7 muaj më parë

Rasti i vetëm në histori

Rasti i vetëm në histori

Gjithçka është e kotë, gjithçka shkoi keq, megjithatë, së paku, ne do të hyjmë në analet e historisë botërore.

Shkruan: Blerim Gashani

Studentët e historisë dhe të shkencave politike në botë, do të mësojnë për ne, për shembullin se si (nuk) ndërtohet shteti.

Në librat dhe ligjëratat e katedrave të universiteteve botërore do të ligjërohen e studiohen tema të tilla si:

– Rasti i vetëm kur vendi çlirohet, agresori hidhet jashtë me ndihmën e miqve dhe pas pak vitesh po ai agresor ftohet, futet brenda ekonomisë, politikës, vendimmarrjes dhe brenda vendit tashmë të çliruar – “Rasti Kosova”;

– Rasti i vetëm kur popullata që i ka shpëtuar gjenocidit, me dëshirë, pa asnjë shtytje e as presion, ka vazhduar ta mbështesë ekonominë e agresorit dhe makinerinë e tij gjenocidale ushtarake – “Rasti Kosova”;

– Rasti i vetëm kur vendi që ka shpallur pavarësinë, ka bërë vite si i pavarur, ka krijuar institucionet shtetërore të pavarura, është njohur si shtet i pavarur nga vendet, mekanizmat, madje edhe nga Gjykatat Ndërkombëtare, ka filluar të negociojë me një shtet tjetër me temë bisedimi sovranitetin e vet – “Rasti Kosova”;

– Rasti i vetëm kur Presidenti i shtetit ofron korrigjime të kufijve të cilët ende nuk janë vijëzuar e as demarkuar – “Rasti Kosova”;

– Rasti i vetëm kur Presidenti i shtetit ofron tokë të vendit të vet dhe kompromise të sovranitetit për njohje nga agresori dhe për anëtarësime në organizata ndërkombëtare – “Rasti Kosova”;

– Rasti i vetëm kur vendi që ka shpallur pavarësinë, ka bërë vite si i pavarur, ka krijuar institucionet shtetërore të pavarura, është njohur si shtet i pavarur nga vendet, organizatat, mekanizmat, madje edhe nga Gjykatat Ndërkombëtare, papritmas ka thirrur për organizimin e një Konference Ndërkomëbtare për diskutimin e pavarësisë dhe sovranitetit të vendit të vet – “Rasti Kosova”;

Ka edhe shumë tema të tjera, për të cilat kemi hyrë në histori – si rast sui generis.

Studentët e shkencave politike të universiteteve botërore do të mësojnë nga këto raste studimore për mënyrat se si shkatërrohet shteti.

Si shkatërrohet një popull!

Një popull, që ishte çliruar nga agresori, por që nuk mundi të çlirohet nga vetja e vet!

Madje, ndoshta kjo e fundit, do të merret parasysh në të ardhmen, kur aleancat botërore do të çlirojnë tjerë popuj të vegjël.

Apo, kur të na çlirojnë prapë!

Kësaj radhe, nga vetja jonë!

AktivPress