Regjisorja iraniane përtej censurës së pushtetit dhe tabuve

1 javë më parë

Regjisorja iraniane përtej censurës së pushtetit dhe tabuve

Grua e hekurt, mund të jetë epiteti i duhur për regjisoren iraniane, Mania Akbari.

Temat të cilat i shtjellon në filmat e saj, duke filluar nga identiteti seksual, të qenit grua, martesa, aborti, tradhtia bashkëshortore, e kanë vënë në sy të pushtetit në Iran, shkruan Koha Ditore.

Akbari në vitin 2012 është detyruar që ta lërë vendin e saj Teheranin dhe të zhvendoset në Londër, ku ende vazhdon të realizojë filma me të cilët vë në pah çështje të cilat shpeshherë kanë edhe lidhje me jetën e saj. I tillë është edhe filmi “A Moon for my Father” që është shfaqur në Kosovë, në kuadër të “DokuFestit” sivjet, por edhe projekti i saj i radhës në të cilin është duke punuar bashkë me të birin e saj.

“Kinemaja e fytyrës”

Akbari është e pasionuar pas posterëve të filmave. Ajo beson se ata tregojnë kulturën e një vendi. Sipas saj, mjafton për të parë posterët e filmave në Iran për ta kuptuar rolin dhe mënyrën e përfaqësimit të grave në këtë vend. Para revolucionit, në posterët e filmave kanë ngjashmëri të madhe me filmat që shfaqen në Hollywood. Në to në fokus janë gratë dhe trupi i tyre. Por pas revolucionit gjërat ndryshojnë. Rregulla të reja vendosen në kinema dhe filmat të cilët tregonin pjesë të trupit të grave apo çdo kontakt të tyre me burrat, ishin ndaluar. Filmat në Iran filluan që të kenë në qendër histori të luftës.