Qeveria miraton Projektbuxhetin për vitin 2021

4 javë më parë

Qeveria miraton Projektbuxhetin për vitin 2021

Qeverisa e Kosovës ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2021.

Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 2.4 miliardë euro ose 200 milionë euro më pak se buxheti i sivjetmë.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se ky dikaster ka hartuar buxhetin për vitin 2021 me pasiguri të mëdha, shkaku i pandemisë.

“Ministria e Financave ka filluar hartimin e buxhetit për vitin 2021, me pasiguritë që po na shoqërojnë mendoj që kemi bërë më të mirën për të përgatitur këtë projektbuxhet që është gjithëpërfshirës, duke shpresuar që pandemia të përfundojë së shpejti, nuk kemi arritur që të adresojmë të gjitha kërkesat e ministrive, sepse situata ka imponuar që të marrim vendime mjaft agresive”, ka thënë Bajrami.

Ajo thotë se fokusi kryesor i kësaj ministrie ka qenë rimëkëmbja ekonomike.

“Ky dokument reflekton synimet kyçe të ministrisë, që janë situata me pandeminë dhe rimëkëmbja”, tha ministrja, duke treguar se Kosova do të përballet me rënie ekonomike.

“Ekonomia pritet të tkurret mbi 6.7%, efekti negativ i pandemisë mendohet që ka arritur kulmin. Gjatë vitit 2021 ekonomia e Kosovës pritet të rritet me një normë reale mbi trendin e vet historik mbi 5.3%. Megjithatë, parashikimet janë të rrethuara me pasiguri të larta, skenari varet nga faktorët mbi shëndetin publik. Kontributi kryesor pritet të vjen nga eksporti”, ka thënë ajo.

Kryeministri Avdullah Hoti e ka përgëzuar ministren Bajrami duke thënë se ka siguruar një buxhet të qëndrueshëm.