Qeveria dështon që t’i sigurojë me kohë vaksinat sezonale, përgjysmon sasinë në tenderin e dytë

4 javë më parë

Qeveria dështon që t’i sigurojë me kohë vaksinat sezonale, përgjysmon sasinë në tenderin e dytë

Të pakta janë mundësitë që Qeveria e Kosovës ta mbajë zotimin e saj që brenda vitit të kontraktojë gjysmë milioni vaksina të gripit sezonal.

Për të dytën herë, brenda disa javësh, është hapur tenderi për furnizim me vaksina sezonale.

120 mijë vaksina janë kontraktuar në prillin e këtij viti, përmes UNICEF-it.

Një nga premtimet e para të Qeverisë Hoti ishte se do të vaksinoheshin gjysmë milioni kosovarë, si masë në kuadër të planit të përballjes me situatën epidemiologjike COVID-19.

Një gjë e tillë dëshmohet në vendimin e datës 5 korrik, që gjendet në faqen e Qeverisë së Kosovës.

Përderisa herën e parë tenderi për rreth 400 mijë vaksina pati dështuar për shkak të çmimit të lartë, Ministria e Shëndetësisë për të dytën herë ka hapur tender për këtë produkt.

Përderisa tenderi është në proces, gjasat janë të vogla që vaksinat të vijnë në Kosovë brenda periudhës kur parashihet vaksinimi.

Kjo për shkak se vaksinat sezonale fillojnë të injektohen nga fundi i tetorit, siç edhe sqarohet në faqen zyrtare të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve.

Për dallim nga hera e parë, tani MSh-ja po synon të blejë rreth 250 mijë vaksina.

Vlera e buxhetit të planifikuar është rreth 2 milionë e 600 mijë euro.

Nëse kalkulohet kjo shifër me sasinë që planifikon Ministria e Shëndetësisë të kontraktojë, i bie që më së shumti një vaksinë do të blihet në vlerën 10 euro e 60 centë.

Dallim me këtë çmim kanë vaksinat e kontraktuara përmes UNICEF-it, në prillin e këtij viti, ku për një vaksinë ishte paguar 5 euro e 51 centë.

Tenderi i kaluar, i cili ishte anuluar, parashihte që të bliheshin rreth 400 mijë vaksina sezonale. Vlera e paraparë për këtë tender ishte 3 milionë e 100 mijë euro, e që nëse kalkulohej çmimi për vaksinë, i binte rreth 8 euro e 30 centë.

Tenderi për vaksina është i pari që rreth 15 vjetësh po zhvillohet nga Ministria e Shëndetësisë, pasi që nga viti 2005 vaksinat blihen përmes prokurimit të UNICEF-it.