Reagon Ferat Shala: Spektaklet me arrestime të EULEX-it, s’do të arrijnë të zbehin krenarinë e luftëtarit të UÇK-së

3 javë më parë

Reagon Ferat Shala: Spektaklet me arrestime të EULEX-it, s’do të arrijnë të zbehin krenarinë e luftëtarit të UÇK-së

Deputeti i Kosovës nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, ka reaguar me rastin e arrestimit të krerëve të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, shkruan AktivPress.

Sipas tij, spektaklet me arrestime dhe bastisje jashtë procedurave dhe mandatit të EULEX, nuk do të arrijnë të zbehin madhështinë e krenarinë e luftëtarit të UÇK-së e as t’a shfajësojnë dështimin e drejtësisë të këtij misioni në 20 vitet e fundit.

“Sot kur padrejtësisht gjykohet çlirimtari, ndërkohë që agresori po amnistohet, EULEX zhgënjen përsëri me skena teatrale dhe krejtësisht të panevojshme. Përderisa nuk ka rezistencë ndaj ftesave nga Gjykata Speciale, skena të tilla të arrestimeve nuk sjellin asgjë më shumë se fyerje ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës, i cili ka dëshmuar me kohë gatishmërinë për bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare”, ka shkruar Shala, i cili kohë më parë ka qenë i ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e dëshmitarit.

AKTIV PRESS