Qeveria s’ka asnjë njoftim zyrtar se Surinami e ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës

3 vite më parë

Qeveria s’ka asnjë njoftim zyrtar se Surinami e ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, konfirmon se deri më tash nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar në lidhje me raportimet se Republika e Surinamit ka “tërhequr njohjen” ndaj Republikës së Kosovës.

“Andaj, në këto rrethana, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës i referohet vetëm frymës së mirë të marrëdhënieve miqësore në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Surinamit dhe Notës Verbale të njohjes zyrtare nga ky shtet, të datës 8 Korrik 2016, nëpërmjet së cilës Qeveria e Surinamit e kishte njohur Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, thuhet ne komunikaten e MPJ-së.

Ministria e Punëve të Jashtme thotë se është e vetëdijshme “për interesimin e jashtëzakonshëm, përpjekjet e fuqishme dhe ëllimet malinje që ka shteti fqinj, Serbia përkitazi me minimin e legjitimitetit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës”.

“Megjithëkëtë, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës flet me gjuhën e fakteve dhe gjendjen e realitetit. Gjuha e fakteve dhe gjendja e realitetit është se Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, me legjitimitetin e vulosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ku ishte dërguar nga vet Serbia, është njohur nga 114 shtete nga çdo kontinent, ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 Organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 Misione Diplomatike dhe Poste Konsullore dhe ka të akredituar Ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete gjithandej nëpër botë”, thuhet ndër të tjerash në komunikatë.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq kishte deklaruar për mediat në Beograd se Qeveria e Surinamit e kishte informuar Serbinë se e ka tërhequr njohjen ndaj pavarësisë së Kosovës.

Surinami e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 8 qershor, 2016. /AktivPress