Ragbi ia shpëtoi jetën, në qytetin më të dhunshëm në Kolumbi

6 ditë më parë

Ragbi ia shpëtoi jetën, në qytetin më të dhunshëm në Kolumbi

Më 17 nëntor të vitit 2010, një grua e quajtur Andrea, në të 20-at e saj, u vra në Medellin të Kolumbisë. Në atë ditë Andrea ishte duke shkuar ta merrte shoqen e saj Isabelan, e cila po ikte nga shkolla, në mënyrë që të dyja shoqet të largoheshin edhe nga qyteti për disa ditë.

Por një ndeshje e rastësishme e ragbit ia pamundësoi Isabellës të takohej me shoqen e saj, dhe kur Andrea u vra – në vendin dhe në kohën e gabuar – Isabela ishte në një pjesë tjetër të qytetit.

Dhe përderisa një jetë u shua dhunshëm, një tjetër jetë u shpëtua nga diçka që nuk mund ta mendosh kurrë, në vendin e njohur dikur si kryeqyteti i vrasjeve më të mëdha të botës, shkruan BBC.

Tani si 23-vjeçare, Isabela Romero flet me sinqeritet për vrasjen e një prej shoqeve më të mira të saj të fëmijërisë, në një vend ku vdekjet e shumta janë një pjesë e përditshme e jetës, transmeton KOHA.

Andrea ishte një nga 2023 personat e vrarë në vitin 2010 në Medellin, qyteti i dytë më i populluar i Kolumbisë. Isabela kujton se ajo dhe shoqja e saj ishin “duke shkuar në drejtim të gabuar” – duke kaluar kohë në rrugë dhe duke u shoqëruar me njerëzit që merrnin e distribuonin drogë.

Isabelës i pëlqente të rrinte me këta njerëz, pasi ata kishin shumë gjëra, që kjo nuk mund t’i kishte, si telefona celularë, motoçikleta dhe para të mjaftueshme për të blerë ushqim e çfarëdo që ato donin. E rritur nga një nënë e vetme, e cila do të ngrihej çdo ditë në orën 4:30 të mëngjesit dhe do të ecte nga tri orë për të shkuar në punë çdo ditë, vetëm për të sjellë në shtëpi gjërat bazike ushqimore, ajo dhe motra Yurani pothuajse nuk kishin një jetë normale. Isabela mendonte se duhej të kishte një mënyrë më të lehtë për të fituar para.

Në moshën 13-vjeçare ajo e kishte të qartë ambicien e saj – ajo dëshironte të punonte për një nga bandat kriminale të Medellinit.

“Nëna ime ka punuar shumë larg dhe gjithçka që ajo na linte për të ngrënë ishin disa arepa (bukë kolumbiane misri), pak gjalpë dhe kripë”, thotë ajo. “Na dukej shumë e trishtuar dhe kur gjendesh në një situatë si kjo gjithmonë dëshiron rrugën më të shpejtë dhe më të lehtë. Për mua kjo ishte më ideale”.

Por Isabela ende nuk kishte nisur “punën” dhe nuk i kishte ofruar shërbimet e saja për asnjë bandë dhe në atë ditë fatale të vitit 2010 ajo kishte më shumë vepra të pafajshme në mendje. Ajo kishte vendosur që të ikte nga shkolla dhe të takohej me Andrean e disa miq në një “finca”, një shtëpi në fshat, për pjesën tjetër të javës.

Planet e saj ndryshuan, megjithatë dhe gjithçka ndodhi për shkak të një basti. Rreth katër javë para vdekjes së Andreas, në një nga lagjet më të dhunshme e vdekjeprurëse në Medellin, u hap terreni i ragbit, që ishte i pari në Kolumbi.