Qeveria ia ka borxh Byrosë së Sigurimeve 266 mijë euro për polisat e mërgimtarëve

3 javë më parë

Qeveria ia ka borxh Byrosë së Sigurimeve 266 mijë euro për polisat e mërgimtarëve

Qeveria e Kosovës ia ka borxh Byrosë Kosovare të Sigurimeve 266 mijë euro, si kompensim i pagesave për polisën kufitare për mërgimtarët.

Kjo ngase ekzekutivi ka marrë për obligim që ta mbulojë këto pagesa, mirë Sami Mazreku, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), ka thënë për EO se kompensimi do të bëhet pas verifikimit nga ministria e Financave.

“Në bazë të praktikave deri më tani dhe në bazë të përvojave të këtyre dy muajve të kaluar e kemi një numër që nuk është konfirmuar nga policia kufitare, nëse flasim për total janë rreth 266 mijë euro që na presim se së shpejti ministri Murati ashtu siç e thotë edhe marrëveshja që të formoj një komision dhe grup teknik dhe të marrë mostra në pika kufitare dhe të shihet sa janë lëshua këto sigurime a kanë qenë veturat në kufi, sepse jemi në vit pandemik dhe kjo është sfiduese për ne”.

Mazreku thotë se në muajin shtator ka lëvizje më pak të bashkëatdhetarëve, ku janë mbi 12 mijë vetura që presin të verifikohen nga Polica.

“Nga ajo që e vërejmë shihet se muaji shtator ka lëvizje më pak të bashkëatdhetarëve, ku janë rreth 12 mijë e 468 vetura që presim me i verifikuar Polica dhe ne pastaj mi ekzekutu. Pra muaji korrik dhe gusht është muaji më i madh dhe fundviti ku janë edhe pushimet”.

Sipas tij, për çdo muaj dërgojnë në ministrinë e Punëve të Brendshme raport mbi polisat kufitare.

“Si proces e kemi të obligueshme që për çdo muaj listat e polisave që lëshohen në pikat kufitare në tërë territorin e Kosovës t’i dërgojmë tek Ministria e Punëve të Brendshme gjegjësisht policia kufitare dhe të shohin se këto vetura a kanë hi në kufi apo jo, e pastaj ato vetura të cilat konfirmohen paguhen dhe ekzekutohen nga thesari i shtetit”.

“Ajo çfarë nuk kanë kuptuar mirë qytetarët është se sigurimi prapë lëshohet në kufi, vetëm se pagesën për këto dy kategoritë e automjeteve që janë vetura, pasagjerët dhe motoçikleta i mbulon Qeveria e Kosovës. Marrëveshja e dini që ka filluar më 1 korrik dhe është e vlefshme deri më 31 dhjetor, e përpara se me u lëshua kjo marrëveshje ne si Byro bashkë me Bankën Qendrore kemi zbritur tarifat prej 35% dhe pastaj kemi hyrë me një marrëveshje e cila vlen deri në fund të vitit”.

Lirim Krasniqi nga “GERMIN tha se duhet të bëhet një zgjidhje më afatgjate, pasi qeveria Kurti ka menduar vetëm sipërfaqësisht, duke bërë si të tillë një rishpërndarje të padrejtë të parasë publike.

“Ne mendojmë që duhet të bëhet një zgjidhje afatgjate, sepse ndërhyrja e Qeverisë Kurti në një mënyrë e ka zgjidhur sipërfaqësisht ose përkohësisht problemin. Ne mendojmë që nuk mund të zgjidhet problemi në plan afatgjatë nëse ne paguajmë për çdo vit si Qeveri polisat dhe sigurimet sepse është një rishpërndarje e padrejtë e parasë publike”.

“Ka mundësi që të gjinden forma të tjera që ky problem të zgjidhet edhe në një anë të mundësohet që mërgata jonë të mos paguaj çdoherë kur vie në Kosovë por në anën tjetër të mos dëmtohet buxheti i shtetit përmes pagesave për çdo vit”.

Sipas tij, në bazë të rekomandimeve dhe analizave të bëra do të duhej që kjo Qeveri të gjente mundësinë për të bërë marrëveshje me shtetet ku diaspora është më e koncentruar që të mundësohej anëtarësimi në kartonin e gjelbër, raporton Ekonomia Online.

“Ne më herët kemi bërë një analizë të politikave dhe kemi rekomanduar që qeveria e Kosovës të jetë më proaktive për të gjetur mundësi përmes marrëveshjeve bilaterale me shtetet ku diaspora jonë është më e koncentruar. Ajo që mund të bëhet është që të lidhen marrëveshje direkte me disa shtete ose Kosova të gjej mënyrën e anëtarësimit në kartonin e gjelbër që të lirohet gjithë ata mërgimtarë që vinë në Kosovë”.