Ramadan Muja punëson në Komunë motrën e rektorit të UPZ-së

4 vite më parë

Ramadan Muja punëson në Komunë motrën e rektorit të UPZ-së

Kastriote Vataj, është punësuar në administratën e Komunës së Prizrenit. Ajo është motra e rektorit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Ramë Vataj.

Zëdhënësi i Komunës, Ymer Berisha ka konfirmuar punësimin e Kastriotes.

“Po, është punësuar”, tha shkurt Berisha, për “PrizrenPress”.

Ndërkaq, kuvendarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku tha se punësimi i Kastriotes, tregon më së miri nepotizmin e Komunës dhe Universitetit të Prizrenit.

“Universiteti i Prizrenit ‘Ukshin Hoti’, prej themelimit të saj, e deri më sot, më së paku ka qenë i sudentëve. Ai ka shërbyer si industri për punësimin e militantëve partiakë të Kadri Veselit”, tha Millaku.

Ajo thotë se motra e rektorit Ramë Vataj nuk i ka plotësuar kriteret e punësimit.

“Me bekimin e kryetarit Ramadan Muja, dhe me aprovimin e shefit të Personalit, Isa Gashi, duke mos përmbushë as minimalisht kërkesat e konkursit në punë është pranuar motra e rektorit të Universitetit “Ukshin Hoti” Kastriote Vataj”.

 “Në Prizren, nepotizmi mbi baza familjare dhe partiake të Klanit ”Pronto” të Kadri Veselit, po i zhytë edhe më tutje institucionet tona në denigrim”, tha Millaku.