Qeveria rrezikon të paguaj miliona euro për t’i shpëtuar ndërmarrjet publike nga falimentimi

2 javë më parë

Qeveria rrezikon të paguaj miliona euro për t’i shpëtuar ndërmarrjet publike nga falimentimi

Në rrethana normale, shteti përfiton nga ndërmarrjet publike. Por kjo kjo nuk ndodhë në Kosovë, tash e sa vjet. Ndërmarrjet e tilla, jo që nuk derdhin mjete në arkën e shtetit, por bëhen barrë e Qeverisë, për t’ua mbuluar detyrimet ndaj palëve të treta, shkruan Gazeta Infokus.

Në një auditim që është bërë për vitin 2020, është konstatuar se të hyrat në 12 ndërmarrje publike kanë qenë 108,503,844 euro, ndërsa shpenzimet kanë kapur shumën 124,622,219 euro.

Pesë ndërmarrje publike kishin prezantuar rezultat negativ financiar, që në total paraqesin humbje prej 19,505,305 euro, ndërsa shtatë ndërmarrjet tjera kishin prezantuar rezultat pozitiv financiar me një fitim prej 1,109,359 euro.

Pjesën më të madhe të humbjeve e përbënë Telekomi i Kosovës në shumën prej 16.6 milionë euro.

Bazuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, të 12 ndërmarrjet së bashku kanë mbi 89,3 milionë euro detyrime afatshkurtra dhe 80,3 milionë euro detyrime afatgjata.

“Kthimi i këtyre detyrimeve është mjaft i pasigurt, marrë parasysh faktin se të gjithat janë në kufij të rentabilitetit, e në terma real, operojnë edhe me humbje. Madje, parimi i vijimësisë së veprimtarisë në disa prej tyre, mund të vije në pikëpyetje serioze”, thuhet në raport.

Pasi që mbi 89,3 milionë euro janë obligime afatshkurtra, sipas ZKA-së, ekziston rreziku që këto ndërmarrje të mos jenë në gjendje t’i përmbushin këto detyrime.

“Në një situatë të tillë, Qeveria do të jetë nën presion që t’i mbuloj disa deficite të këtyre ndërmarrjeve për t’iu shmangur procedurave të falimentimit për shkak të interesit publik. Kështu që, nëse nuk merren masa për hartimin e strategjive për tejkalimin e situatës së krijuar, barra financiare e Qeverisë do të ngarkohet edhe më shumë”, ka konkluduar ZKA.

Auditorët kanë ardhur në përfundim se Bordet Drejtuese të ndërmarrjeve publike nuk ishin mjaftueshëm të përkushtuara për vendosjen e politikave dhe strategjive për tejkalimin e gjendjes jo të mirë në të cilat ndodhen ato ndërmarrje. /Gazeta Infokus/