3 muaj më parë

Ramush Haradinaj nuk mund të gjykohet bardh e zi!

Ramush Haradinaj nuk mund të gjykohet bardh e zi!

Nga: Agron Halitaj

Ramush Haradinaj është një personalitet kompleks. Si i tillë, ai nuk mund të gjykohet bardh e zi. Sa ka të meta, ka edhe të mira; sa është i ndjeshëm, është edhe arrogant; sa është i butë, po aq është edhe i vrazhdë; por mbi të gjitha është njeri i vendimeve të mëdha, një tipar që i karakterizon burrshtetasit.

Haradinaj e di edhe vetë se në rrafshin e brendshëm ka qeverisur keq, ama shumë keq, por në atë të jashtmin ka arritur t’ia kthejë një trohë krenarie shtetit. Për më pak se dy vjet, falë këmbëngulësisë së tij, Kosova u shndërrua nga një “fëmijë i dëgjueshëm”, në lojtar bosht për të ardhmen e vet.

Haradinaj e ka ditur se nuk do të mund të qëndronte gjatë si kryeministër, por e ka gjetur momentin e duhur për t’u tërhequr. Me këtë veprim, ai  i ka bërë dy herë nder vendit: së pari që nuk do të dal para Gjykatës Speciale si kryeministër, dhe së dyti, që arriti t’i vërë kapak skenarit të shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Ka qenë e pritshme që Haradinaj, as me rreptësi e as me butësi nuk do të arrinte ta bënte shtetin tamam me Ushtri; se ai, as me rreptësi e as me butësi nuk do të arrinte të ndryshonte vijën e kufirit me Malin e Zi; e se ai, as me rreptësi e as me butësi nuk do të mund ta integronte pjesën veriore të shtetit.

Dorëheqja e Haradinajt, vetëm sa ka shpërfaqur qartazi jounitetin e lidershipit të Kosovës në proceset e ndjeshme nëpër të cilat po kalon vendi. Jo pa qëllim, lajmin për dorëheheqje, ai e ndau me qytetarët, ndërsa Hashim Thaçit e Kadri Veselit ia la ta mësojnë nga mediet. Arsyen pse ka vepruar kështu (e që shumëkush mund të mos pajtohet) e dinë mirë presidenti e kryeparlamentari. Të dy, jo rrallë e kanë goditur nga largësia- shkaku i një takse ndaj Serbisë.

Dorëheqja e Haradinajt duhet të shërbejë si mësim për udhëheqësit e ardhshëm për kultivimin e një fryme konstruktive gjatë bashkëqeverisjes. E ne votuesve s’na mbetet tjetër, pos të vendosim nëse do të dalim për të votuar në zgjedhjet e parakohshme. Nëse dalim, të paktën të përpiqemi t’i votojmë  ata që mendojmë se janë më të mirët brenda pakove të partive të njëjta.

AktivPress