Reçica: Pagesa për punën në borde një praktikë e keqe, kam kërkuar të hiqet sa më parë

1 muaj më parë

Reçica: Pagesa për punën në borde një praktikë e keqe, kam kërkuar të hiqet sa më parë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka kërkuar që të hiqet pagesa për punën që do ta bëjë në Bordin Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Ai ka thënë se shqetësimin e kanë shprehur që në mbledhjen e parë të Bordit lidhur me kompensimin e lartë të anëtarëve të Bordit nga detyrat zyrtare.

“Si ministër, natyrisht që përveç detyrave në menaxhimin dhe drejtimin e Ministrisë, në bazë të përgjegjësive ligjore ne obligohemi të kryejmë edhe detyra tjera, gjithnjë nga detyra zyrtare e ministrit. Bordi Drejtues i Fondit për Sigurimet Shëndetësore, është i rregulluar në bazë të Ligjit për Sigurime Shëndetësore, nr. 04/L-249. Me vendim të qeverisë nr. 12/26 të datës 21.08.2020, jam emëruar anëtar i këtij Bordi, ku nga pozicioni i ministrit, bashkë me dy kolegët tjerë, ministrin e Shëndetësisë dhe ministren e Financave, që në mbledhjen e parë të këtij Bordi, kemi shprehur shqetësimin tonë lidhur me kompensimin e lartë të anëtarëve të Bordit nga detyrat zyrtare”, ka thënë Reçica.

Reçica siç shkruan Ekonomia Online, e ka quajtur praktikë të keqe që ministrat apo zyrtarët tjerë të shtetit të paguhen shtesë në raste të angazhimit të tyre nëpër borde, komisione apo grupe të ndryshme punuese.

”Meqenëse kompensimi i anëtarëve të këtij Bordi është e rregulluar me vendimin e qeverisë, nr. 05/66 të datës 18.09.2018, unë kërkoj që një herë e mirë të largohet kjo praktikë e keqe ligjore, që ministrat apo zyrtarët tjerë të shtetit të paguhen shtesë në raste të angazhimit të tyre nëpër borde, komisione apo grupe të ndryshme punuese”, ka thënë Reçica.

Kryetari i Bordit Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, do të jetë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ndërsa anëtarë do të jenë ministrja e Financave Hykmete Bajrami dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica.