Qytetarët shtrëngohen t’ua paguajnë edhe 27.9 milionë euro Monego-s dhe Iute Credit-it

1 muaj më parë

Qytetarët shtrëngohen t’ua paguajnë edhe 27.9 milionë euro Monego-s dhe Iute Credit-it

Zyrat e tyre në Kosovë janë mbyllur, por telashet e qytetarëve me “IuteCredit” dhe “Monego” nuk kanë përfunduar ende.

Atyre duhet t’ua kthejnë edhe 27.9 milionë euro bashkë me kamatat astronomike që i kanë marrë në këto dy institucione.

Sipas zyrtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës, këto para duhet të kthehen në pajtueshmëri me kushtet e kontratës të nënshkruara.

“Vlera e kredive aktive në të dy institucionet deri në datën e revokimit të regjistrimit ishte 27.9 milionë euro. Këto mjete duhet të kthehen në pajtueshmëri me kushtet e kontratës të nënshkruara nga palët”, ka bërë të ditur për Gazetën inFokus, zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti.

Sipas BQK-së, pavarësisht se “IuteCredit” dhe “Monegos” u është tërhequr licenca, paratë duhet ti kryejnë obligimet përndryshe çdo vonesë në pagesën e kësteve ndikon në rritjen e këstit.

“Iute Credit” dhe “Monego” janë dy institucione financiare, të cilave Banka Qendrore e Kosovës ua tërhoqi licencat pasi ato shfrytëzuan mirë gjendjen e rëndë socio-ekonomike në Kosovë, për të fituar në kurriz të qytetarëve.

Për më pak se një vit ato fituan miliona euro nga kosovarët që jetojnë me më pak se 2 euro në ditë.

Mënyra që zgjodhën për të bërë para, pretendohet të ketë qenë një skemë mashtrimi, për çfarë edhe u ndëshkuan nga BQK-ja një vit më parë.

Siç pati konfirmuar drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes Bankare në BQK, Mentor Geci gjatë inspektimit të raporteve financiare të këtyre dy institucioneve financiare, kanë hasur në pa rregullsi të mëdha.

Siç u mësua më vonë, në mesin e vitit të kaluar Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka zbuluar se luteCredit nuk ka bërë në bazë të ligjeve në Kosovë kalkulimin e normës së interesit për kreditë e lëshuar.

“luteCredit në disa raste ka dëmtuar kredimarrësit duke iu llogaritur normën e interesit më të lartë, duke mos i përdorë standardet e Kosovës për përllogaritjen e kredive”, pati raportuar Ora info, bazuar në burime të saj.

Sipas kësaj, ky institucion mikrofinanciar, joshte qytetarët me norma atraktive të interesit dhe kohën e shpejt të aprovimit të kredisë, por që në realitet norma u kalkulohej më e lartë se që u prezantohej klientëve.

Përse u mbyllën “Iute Credit” dhe “Monego”?

Për shkak të ankesave të klientëve për norma të larta, ishte aktivizuar Banka Qendrore e Kosovës të reagonte dhe ti dënonte këto institucione financiare.

Por, edhe pas kësaj, “Monego”, një institucion financiar jobankar, aksionar i vetëm i të cilit në figuron letonezi Aigars Kesenfelds, i dyshuar për krime ekonomike, mashtrime, shpërlaje të parave dhe i lidhur me miliarderin rus Oleg Boyko dhe institucioni mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo”, që për aksionar ka “As lute Credit Europe”, sipas krerëve të BQK-së, vazhduan të mos i zbatojnë rregullat.

Kështu edhe iu tërhoq licenca për operim.

Sipas guvernatorit të Bankës Qendrore, licenca u është tërhequr të dyjave, për shkak që nuk kanë zbatuar rregullat, në bazë të të cilave u ishte lejuar ushtrimi i veprimtarisë.

“Gjatë këtyre viteve të operimit në tregun tonë, këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencat për të operuar në Kosovë, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishin premtuar që do të sjellin”, ka thënë guvernatori Fehmi Mehmeti.

Sipas tij, devijimi më i rëndësishëm dhe më shqetësues nga planet e tyre të biznesit, në bazë të të cilave kishin marrë licencën, ka të bëjë me normat e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi, të cilat kanë rezultuar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në dokumentacionin e aplikimit për kredi./Gazeta inFokus