3 vite më parë

Radio – Hirushja mediatike edhe e shekullit XXI

Radio – Hirushja mediatike edhe e shekullit XXI

Në epokën e revolucionit dixhital, shumësisë së kanaleve për përcjelljen e mesazheve dhe kohën kur secili mund të shndërrohet në media, radio është bërë ashtu si e ka cilësuar prej kohësh gazetarja dhe studiuesja Alesandra Scaglioni: Hirushja e mediave.

Me aftësinë e transformimit dhe me tiparet tipologjike të medias që nuk kërkon vëmendjen e plotë, derisa u  ofron përmbajtjen e dobishme, radio ka arritur t’i mbijetojë procesit të domosdoshëm të konvergimit, në kohën kur zhvillimet teknologjike të fillim shekullit XXI, kanë shkaktuar ndryshime rrënjësore në mënyrat e funksionimit të mediave të shekullit të kaluar.

Ekologjia e mediave, mediat si mjedis dhe mjedisi si media ka prodhuar efekte të ndërsjella, që paraqiten si faktorë përcaktues për funksionimin e kategorisë së njohur si “media tradicionale”. Radio është pjesë e rëndësishme e peizazhit mediatik të shekullit XX. Ajo është transformuar vazhdimisht në funksione, teknika dhe në formatin e përcjelljes së përmbajtjes, por duke ruajtur veçantitë karakteristike të medias që depërton lehtë te kategoritë e ndryshme të audiencës.

Në shekullin XXI, teknologjitë e reja  kanë zgjeruar mundësitë e transmetimit të përmbajtjes dhe kanë shtuar kanalet e komunikimit me audiencat. Si instrumente ndihmëse, teknologjitë ofrojnë bazën mbështetëse për realizimin e përmbajtjeve cilësore. Ato mund të shërbejnë për të zgjeruar depërtimin te kategori të ndryshme të audiencave të fragmentuara, qoftë në kërkesat ndaj përmbajtjes, qoftë në mënyrat e pranimit apo në qëllimet për të cilat e përdorimin informacionin.

Përparësitë që dalin nga zhvillimi teknologjik, mund të shndërrohen në sfidë, apo pengesë të pakapërcyeshme sa herë kompanitë mediatike radiofonike nuk arrijnë të përshtatin funksionimin me to. Radio ka humbur audiencat masive të dekadave të para të shekullit të kaluar. Ajo ka humbur edhe primatin në kategorizimin si media e shpejtë që përcjell ngjarjet drejtpërdrejt. Funksioni primar i saj nuk është më informimi i shpejtë, por komunikimi dhe prodhimi i përmbajtjeve të gjeneruara me pjesëmarrjen e audiencës.  Por, në mjedise mediatike gjithnjë e më interaktive fal avancimeve teknologjike, secila media masive e ka këtë mundësi.

Në procesin e transformimit të mediave në hapësirën e pakufishme të web-it, kufijtë dallues ndërmjet tyre kanë rënë. Nuk mjaftojnë vetëm tekstet për gazetat, janë të pamjaftueshme vetëm fjalët për radion dhe nuk flasin të vetme pamjet televizive. Audiencat i kërkojnë gjithnjë e më shpesh të tria bashkë dhe njëkohësisht; kurdo që audienca do e jo sipas orareve të rregullta të botimit/transmetimit; jo në një, por në më shumë platforma; jo vetëm për t’u informuar prej tyre, por edhe për të pasur mundësinë që të komunikojë dhe të jetë pjesërisht pjesëmarrës i rëndësishëm në ndërtimin e përmbajtjes.

Radio mund t’i përmbush secilën prej këtyre pritjeve të audiencave, pa ndryshuar thelbin e përmbajtjes dhe duke e përqendruar procesin e transformimit vetëm në shtimin e platformave dhe mënyrave të përcjelljes së përmbajtjes. Vlerat e saj si media tradicionale e shekullit të kaluar, janë ende përparësitë e saj kryesore, por duke ndryshuar prioritetet në funksionet e dikurshme: nga media që transmeton për masa, në media që e gjen dëgjuesin me pritje dhe kërkesa të ndryshuara dhe i bëhet media që i ofron përmbajte të dobishme, duke mos e penguar  në aktivitetet tjera. Jo vetëm kaq.

Interneti i ka ofruar asaj mundësinë që të përmbush pritjen kryesore të dëgjuesit të shekullit XXI, i cili nuk rend më pas përmbajtjes, por kërkon “produkt të gatshëm mediatik”. Radio ka mundësinë e “ruajtjes” së përmbajtjes dhe ofrimit të saj në formën e materialeve të incizuara dhe të arkivuara në web. Podcast e ka transformuar atë nga media me përmbajtje që pranohet me një të dëgjuar, në media me përmbajtje të disponueshme për audiencat kurdo që ato e kërkojnë. Njësoj si përmbajtjen, avancimet teknologjike kanë shtuar edhe mundësinë e komunikimit me audiencat.

Karakteristika kryesore si media e afërsisë, është pasuruar me shtimin e mundësive për komunikimin e shumëfishtë me audiencat. Ajo arrin që të shndërrojë lehtësisht informacionin linear në komunikim dhe të forcojë lidhjen me audiencat, duke i bërë ato bashkëpjesëmarrëse të rëndësishme në strukturën e produktit mediatik. Me karakteristikat e saj specifike, radio jo vetëm që nuk është media e vjetruar, por është pjesëmarrëse e barabartë në ekologjinë e mediave të shekullit XXI.

Vlerat e saj për lehtësi në ndërtimin e komunikimit janë përparësia kryesore që i ndihmon përshtatjen në mjediset me audiencat e shpërndara në grupe të vogla. Teknologjitë e reja, e kanë kthyer radion në qëllimin dhe funksionin parësor: vendosjen e komunikimit të personalizuar. Ajo mbetet media që synon individin, të cilit i ofron përmbajtjen me karakteristikat e informacionit herë të dobishëm, herë relaksues, herë shoqërues e herë si mundësi për t’u bërë pjesëmarrës aktiv në hartimin e përmbajtjes.  

(Gjylie Rexha është gazetare, njëherësh ligjëruese universitare për gazetari. Shkrimi është bërë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios)