkundrazi. Në Shqipërinë e sotme nxitet lindshmëria në të gjitha mënyrat dhe falë kësaj politike është shtuar popullsia nga një milion në një e gjysmë që pas lufte. Kryeqyteti ka 135 mijë banorë në krahasim me 35 mijë në vitin 1945. Sheh fëmijë kudo, po ashtu edhe gra shtatzëna. Me shami të kuqe për qafe dhe me flamur të kuq përpara rreshtit në formë repartesh ushtarake marshojnë të rinjtë, duke kënduar këngë antiimperialiste dhe quhen “Pionierët e Kuq”.

Nga numri i shumtë i dyqaneve të vegjël t´atëhershëm kanë mbetur tani vetëm pak, por edhe ata nuk kanë shumë gjëra për të ofruar. Më kujtohet një sahatçi në rrugën kryesore, i cili shiste rripa orësh, por jo orë. Jeta tregtare është e përqendruar në magazina shtetërore që quhen mapo, që do të thotë “Magazinë Popullore” – lokale të mëdha trishtuese me pajisje të errëta që të kujton po të njëjtat magazina në Pekin, ku dhe atje ka mungesë mallrash nëpër raftet. Çmimet të bëjnë të shtangësh. Rroga mesatare e punëtorit është midis 250 dhe 500 kruna (monedha suedeze kronor – shën. përk.) në muaj dhe kjo e fundit në raste të veçanta. Dhe, të gjitha të thjeshta ose të thuash të drejtën primitive. Cilët janë ata shqiptarë që kanë mundësi me ble në këto mapo?

Përsa u përket njerëzve, janë pyetje të tjera që nuk mund të hesht edhe pse ndoshta mund të cilësohet si tragjike. Kur mbaroi lufta, statistika zyrtare e dëmtimeve të Shqipërisë përmbante dhjetëra mijëra invalidë. Nëpër muzetë e luftës që ndodhen në të gjithë qytetet e mëdhenj të vendit, përsëriten gjithnjë këto të dhëna. Ku ndodhen ata tani? Gjatë dy javëve udhëtimi këtu nuk kam parë asnjë invalid. Çfarë i ka gjetur pleqtë? Pleqtë mund të numërohen në gishtat e njërës dorë. Kam përshtypjen se vendi përbëhet vetëm nga popullsia e moshës së punës dhe fëmijë. Ka të ngjarë që nënshtetasit jo produktivë të jenë në kampe përqendrimi ose të izoluar në fshatra të izoluara, por çdo pyetjeje për të vizituar një azil invalidësh – ose azil pleqsh – përgjigja e menjëhershme është negative. Në një shtet komunist që ndodhet në epokën e hekurit dhe që si e tillë çdo gjë vlerësohet pas shkallës së dobishmërisë, këto vëzhgime duken shqetësuese.

Kjo Tirana, e shpëlarë dhe vetëm me një alternativë ku të pasurit nuk ekzistojnë më dhe fukarenjtë duken më pak fukarenj, është një qytet i ri. Jo më pak, ka diçka që është fare e njëjtë dhe që tregon se veçoritë orientale tek shqiptarët janë të gjalla: nepotizmi. Nëse dikur shëtisje në rrugë pasi të errësohej duhet të kishe kujdes mos shkoje afër një zone të madhe të rrethuar me mur betoni. Ajo ruhej rreptë: post rojet vëzhgonin me dyshim të gjithë kalimtarët, tek-tuk shihje ndonjë grykë automatiku në frëngji. Brenda mureve banonte Zogu bashkë me nënën e tij dhe gjashtë motrat, të gjithë aktivë në politikë. Pozitat e larta zakonisht ishin të zëna me farefis të familjes mbretërore, që për arsye të rrezikut të ndonjë atentati nuk dëshironin të dukeshin jashtë rezervatit të tyre të mirëmbrojtur. Shteti drejtohej si ndërmarrje familjare me monarkun si drejtor ekzekutiv, anëtarët e familjes si kryesi dhe fisi si aksionarë.

Sistemi nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të thellë. Shqipëria e sotme është një ndërmarrje familjare komuniste. Zotërinjtë e rinj kanë ngritur një lagje me vila për veten e tyre, që siç duket janë inspiruar nga qyteti i ndaluar i kohëve të kaluara – Pekini. Kjo është e izoluar si një shtatmadhori ushtarake në kohë luftë. Nëse i afrohesh të përzënë rojet e armatosura mirë, që duken se janë edhe më shumë se në kohën e Zogut, dhe përveç kësaj kanë edhe qenë kufiri. Në këtë qytetin e ndaluar (Blloku) jetojnë edhe tri familjet që bashkë-qeverisin Hoxha, Shehu dhe Kapo. Figura më dominuese është natyrisht Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, ish-mësuesi i një shkolle në Korçë, Enver Hoxha, pastaj vijnë dy veteranët e partisë, Shehu që është Kryeministër dhe Kapo që është numër dy i partisë. Zonjat Hoxha, Shehu dhe Kapo janë super aktive komuniste dhe anëtare të shquara të Komitetit Qendror të Partisë, që në Shqipëri dhe në demokracitë e tjera popullore përbëjnë bazën e pushtetit. Në postet e tjera kyçe gjenden sërish vëllezër, kunetër dhe kushërinj. Vetëm Hoxha është kujdesuar pra të ketë vënë në detyra të rëndësishme një vëlla, një dhëndër dhe gjashtë kushërinj. Kjo botë, që është si një fis, jeton për veten e vet. Herë-herës del Enver Hoxha, së bashku më bashkëpunëtorë dhe i rrethuar nga policë, për të përuruar apo të mbajë fjalim dhe pastaj kthehet në lagjen e tij si një zot fortese në kështjellën e vet.

Se si shkon jeta mbas murit rrethues (Blloku) me post roje nuk e di askush i jashtë. Jetojnë zotërinjtë e vendit po aq thjeshtë si shqiptarët? Përgjithësisht kjo mbahet sekret. Thashethemet që pëshpëriten brenda trupit diplomatik në Tiranë, ku çdo shef ambasade e konsideron postin që ka si një formë dënimi dhe përfaqësitë e huaja perëndimore kufizohen në dy: ambasadorët e Italisë dhe Francës. Por, për shqiptarin e zakonshëm, që ende është një copë orientalisti, çështja nuk përbënte ndonjë interes të madh. Komunist ose jo, ç´është më e natyrshmja se ai që ia arrin të marrë pushtetin rregullon fisin e vet, ai vendos pjesëtarët e familjes në poste kyçe nga të cilat poste varet pozita e tij, dhe shijon më të mirën e jetës…? Që Enver Hoxha, para njëzet vjetësh dukej si një qejfli shtathedhur (playboy), tani duket si një bej i majmur asnjeri nuk çuditet për këtë. Nisur nga këndvështrimi shqiptar, e kundërta nuk do të ishte e natyrshme.

Kur bëhet natë Tirana, duket si qytet i vdekur. Llamba të forta ndrisin rrugët e braktisura. Por, llamba e vajgurit, që ndriste aq qetë më parë, nga busti i Sulejman Pashës në xhami dhe thuhej se kurrë nuk është shuar sikurse flaka e përjetshme nën Harkun e Triumfit (ndodhet në qendër të Parisit – shën. përk.) nuk ekziston po ashtu as edhe varr. Sulejman Pasha qe një çifligar që themeloi qytetin dikur në vitet 1500, dhe Enver Hoxha siç duket mendon se varret kapitaliste të kohës së kaluar s`kemi pse t´i ruajmë. Opera fatkeqësisht nuk jep asnjë shfaqje dhe nëse duhet të kalojë mbrëmjen, mbetet veç klubi i natës në hotel “Dajti”. Në fakt ka një klub nate, bile është i pajisur edhe me një tabelë ndriçuese. Banorët e Tiranës s´mund ta vizitojnë. Lokali është veç për të huaj dhe shpresat janë se ata do të këmbejnë ndonjë kartëmonedhë të shtetit të tyre. Të gjitha tavolinat janë bosh përveç njërës e cila shërben si post-observacioni për dy policë. Pesë muzikantët me gjysmë zemre fillojnë me tonet e një valsi vjenez dhe kamerieri vë një mbulesë mbi tavolinë dhe do të dijë nëse do të porosis raki apo lëng limoni.

NJË VËLLA I MADH SHQIPTAR

Edhe nëse është zbutur shumë pak, komunistët vazhdojnë të bëjnë pak a shumë një politikë efektive izoluese për të penguar arratisjen e shtetasve të uritur për liri dhe të pengojnë infiltrimin e ideve antikomuniste. Por, Shqipëria e ka zhvilluar me një mjeshtëri të vërtetë këtë sektor special. Natyrisht që ka ndonjë faktor që e lehtëson këtë lloj linje, p.sh. vendi s´është më i madh se Belgjika dhe vetëm përbëhet nga një milion e gjysmë banorë. Sidoqoftë, rezultati është mahnitës. Shqipëria është një iriq i mbledhur top me gjembat rreth e qark. Ajo është kundër të gjithë shteteve evropiane, kjo është një zotësi dhe i ka mbyll gjithë kufijtë si me vendet kapitaliste të Evropës Perëndimore, ashtu edhe me shtetet komuniste të Lindjes. Sipas këndvështrimit shqiptar, këta të fundit gjenden në fazën e fundit të shpërbërjes morale dhe konsiderohen si tradhtarë të komunizmit të vërtetë. Kufijtë tokësor me Jugosllavinë dhe Greqinë, si dhe bregdeti i Adriatikut, patrullohen ditë e natë, hyrjet dhe daljet e udhëtarëve bëhen objekt të një kontrolli rigoroz. Asnjë shqiptar nuk disponon një pasaportë, dhe veç shumë rrallë dhe me shumë zor që një të huaji t´i jepet një vizë.

Politika e turizmit është misterioze. Këtë vit kanë pranuar të lejojnë nja pesëdhjetë e ca turistë “kapitalistë”, që zor se do të derdhin ndonjë shumë të madhe valute, por kur kanë hyrë brenda shtetit trajtohen si individë të dyshimtë. Për të qenë të sigurt që të mos bëjnë ndonjë djallëzi, policia nëpër dhëmbë thotë, policia shqiptare përbën: në krahasim me popullsinë, forcën më të madhe në botë, dhe kanë urdhra të rrepta që të mbajnë të huajt nën kontroll. Gjatë udhëtimit tim rreth vendit as unë as shokët e mi të udhëtimit nuk kemi mundur të lëvizim në asnjë rast të vetëm pa pasur polic shoqërues, që përveç asaj, as edhe nuk e mbajnë sekret prezencën e tyre. Një turist që nuk qëndron brenda këtij cakut rrezikon dëbim. Vjet ndodhi që një turist perëndimor, që u mërzit nga atmosfera e rëndë, shkroi “Rroftë Amerika!” në librin e përshtypjeve të një muzeu në Tiranë. Ditën tjetër e përzunë jashtë vendit ushtarakisht (manu militari).

Barriera kundrejt botës nuk kufizohet vetëm me kufijtë. Ata ndërmarrin edhe masa të tjera mbrojtjeje. Libraritë shesin vetëm literaturë propagandiste. Është e pamundur të gjesh një gazetë apo një libër të huaj. Të gjitha letrat që hynë e dalin i nënshtrohen censurës. Lajmet e ngjarjeve në botë filtrohen nga organe shtetërore para se t´i transmetohen popullsisë nëpërmjet dy kanaleve zyrtare: shtypit dhe radios. Të duket e thjeshtë t´i shmangesh këtij izolimi duke kërkuar radio stacionet e afërta italiane apo jugosllave me një radio private. Po, a ka radio private? Pyetja nuk është e pavend. Udhëtimi im është në pikun e verës, kur gjithë dritaret janë të hapura për shkak të vapës: asnjëherë s´kam dëgjuar ndonjë një zë radioje private. As edhe kam parë radio të shiten gjëkundi, as në 12 magazinat shtetërore as edhe në dyqanet e tjera. Përkundrazi, në çdo qytet ka altoparlantë të mëdhenj në shesh dhe autoritetet me anë të tyre dhe pa mëshirë mbushin suxhukë në aspektin shpirtëror. Përsa i përket zhvillimit të ngjarjeve ndërkombëtare, shqiptarët janë populli më i painformuar i Evropës. Dhe me Kinën si të vetmin mik dhe gjithashtu më të largëtin, është populli më i vetmuar në botë.

Po ç´klimë e mrekullueshme për një diktator, që të kujton Vëllain e Madh në romanin e Oruellit, “1984!” Enver Hoxha fillimisht ka qenë mësues dhe jepte mësim në shkollën franceze në Korçë, ku ai si shumë revolucionarë të tjerë shqiptarë gjithashtu ka qenë edhe nxënës. Ai tani është gjashtëdhjetë vjeç, shefi më i lartë i partisë dhe kështu udhëheqësi me pushtet absolut mbi popullin shqiptar. Është një burrë inteligjent. Ndërsa Rusia e mbante Shqipërinë nën sqetull, zakonisht ai vizitonte Stalinin dhe thuhet se ushqente respekt të madh për kokën e zgjuar të tij. Tash udhëtimet shkojnë në Pekin, atje tek mbrojtësi i ri Mao, për të cilin duket se ka po të njëjtën konsideratë. Organizimin e kultit të individit, të cilin e ka shfrenuar fare për hesap të vet, dëshmon pa mëdyshje aftësi. Me emrin Enver – pa mbiemrin – paraqitet ai si vëllai i Madh i Shqipërisë. Ai shihet shumë rrallë, por është prezent gjithkund. Në çdo shoqëri ka lejuar që t´i ngrenë një bust në ngjyrë si të argjend ose të artë, që paraqet atë vetë me pamje autoritare e me gjoks të hedhur, dhe zëri i tij gjëmon nga altoparlantët nëpër sheshe. Ditë dhe natë u kujtohet shqiptarëve ekzistencën e tij.

Vetura ngjitet përpjetë një mali të lartë dhe papritur sheh poshtë në një luginë të gjerë; në një shpat mali në anën tjetër me shkronja gjigante ENVER, të formuara me gurë te bardhë. Kudo nëpër vende në lëndina pyjesh dhe faqe malesh shkëlqen ENVER, bile edhe më shpesh se sa shikon afishe reklame për aperitivin Dubonnet në Francë apo konjakun Osborne në Spanjë. Nëpër qoshe rrugësh ka tabela me citate nga fjalimet dhe shkrimet e tij dhe me nënshkrimin me një fjalë të vetme: ENVER. Kur errësohet, në qytetin bregdetar të jugut Sarandë, ndizet një reklamë ndriçuese shumë e madhe me shkronja të kuqe: ENVER. Çfarë qëndron në çati të qytetit malor të Gjirokastrës? ENVER. Po në atë qytet kanë restauruar shtëpinë e lindjes tij, që përveç kësaj ka një karakter të çuditshëm. Ky diktatori i kuq ka një prejardhje borgjezie të lartë: babai kishte prona të konsiderueshme të kultivimit të duhanit dhe shtëpia në stilin turk është tipike e një çifligari. Oxhaqe të bukur, tavane të pikturuara bukur, gdhendje të bukura në dru… Në fotografi të panumërta mund të admirosh Enverin si luftëtar partizan, ligjërues tubimesh, gjeneral dhe baba i kombit, dhe gjithë kjo nis si një pelegrinazh ashtu sikurse në shtëpinë e Maos në Hunan. Nëpër qytet afishe të mëdha lajmërojnë se edhe Shqipëria tani ka nxjerrë librin e vogël të kuq: shtypshkronja shtetërore boton një përzgjedhje më të mirë të mendimeve të Enverit në një format të përshtatshëm. Dhe pak më tutje, një pllakat e madhe, që i bën thirrje popullit shqiptar: “Ne gjithmonë dhe plotësisht do të përmbushim porositë e Enverit!”

Çfarë porosit ai është përpara së gjithash punë. Prej kësaj Tiranës së ndaluar derdhen një lum urdhrash, direktivash dhe rikujtesash për autoritet rajonale. Prodhimi duhet të rritet në Kombinatin e Tekstilit “Stalin”, hidrocentrali “Karl Marks” duhet të zmadhohet. Pse punohet kaq ngadalë për ngritjen e kullës së re të shpimit në fushën e naftës në jug të Vlorës, pse nuk shihen më shumë flamuj nderi në fabrikën e Trikotazhit në Korçë (një punëtori që është më efektiv, i vihet një flamur i vogël trekëndësh mbi makineri), pse fabrika e Elbasanit jep aq shifra të ulëta? Meqë kooperativa e Ohrit ka punuar mirë i jepen më shumë vende pushimi sesa vitin e kaluar për në plazhin shtetëror të Durrësit…?!

Këtu përzien lavdërime dhe qortime, kështu që vë punëtorët pa ndërprerje nën presion, por askush nuk mund ta mohojë se punohet. Brenda trupit diplomatik është përshtypja anonime në këtë pikë. Duke marrë parasysh varfërinë e vendit dhe mungesën e burimeve, rezultatet janë shumë të mëdha. Sikurse një observator i Evropës Perëndimore shprehet: njeriu copëtohet midis admirimit për rezultatin dhe neverinë kundrejt metodave.

Pakënaqësia drejtohet jo vetëm kundër persekutimit në punë. Vëllai i madh përdor gjithashtu edhe një mjet tjetër shumë më efektiv, të atij lloji, që mund të ngrijë gjakun në damarët e një evropiani perëndimor. Qëllimi kryesor që populli stërmundohet deri në të pamundshmen është me anë të një organizimi shumë të fortë të sistemit të denoncimit kundër njëri-tjetrit, i cili shkakton një tmerr tek çdo shqiptar. Ai bën më të mirën, sepse nuk guxon tjetër gjë. Regjimi ka urdhëruar që të vihet një tabelë e madhe shpalljesh në një vend të dukshëm në çdo komunitet me titull “Fletërrufe”, që do të thotë “Gazeta rrufe” – “rrufetë” janë akuza kundër këtij apo atij. Radioja dhe shtypi e përsërisin gjithnjë se është detyrë e çdo patrioti ta shfrytëzojë tabelën për të denoncuar atë që sillet keq. Një burrë apo grua e tillë është armik i/e popullit.

Në një qytet në veri të vendit munda të bind një nëpunës muzeu që fliste frëngjisht, që të më përkthente disa nga ato bukurshkrimet me tekste denoncuese. Një person akuzohej se kishte shkuar vonë në punë, një grua damkosej se dilte me funde të shkurtra dhe për dy banorë qyteti kishte fakte se kanë prirje reaksionare sepse kanë organizuar një ceremoni fetare në shtëpinë e tyre. Emrat e të gjithëve ishin shkruar qartë bile edhe nënvizuar. Por, pati edhe të tjera edhe më serioze. Kryetari i një kooperative bujqësore akuzohej se kishte dhënë shifra false të prodhimit dhe për një nëpunës thuhej se shoqërohej me shtetas të huaj.

I përket realitetit se “rrufetë” duhet të jenë të firmosura dhe kushdo që sulmohet është i detyruar të përgjigjet me shkrim brenda tri ditësh dhe ta varë në tabelën në fjalë. Përgjigja kontrollohet nga një “gjykatë” e cila vendos dhe në qoftë se është vepër penale cakton edhe dënimin. I padituri mund të jetë prezent në “gjyq” edhe mund të flasë. Por, ai nuk ka fare të drejtë të ketë avokat, sepse para një viti është ndaluar profesioni i avokatit. Regjimi ka deklaruar se gjykatësit janë krejtësisht të aftë që të dallojnë të bardhën nga e zeza dhe se si rrjedhim avokatët nuk kryejnë ndonjë funksion në dobi të shoqërisë. Vetëm perspektiva se mund të detyrohesh para përgjegjësisë dhe para një gjykatësi të plotfuqishëm dhe me pamundësi të një ndihme juridike mjafton për të futur tmerr dhe mbanë cilindo shqiptar në tension dhe ankth të vazhdueshëm. Nuk duhet shumë fantazi të imagjinosh se çfarë klime dyshimi, kujdesi dhe ankthi që rrjedhimisht dhe domosdo shkaktojnë tabelat e turpit dhe veçanërisht në shoqëri të vogla ku të gjithë e njohin njeri-tjetrin. Dhe se si ky sistemi i turpshëm duhet të joshë njerëzit për abuzime kundër ndonjërit nga inati ose për të shkatërruar një konkurrent. Është frika se mos të godasë ndonjë “rrufe” nga qielli i kthjellët që i bën njerëzit të heshtur?

Kjo është diçka që ndesh çdo vizitor në Shqipëri. Kurrë nuk dëgjon ndonjë murmurimë kur hyn në derën e një kafeneje plot me njerëz, dhe është për t’u habitur sesa pak të duket se kanë shqiptarët për të folur me njëri-tjetrin kur shëtisin gjatë rrugës krah për krah. Mbretëron një heshtje e çuditshme rrugëve, edhe kur njerëzit kthehen për në shtëpi pas mbarimit të punës. Ato janë plot me njerëz por heshtja është e njëjtë.

Vëllai i madh mbanë sistematikisht një atmosferë në gjendje lufte. Shqipëria përshkruhet si një popull i cili pas qindra vjetësh tiranie u çlirua për herë të parë më 1945 nga Partia Komuniste dhe Enver Hoxha, por që gjithmonë kërcënohet nga rreziqe të mëdha si nga brenda ashtu edhe nga jashtë (sipas këtij këndvështrimi vëedi nuk qe i lirë as gjatë viteve tridhjetë: Mbreti Zog qe një vasal italian). Brenda kufijve ndodhet rreziku te shqiptarët, që për shkak të përtacisë ose të karakterit të ulët nuk bëjnë një punë me rendiment të mirë, dhe të cilët duhet të luftohen nëpërmjet tabelave “Fletërrufe”. Nga jashtë vendi kërcënohet nga forca dashakeqëse reaksionare, që duan t´i privojnë pavarësinë, po njësoj sikurse ka qenë e kërcënuar në të gjitha kohët nga popuj të huaj. Këtu ndodhemi përpara një fati të vërtetë historik që çdo shqiptar duhet ta ruaj në zemër, thotë udhëheqësi i vendit.

Për ta ndriçuar këtë tezë nënvizojnë gjithçka që ka të bëj me rezistencën kundër pushtuesve të huaj. Princin shqiptar Skënderbeu, i cili luftoi aq trimërisht kundër turqve para 450 vjetëve, e kanë emëruar i shenjti i kombit. Kopje të përkrenares dhe shpatës (origjinalet ndodhen ne Vjenë) janë në ekspozitat e të gjithë qyteteve. Urdhri “Skënderbe” është si ai i legjionit të nderit në Shqipëri. Përndryshe, vendi është mbushur plot me muze lufte, të gjitha ekzakt identike, ku i rikujtojnë popullatës lokale për luftën e rezistencës së lëvizjes komuniste kundër trupave të okupatorëve italianë e gjermanë gjatë Luftës se Dytë Botërore. Sallat janë mbushur me fotografi, armë, uniforma dhe mjete torture që kanë përdorur shtypësit. Nganjëherë muzetë gati të duken komike. Në Elbasan me një seriozitet të madh treguan një vezë krejt të zakonshme dhe thanë që gjermanët e kishin zakon ta zienin dhe ia futnin anëtarëve të rezistencës në gropën e sqetullës për t´i detyruar të jepnin informata. Mbas këtij sfondi super-nacionalist, prezantojnë situatën aktuale. Lufta vazhdon. Që bota kapitaliste përpiqet ta rrëzojë Shqipërinë komuniste, është fare e natyrshme. Por, Rusia dhe shtetet e Lindjes po shkretohen nga kalbëzimi i tmerrshëm, se po tradhtojnë komunizmin dhe po kthehen në shtete të maskuara kapitaliste të cilat përbëjnë një rrezik serioz.

Nëpërmjet gazetave ditore, qindra librave dhe broshurave dhe fjalimeve të panumërta në radio, indoktrinohen shqiptarët me përshkrime plot urrejtje kundër veprimeve rrënuese të revizionizmit, aq sa edhe kinezët vet s´kishin mundur ta bëjnë më mirë. Përgjatë rrugëve të vendit kanë ngulur tabela paralajmëruese. Mua më kujtohet një tabelë e tillë afër Pogradecit: “Shqiptar! Mos harroni se jemi të rrethuar nga kapitalistë dhe revizionistë!” Nuk ka dyshim se efekti i kësaj propagande intensive ia arrin qëllimit: nacionalizëm dhe ksenofobi.

Nuk ka fare dyshim se Vëllai i Madh i Shqipërisë shkakton një shok tek çdo njëri që pati fatin ta njohë vendin, para se të transformohej në një demokraci popullore të modelit stalinist dhe kinez. Nuk bëhet fjalë për përparimin material, që s´do të ishte e drejtë të mohohej; tronditja është ajo e formës shpirtërore. Ai populli shqiptar që unë me të në vitet tridhjetë lidha shoqëri, ishte i hapur, mikpritës dhe i donte të huajt: të zellshëm për të dhënë dorën, përpjekje pa reshtur për të folur gjuhë të huaja, ftesa dhe dhurata. Njeriut i dukej vetja sikur ndodhej në vendin e haresë. Tani i huaji është armik dhe spiun. Shikime me dyshim ose shtirje mospërfillëse. Njerëzit nuk u përgjigjen pyetjeve, nuk pranojnë cigare, ose asnjë nuk lejon që ta fotografosh. Dhe, çfarë gjërash urrejtjeje mësojnë fëmijët në shkollë? Neve na sulmuan me gurë në shumë raste fëmijë të inatosur. Në Korçë fëshfërinë gurët kur isha në ballkon të hotelit dhe në Gjirokastër një zotërie të moshuar francez, në shoqërinë tonë të udhëtimit, i shqyen pantallonat dhe e lënduan në këmbë. Natyrisht nuk qe aq serioze. Më në fund erdhi policia dhe i përzuri ata pionierët e kuq agresivë, të cilët ndërkaq përpiqeshin t´i vinin në praktikë ato mësime.

Por, natyrisht nuk duhet të nxjerrësh konkluzionin që ata shqiptarët simpatikë do të jenë shpërbërë rrënjësisht. Natyra e tyre e vërtetë mbytet nga urrejtja dhe dyshimi, dhe një atmosferë tjetër politike me siguri do ta ringjallte atë. Por, sot për sot është ashtu sikundër është. Shqipëria nuk është më vendi i gëzuar por vendi i syrit të keq.

MARKSIZËM DHE MINARET

Në Kinën e sotme çdo mëngjes kur nxjerr kokën për të parë nga dritarja e hotelit, bëhesh dëshmitarë i pamjeve të rralla – kudo që të jesh në Pekin, Shangai, Kanton apo në çdo qytet tjetër: në rrugë dhe sheshe, kudo që të hedhësh sytë, shikon njerëz duke bëre gjimnastikë, të cilët bëjnë lëvizje marionetë sikurse t´ishte Mao që tërhiqte penjtë prej Olimpit të tij. Zoti i Shqipërisë, Enver Hoxha, nuk do të jetë më i dobët. Në Tiranë, Elbasan, Pogradec ose Korçë pamja është e njëjtë çdo mëngjes në orën shtatë: detyrimisht gjimnastikë mëngjesi kolektive. Ashtu sikurse kinezi edhe shqiptari duhet ta fillojë mëngjesin me krahët lart dhe gjunjët e përkulur. Të mbash veten në formë është një obligim qytetar, ngaqë kombi ka nevojë vetëm për të aftët për punë dhe produktivët. Të padobishmit janë parazitë. Kjo vlen jo vetëm për njerëz, por edhe për kafshë. Edhe këtu Hoxha ka ndjek shembullin e Kinës dhe ka ndaluar qentë. Sipas motivit zyrtar, ekzistenca e maces justifikohet sepse ajo zë minjtë, kurse qeni nuk sjell dobi as për ushqimin e vet. Para një viti i u dha urdhri që të gjithë të zotët e qenve t´i vrasin kafshët e tyre. Me anë të disiplinës së hekurt që diktatori ushtron në vend, shfarosja masive ka qenë një sukses total. Unë e kam shkelur Shqipërinë nga veriu në jugë dhe nga lindja në perëndim: asnjë lehje qeni.

Por, njeriu e gjen Kinën në shumë këndvështrime esenciale sesa këto. Në Tiranë e kanë ndjekur me një interes të theksuar revolucionin kulturor. Ky Enveri inteligjent i ka kuptuar përfitimet politike, që lidhen me mbajtjen e një klime revolucionare permanente, me kusht që të mund ta kontrollojë atë. Masat nxiten deri në ekzaltimin e ndjenjave që së bashku me udhëheqësin e tyre të ndjekin një luftë të pareshtur kundër burokracisë, apatisë dhe hezitimit. Në një shtet të vogël si Shqipëria, me vetëm një milion e gjysmë banorë, vështirësia është kjo: se s´ka shumë popullsi në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe përveç kësaj vuan shumë nga mungesa e njerëzve të arsimuar. Me Hoxhën si nismëtar debutoi e quajtura direkt-demokraci, para ndonjë viti, sipas modelit kinez në universitetin e kryeqytetit ku studentët nisën të marrin mësuesit e tyre në hetuesi dhe i fajësonin si të prapambetur dhe për mungesë të frymës përparimtare. Megjithatë nuk u shtrua kurrë pyetja për të ngritur ndonjë barrikadë, as edhe okupim sallash të mësimit, ngaqë aksioni u shua po aq shpejt sikurse filloi. Hoxha e kuptoi se numri modest i mësuesve të universitetit nuk mundësonte çmendurira të tilla.

Po për të njëjtën arsye, gjithashtu nuk qe e mundur për t’i shkundur nëpunësit e administratës shtetërore. Por, meqë ky Hoxha mëson, gjithashtu nuk do ta braktisë revolucionin kulturor të cilin Mao e sheh të domosdoshme për ta mbajtur doktrinën komuniste të pastër. Ndaj, duhej të shpikej një gjë. Çfarë qe më e kollajtë, dhe që edhe vendosi për ta bërë, qe feja. Unë më përpara tregova për kultin e shfrenuar të individit që diktatori organizoi në mbarë Shqipërinë dhe se si ai veç me emrin Enver e paraqit veten si zot për popullin e tij. Ti nuk do të kesh asnjë zot tjetër veç meje! Mund të ishte si lajtmotiv për revolucionin e ri kulturor që ai urdhëroi gati përpara një viti dhe që drejtohet kundër çdo gjëje që ka të bëj më besime fetare. Në Shqipëri llogariten 70 për qind muhamedanë, 20 për qind ortodoksë dhe 10 për qind katolikë. Çfarë synohet është 100 për qind Enver – adhurues. Duke pasur parasysh këtë synim përshkruhet Muhamedi dhe Krishti si adhurues primitivë të Zotit të një kohe së shkuar. Besimi tek ta bën që populli të mbetet në prapambetje reaksionare. Një shtet i vërtetë komunist i ç’rrënjosë këto paragjykime dhe kjo ka ndodhur.

Ç’rrënjosje është fjala. Kjo është kryer kaq rrënjësisht, sa që as edhe Kina s´kishte mundur të tregonte të njëjtin rezultat. Shqipëria pretendon se është shteti i vetëm absolutisht ateist në botë. Gjithë ushtrimi i fesë, i çdo lloj forme qoftë, është rreptësishtë i ndaluar. Asnjë prift s´lejohet të shkojë në varrim dhe kryqet janë hequr nga varrezat krishtere. Ato i sheh aty këtu në stiva rrëzë mureve. Bibla është vënë në listën e librave të ndaluara. Kishat ose janë mbyllur ose janë bërë të “dobishme”. Në Tiranë, një kishë ortodokse përdoret si lokal vallëzimi dhe altarin e kanë kthyer në kafene. Unë pashë në Korçë një kishë të madhe me dy kambanore, ku dritaret e së cilës ishin lyer me bojë kafe. Dyert ishin të mbyllura me dry. Në kishën e Fierit dritaret ishin lyer po ashtu, kurse dyert ishin mbyllur për fare, por përveç asaj hyrja ishte kthyer në depo hekurishtesh të vjetra makinash. Kisha në Vlorë përdorej si dyqan ushqimi.

Shoqëruesi ynë, një shqiptar i moshuar që kishte kaluar pesëmbëdhjetë vjet nga jeta e tij si berber në Lion, kish qenë anëtar aktiv në Partinë Komuniste franceze dhe tash rikthyer në vendin e vet, krejt natyrshëm u bë objekt i pyetjeve të vështira nga grupi i udhëtimit. Ai u përgjigjej atyre sipas mënyrës speciale të tij. Çfarë bën një besimtar i krishterë, që ndien nevojën e stimulit shpirtëror? “Ai shkon në kinema”. Çka thotë populli shqiptar për përdhosjen e kishave të vendit? “Nuk bëhet fjalë për ndonjë përdhosje, sepse neve nuk i konsiderojmë ato si të shenjta. Në Shqipërinë e re nuk ka vend për besim fetar”.

Por, pas gjysmë shekulli nën sundimin turk, Shqipëria është para së gjithash një shtet muhamedan. Kudo që të shkoje, para lufte, nëpër qytete të shihni sytë minare të larta dhe të bukura, edhe nëpër katunde më të thjeshta. Me përjashtim të vogël p.sh. minarja e Tiranës është mbajtur si monument historik, ndryshe ato janë prishur. Enverit nuk i pëlqenin që kishin drejtuar gishtin tregues drejt qiellit, të cilat i kujtonin një fuqi tjetër përveç fuqisë së tij. Xhamitë? Nga ato dy në Elbasan, njëra është kthyer në central elektrik dhe tjetra shërbente si tualet primitiv. Xhamisë në Shkodër i kanë vu dinamitin dhe tani është një gërmadhë. Xhamia e Korçës, që është prej 1484, është e përmendur në librat e udhëtimit si e jashtëzakonshme. Rrënojat që mbështeten në minaren e rrëzuar duken sikur po shemben nga çasti në çast. Në atë kopshtin e shkretuar pashë një burrë zhele i ulur në gjunjë me fytyrën kthyer nga Meka. Ishte hoxha që gjatë dhjetëra vitesh prej ballkonit të minares kishte thirrur besimtarët të luteshin. Ai u tregua shumë i afrueshëm e tha se e kishin përzënë nga pronat e tij të vjetra dhe pranoi të fotografohej, për të thënë kalimthi, si i vetmi shqiptar i gatshëm që munda të flas gjatë udhëtimit tim. Si i huaj të shoqërojnë gjithnjë nëpër qytete një varg kureshtarësh dhe policësh, ndërkaq rregullisht mbajnë njëfarë distance. Kur turma iu afrua xhamisë, ai papritmas iku me vrap si një gjah i përndjekur, dhe kjo më bëri pishman që i fola dhe e fotografova atë burrin e sjellshëm. Ndoshta dhe ai me forcë iu ka nënshtruar asaj që quhet tashmë proces-prodhimi.

Meqë ra fjala te procesi i prodhimit: kam parë edhe një xhami prodhimtare. Ajo gjendet në Gjirokastrën piktoreske dhe jo larg bustit argjend-shkëlqyes që Enveri ka lejuar t´ia ngrenë. Forma e saj është e hijshme dhe minaren nuk e kanë prishur. Para disa muajsh atë e kanë kthyer në rrobaqepësi. Zukama e një vargu të gjatë makinash depërton jashtë nëpërmjet dritareve me kangjella qindvjeçare dhe në muret e pikturuara varen fustane dhe rroba burrash.

Kishte shumë manastire krishtere dhe muhamedane në Shqipëri. Shumica e këtyre të fundit i përkisnin sektit të njohur Bektashi, i cili përbënte një faktor të fuqishëm në Turqi para se Kemal Ataturku ta ndalojë. Gjatë kohës midis luftërave, shoqata bektashiane gjeti një strehim tek shqiptarët dhe luajti një rol të madh deri tani së fundit. Përfaqësuesit e revolucionit kulturor i kanë përzënë murgjit nga pesëdhjetë e ca manastire që dispononin dhe këto ambiente i kanë kthyer në banesa për punëtorët. Një nga më të shquarit mbretëronte në një kodër afër Gjirokastrës, ku para lufte hëngra një drekë magjepse dhe të paharrueshme tek shefi i saj, dervish Baba Selimi. Gjatë qëndrimit tonë në Gjirokastër iu luta shoqëruesve që të me lejonin të përjetoja kujtimet e vjetra, të vizitoja Teqenë. E pamundur. Përkthyesi ynë shpjegoi, se ndërtesa ishte kazermë ushtarake dhe natyrisht çdo gjë ushtarake ishte sekrete.

Unë dua të di se çfarë ka ndodhur me klerikët krishterë, muhamedanë dhe murgjit: “Ata punojnë”. Sqarime të tjera qe e pamundur të marr, dhe çfarë mund t’i shtoj përgjigjeve ato mbeten një enigmë. Ishin skllav në kampet e përqendrimit, ishin detyruar të punonin në kooperativa bujqësore dhe fabrika?… Ose… Duke pasur parasysh hoxhën e Korçës ndoshta ndonjë është lënë në mëshirë të fatit dhe jetës në skamje. Por, përsa u përket shumë gjërave të tjera në këtë shtet, ndoshta është shumë më mirë që të mos dish asgjë.

Një pyetje tjetër që të shtyn faktikisht është kjo: si reagon populli përpara këtij detyrimi të menjëhershëm të kalimit nga trashëgimia fetare në atë ateiste? Shikimet duken të pasigurta dhe dashakeqëse prej këtyre pyetjeve dhe asnjë nuk të jep ndonjë përgjigje. Kjo mund të jetë e kuptueshme dhe puna lehtësohet nga fakti se shqiptarët gjithmonë kanë dëshmuar në një prirje shumë të gjerë liberale në këndvështrimin fetar. Historia e vendit nuk ka asnjë shembull për fanatizëm fetar ose konflikte doktrine. Por, megjithatë, çfarë mendojnë njerëzit kur detyrohen të varrosin një të afërt të familjes, nën shenjën e yllit të kuq d.m.th. pa hoxhë, prift apo ceremoni fetare, një gropim, prozaik nën tokë dhe asgjë tjetër?

Nuk do të ishte e drejtë të paraqesësh influencën kineze si krejtësisht negative. Kur Shqipëria para gjashtë vjetësh u prish me Rusinë, shteti rrezikohej të paralizohej plotësisht në sektorin industrial. Rusët furnizonin si me makineri ashtu edhe fabrika të tëra dhe gjithashtu vinin në dispozicion specialistë që kujdeseshin që çdo gjë të funksiononte. Nuk kishte personel të kualifikuar shqiptar që mund të merrte përsipër kur ikën specialistët, por Kina nxitoi të mbushtë boshllëkun dhe rreziku i paralizës u shmang. Ekspertët kinezë që prej atëherë janë shtuar më shumë dhe ata i sheh aty-këtu. Ata dalin në grupe nga gjashtë-shtatë vetë dhe duken se nuk kanë asnjë lloj kontakti me shqiptarët thjeshtë në aspektin njerëzor. Në hotel hanë në mensë të rezervuar, ku i sheh të ulur më vete me buzëqeshjet e tyre mekanike. Tashmë ata nuk kontrollojnë vetëm makinat ruse, por edhe ato kineze, ngaqë Kina ka dhënë ndihmë të konsiderueshme dhe ka mundësuar të hapen industri të reja.

Por, ndihmesën më të madhe e kanë dhënë siç duket në bujqësi. Shqipëria është një vend malor dhe bujqësia është përqendruar nëpër lugina. Sipas kërkesës së Pekinit, tani Hoxha ka hedh parullën “Ne do të triumfojmë mbi malet!” Modeli është tarracat. Në tarraca të ngushta që ngrihen pambarim njëra mbi tjetrën dhe malet kanë marrë pamjen sikur shkallë qiellore, ku kanë mbjellë pemë, patate bile edhe drithë. Kjo është një tip bujqësie që kërkon shumë dhe që i vë ushtruesit nën presion të tmerrshëm. Rezultati vlen të nderohet. Tarracat përgjatë liqenit të Ohrit janë madhështore. Të duket sikur ndodhesh në Kinë. Edhe në shumë zona të tjera malore shqiptarët ia kanë arritur shkëlqyeshëm në saj të modelit kinez.

Që gjithmonë duhet të jetë ndonjë një shtet tjetër që paguan, e kjo është tragjedia e përjetshme e Shqipërisë së varfër. Por, sipas pikëpamjes së Enver Hoxhës, është shumë më mirë që shteti financohet nga Pekini sesa nga Moska. Regjimi shqiptar ka karakterin e një sipërmarrjeje familjare të uritur për pushtet me një tiran në krye. Ky është një tip regjimi që deri-diku të kujton atë të Maos dhe para së gjithash të Stalinit dhe tashmë do të ishte e papërfytyrueshme si në Rusi ashtu edhe në shtetet e lindjes. Por, sikur tani të kishte qënë nën mbrojtjen e Rusinë, nuk kishte pasur mundësi të qëndronte në pushtet. Kina nuk paraqet asnjë kundërshtim, përkundrazi. Meqë Shqipëria gjithnjë detyrohet të jetë sateliti i dikujt, s´është aspak keq me një financues që ndodhet në anën tjetër të rruzullit tokësorë. Njeriu ndihet më i lirë.

Po Kina? Doni ta dini ju çfarë fitimi ka Kina nga ky biznes? Tri përparësi të bien direkt në sy. Në Tiranë kinezët disponojnë një shtypshkronjë për propagandën e saj në Evropë, e cila thjeshtëson problemin e transportit. Ata gjithashtu përdorin radiostacionin jashtëzakonisht të fuqishëm dhe bëjnë propagandë antirevizioniste në shtetet e lindjes, e cila nuk mund të bëhet nga Pekini. Dhe, në fund, por jo më pak kjo: vetëm ekzistenca e diçkaje kaq absurde dhe intensive antievropiane që një satelit kinez në breg të detit Adriatik, edhe kjo tashmë është një triumf më vete.

TURIST NË SHQIPËRI

Duke menduar në serinë e artikujve të kaluar mund të duket e pakuptueshme që unë me këmbëngulje u kërkoj miqve dhe të njohurve të bëjnë një udhëtim turistik në Shqipëri, nëse kjo është e mundshme nëpërmjet ndonjë nga ato udhëtimet e grupeve të vogla, që nisen edhe pse rrallë, dhe jo rregullisht dhe me shumë pak pjesëmarrës nga Parisi për në Tiranë. Në radhë të parë, natyrisht, një ekspeditë të tillë u rekomandoj studentëve të freskojnë mendjen se kanë merak për të ashtuquajturin maoizëm. Në Shqipëri ata mund të bëjnë studime interesante përsa i përket sesi u duket komunizmi kinez kur praktikohet mbi një popull evropian. Por, edhe për ata që nuk kanë nevojë për ilaç kundër romantizmit revolucionar, është ky një udhëtim me shumë interes që të mundëson kontakt me një vend të vogël, të harruar, të çuditshëm, por vend i bukurisë madhështore, jo larg rrugëve shumë të trafikuara.

Përveç saj, një udhëtim për në Shqipëri është me më pak mundime se përpara. Kur udhëtova me veturë para Luftës kishte pak stacione benzine dhe duhesh të ishe i kujdesshëm se mos i kaloje pa i parë. Tani vërtetë s´ka asnjë stacion benzine, gjë që është unike në Evropë, por meqë turisti nuk lejohet të lëviz individualisht, kjo nuk ka asnjë rëndësi. Je i detyruar të shkosh në grup dhe me autobusin që “Albturist” të vë në dispozicion. Ky autobus furnizohet në vendet të caktuara shtetërore, ku shoferi paraqet një shkresë zyrtare.

Të duket se vendi është në luftë. Përsa u përket rrugëve, janë bërë më të mira. Shqipëria prodhon mjaft asfalt, i cili edhe eksportohet; në Paris ka rrugë që janë shtruar me asfalt shqiptar, por në vitet tridhjetë nuk teproi gjë për përdorim të brendshëm. Rrugët dhe xhadetë krenoheshin me gjithë ato gropa, gunga dhe fundosje që ishin tipike në Ballkan, dhe vetura tronditej si një turjelë kompresori. Me përjashtim të rrugës bregdetare midis Vlorës dhe Sarandës, tashmë rrugët kryesore janë të mirëmbajtura dhe shtruara me asfalt. Por, ai që merr rrugën prej Vlorës për në Sarandë duhet t’i ketë nervat nën kontroll. Rruga shkon nëpër një vargmal të thepisur në një serpentinë primitive e cila u ndërtua nga austriakët gjatë Luftës Parë Botërore dhe nuk ka pësuar asnjë ndryshim që atëherë. Ajo është e ngushtë si një rrugë katundi, kthesa si karficë flokësh, kënde të çuditshme të dala mbi rrëpirat marramendëse, dhe kjo është një enigmë se si shoferët ngasin automjetet e rënda gjatë këtyre dredhjeve pa u gremisur në det. Nganjëherë ndeshesh me kamionë të mëdhenj të markave ruse dhe natyrisht kjo është gjithnjë më me rrezik. Ato z’mbrapsen dhe manovrojnë në milimetrin. Për të harruar tollovinë në bark dhe për t´iu shmang të shikuarit poshtë në humnerë, kërkon të shohësh shqiponja.

Shqiponja është zogu krenar i Shqipërisë, të cilën e rigjen në flamurin e kuq të saj. Nganjëherë qëndron një ekzemplar madhështor krejt i qetë sikur të ishte varur me një pe nga retë atje sipër. Kur ul sytë përsëri kamioni ka kaluar, pasagjerët duartrokasin shoferin e tyre të aftë dhe një zotëri prej Parisi shpërthen me zë të çuditshëm: “Ne shpëtuam edhe këtë herë!” Por, përjetimi i këtij lloji kufizohet sikurse thash ato dhjetë miljet midis dy qyteteve bregdetar në jug. Por, edhe në përgjithësi natyrisht udhëtimi rreth Shqipërisë është një udhëtim mbi male masiv dhe nëpër serpentina, sepse vendi ka këtë veçori. Por, nëpër rrugë të mira dhe me mure nëpër këndet e kthesave nuk ndihesh i shqetësuar. Rrugëtimi është më i lehtë sepse ka pak trafik. Ndodh që udhëton i vetëm si mbret, dhjetëra e dhjetëra kilometra.

Në asnjë rast nuk kam parë një veturë nëpër fshatra, ato ekzemplarët e rralla që unë munda të shoh i kam parë në qytete. Trafiku në rrugë jashtë qytetesh kryhet nga mushka të ngarkuara, ndonjë autobus dhe para së gjithash kamionë që shpesh përdoren për të transportuar njerëz. Herë-herë ndesh ndonjë kamionë të madh të ngjeshur me burra dhe gra, të cilët qëndrojnë në këmbë të shtrënguar në karroceri. Në majë të kabinës së shoferit valëvitet një flamur i kuq. Janë brigadat e punës në rrugë ose prej kooperativës. Në Shqipëri nuk ka më ndonjë tokë private. As edhe një metër katror. Prandaj, nuk sheh kurrë ndonjë që punon token e vet e cila të bën një përshtypje të tmerrshme si europerëndimor! Gjithmonë punohet në grup. Mundet që krahasimi është i padrejtë, por kjo nuk ndihmon se mendja të shkon tek të burgosurit dhe të dënuarit me punë të detyrueshme.

Edhe pse udhëtimi në Shqipëri nënkupton një varg vështirësish, por megjithatë turisti kompensohet nga përshtypje të bollshme të bukurive natyrore. Peizazhi është i shkëlqyer. Guximtari lord Bajroni që udhëtoi në këtë vend në fillim të shekullit të kaluar, u impresionua jashtëzakonisht shumë nga karakteri i furishëm aventuresk i saj. Shqipëri, më lejo t’i kthej sytë nga ti, ti nanë e vuajtur e burrave azganë”. Njeriu përjeton një madhështi të hatashme. Vargmalet janë fantastike dhe panorama marramendëse. Grykat të duken si puse të thellë që ruhen nga gjigantë, të cilët janë shkrepat. Dhe, njeriu beson se e kupton pse shqiptarët kanë mundur të ruajnë veçoritë karakteristike, megjithëse ata pothuaj kanë jetuar gjithnjë nën sundime të huaja: një vend malor si ky kurrë nuk mund të mposhtet tamam. Njeriu edhe shpërblehet pas këtij udhëtimi të ankthshëm prej Vlore në Sarandë. Një rrugë e re të çon në Butrint, Buthrotumi i antikës për të cilin flet Virgjili, poet i famshëm romak në në veprën Eneida dhe ku Racini, shkrimtari më i madh dramaturgjisë klasike franceze e zgjedh për vend ngjarje të veprës “Andromaka “.

Qindra vjet para Krishtit, ky qytet përbënte një nga qendrat më të njohura të tregtisë dhe kulturës së Epirit. Gradualisht u bë një koloni romake dhe më pas ra nën sundimin Bizantin dhe pas kësaj nën Venedikun e mandej e morën turqit. Në vitet 1700 qyteti u braktis dhe më vonë u kthye në xhungël e cila e mbuloi krejt. Midis dy luftërave botërore, arkeologu italian Ugolini i kushtoi Butrintit dhjetë vjet për ta rizbuluar dhe nuk i ndërpreu gërmimet e mëdha deri në vitin 1939. Qe një punë e vështirë: e kishte shumë të vështirë t´ia dilte në krye me shkurret e bimësinë e shpeshtë, trualli moçalishte kërkonte një tharje të komplikuar dhe malaria përbënte një kërcënim të pandalur. Kur plasi Lufta e Dytë Botërore qe zbuluar vetëm një copë e vogël.

Kur shëtit për rreth në këtë qytet të rigjetur, menjëherë të shkon mendja: nëse gjithë kjo që është zbuluar përbën veç një pjesë të vogël, atëherë çfarë nuk do të ketë më për të zbuluar! Edhe nga pikëpamja kulturo-historike izolimi agresiv i Shqipërisë është një tragjedi. Çfarë kërkohet është një investim në arkeologji i përmasave krejtësisht të tjera që shqiptarët vetë nuk mund ta bëjnë. Që tash admiroj një amfiteatër të mrekullueshëm në mermer të bardhe prej shekullit të katërt para Krishtit, një tempull Esklepi, pagëzimtari bizantin me shtylla të skulpturuara mbi dysheme të lezetshme mozaiku, banjë romake shumë të mirëmbajtur… Ato copat e zbuluara shtrihen si hapësira shumë të vogla në këtë xhunglën e nxehtë me lagështi ku ecim përpara nëpër shtigje dhe sheh kodrina të çuditshme, që dëshmojnë për mure dhe shtëpia nën vegjetacionin e madh. Në një kështjellë të vjetër, që ndodhet mbi qytet ku Ugolini e ka zmadhuar dhe mobiluar si banesë, kanë hapur edhe një muze me gjërat e zbuluara: skulptura portretesh të bukura, armë, orendi shtëpiake dhe objekte zbukurimi.

Ekspertët italianë shpjegojnë se këtu bëhet fjalë vetëm për një iluzion të vogël për mundësitë që ka Butrinti. Një arkeolog i ri shqiptar, që ka studiuar në Moskë dhe punon si ciceron këtu, thotë se është i të njëjtit mendim. Ai nuk do të shpjegoj gjë mbi programin e gërmimeve në të ardhmen. Por, përkundrazi thekson atë që Shqipëria e quan “Krimi i madh i Ugolinit”. Midis shumë skulpturash shkencëtari italian gjeti një kokë jashtëzakonisht të bukur, që nuk dihet me siguri nëse parqet një djalë apo një vajzë. Ajo është bërë me një mjeshtëri që të kujton Praksitelin. Në mbarim të viteve tridhjetë ai e dërgoi atë në Romë dhe atëherë u përfol se Zogu i a dha Italisë si shenjë falënderimi për gërmimet. “Ai vodhi skulpturën tonë më të bukur”, thonë zotërinjtë e sotëm shqiptarë. Kuptohet, hidhërimi i tyre. Vendi ka dy thesarë të çmueshëm: koka nga Butrinti dhe helmeta e Skënderbeut. Asnjëra nuk ndodhet në Shqipëri. Koka ndodhet në një muze në Romë dhe helmeta në një muze në Vjenë.

Ai që udhëton në Shqipëri, nuk ka pse të shqetësohet për ushqimin. Në këtë aspekt ka një përparim kur e krahason me atë më parë kur restorantet nuk plotësonin as edhe kërkesat më minimale të higjienës.

Është vështirë të thuash se nga kanë mësuar, ndoshta italianët kanë qenë mësuesit e tyre? Por, kuzhinierët shqiptar tashmë zotërojnë aftësi befasuese në profesionin e tyre. Kudo që kam shkuar gjatë këtij udhëtimi kanë shërbyer gjellë të gatuara shumë mirë, të cilat kanë qënë shumë më të mira se shumë vende të Evropës perëndimore do të mund të ofronin në lokale të thjeshta të ngjashme. Kuzhina shqiptare, përveç të tjerash, mburret veçanërisht me gjellën; me atë që në gjuhën e vendit quhet kos, kos i jashtëzakonshëm që as dhe bullgarët s´mund t’i afrohen. Ai përgatitet sipas metodave tradicionale. Nëse u besohet kamerierëve, duhet të ketë zona ku kosi merret pak nga i vjetri për të zënë të riun, e vazhdon ende që nga kohët e lashta. Në Krujë, qyteti i kështjellës prej ku Skënderbeu i luftoi turqit me aq sukses para 450 vjetësh, duhet të kenë pasur kos historik, d.m.th. mund të zbulohen gjurmët me radhë në breza trashëgimie nga ditët e heroi kombëtar. Le të jetë rrenë ose e vërtetë, fakti qëndron: falë kosit mund të flasim për një gastronomi shqiptare. Përveç kësaj, standardi i ushqimit është çuditërisht i mirë.

Përsa u përket hoteleve ka, një përmirësim bindës. Kur largohesha nga Tirana, në vitet tridhjetë, qytete të tjera kishte veç bujtina ballkanike: shkallë të frikshme me dhoma të këqija ku edhe çarçafët dukeshin historikë, në kuptimin se edhe ata dukeshin se ishin të kohës së Skënderbeut – pa u larë që prej atëherë. Njeriu armatosej me një durim prej shenjtori. Më e keqja ishin kacabunjtë që në atë kohë përbënin vuajtje të veçantë në hotelet shqiptare. Shtoi edhe anën sanitare… Gjithçka ishte fjala për durim, që mund ta fuste edhe turistin më të kalitur në një gjendje të thellë trishtimi. Këtu ka ndodhur si njëra dhe tjetra. Janë ngritur mjaft hotele të rinj. Duke u bazuar në situatën e përparshme, mund të cilësohen të pranueshme. Ata natyrisht kurrë nuk disponojnë ashensorë, ngaqë ashensorët duhet të importohen. Ndodh edhe që tetë vizitorë të kenë veç një banjë dhe pastërtia është për të ardhur keq. Por, dhomat janë të pastra. Përsa u përket kacabunjve, ndoshta kanë emigruar në ndonjë tjetër demokraci popullore ose i kanë dehur para se të vijmë ne. Më vonë u tha se dhomat ishin dezinfektuar pak para se të vinim, por asnjë nga pjesëmarrësit e udhëtimit nuk patën ndonjë telashe nga ai lloj.

Nuk mund të flasësh për hotele pa shtuar disa fjalë për hotelin “Adriatik” në Durrës dhe jo vetëm se përbën krenarinë e “Albturist” por edhe për arsye se atmosfera dhe rrethanat pasqyrojnë gjithë Shqipërinë. Durrësi është një qytet bregdetar i rëndësishëm, që para se shteti të mbyllte dritaren dhe të ulte perden, kishte një trafik të dendur detar me Dubrovnikun, Barin, Venedikun dhe porte të tjera të Adriatikut. Tashmë vaporët vijnë prej Kine. Por, Durrësi është edhe një dhuratë nga Enver Hoxha për popullin: një plazh i gjerë ku pesë kilometrat e gjata të bregdetit shfrytëzohen nga nëpunësit e zellshëm dhe punëtorët e zotë që marrin si shpërblim dy javë pushimi në të.

Në mes të bregdetit, “Adriatiku” ka ngritur muret e tij imprensionues. Dhomat janë të shkëlqyera, edhe pse godina nuk përfiton nga uji i rrjedhshëm në kuptimin e vërtetë, por uji duhet të vijë me cisternë dhe me pompë mbushin rezervuarin në çati, ai ofron një luks të madh duke patur parasysh rrethanat shqiptare. Bari është shumë i madh dhe solemn, si një sallë vallëzimi e kohës së vjetër, e mensa po ashtu. Kamerierë me mantel të bardhë dhe kamerieret me flokët topuz, pa asnjë buzëqeshje, por me një efektivitet të madh, u shërbejnë kapitalistëve dhe revizionistëve.

“Adriatiku” në të vërtetë është i rezervuar për të huajt, që do të thotë – një pakicë turistësh prej Evropës perëndimore, tek-tuk ndonjë delegacion tregtar nga Jugosllavia dhe Rumunia, dy kombe veçanërisht të dyshimtë sipas këndvështrimit shqiptar, si dhe personel i trupit diplomatik që vijnë nga Tirana për disa ditë si orvatje për të harruar mërzinë vrastare në kryeqytet. Prej hyrjes së hotelit dhe deri në buzë të ujit është një zonë e ngushtë dhe e ndaluar ku rrinë veç mysafirët, dhe prej nga sheh rroba banje me ngjyra të bukura, çadra dielli të hijshme dhe dyshekë të larmishëm gome. Në të dy anët e këtij rezervati rigjen publikun shqiptar të plazhit. Herë pas here vërshojnë në ato përmasa që të kujton Gangun.

Është një publik patetik plazhi pa pajisje banje, aparate fotografike apo radio-transistorë; nuk kanë çadra dielli, por lidhin çarçafë në katër shkopinj dhe janë me rroba banje që i kanë qepur vetë. Kjo është një ndarje e turpshme. Të duket vetja si në një karikaturë të “Pravdës” ku kapitalisti është ulur në zonën e rezervuar nën një çadër të bukur dielli dhe përpiqet të gjej stacione italiane lajmesh me një radio-transistor. Ca më tutje, plazhi është i bllokuar nga policë që ruajnë një grup vilash të cilat pronarët e pushtetit i përdorin për fundjavët e tyre. Si të gjitha shtetet komuniste, edhe Shqipëria është një shoqëri klasash.

Brenda në det presin vaporë transporti kine, për vend në skele, dhe kur bëhet errësirë ndezin dritat dhe duken shumë dekorativë. Ndërkohë, drejtoria e “Adriatikut” fillon përgatitjen e përhershme të argëtimit të darkës. Shfaqin film propagandistik në tarracën e madhe. Dje u kënaqëm prej ekskavatorëve që sulmuan një vend të ardhshëm ndërtimi, dhe kamionë që transportonin zhavorr, ndërkaq një komentator në frëngjisht fliste për energjinë dhe vullnetin e përparimit shqiptar.

Sonte, dihet se do të fillojë të ngrihet një ndërtesë e re përpara syve tonë. /Memorie.al/