“Qasja në financa, vështirësi kryesore për ndërmarrjet e reja”

4 vite më parë

“Qasja në financa, vështirësi kryesore për ndërmarrjet e reja”

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, po merr pjesë në Forumin Botëror të Investitorëve Engjëj (WBAF 2017) që po mbahet në Stamboll të Turqisë.

Në këtë forum po marrin pjesë rreth 450 investitorë nga 54 vende të botës, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, asociacioneve të biznesit.

Bajrami ishte moderuese e njërit nga panelet e këtij forumi ku u diskutua rreth krijimit të politikave inovative dhe instrumenteve financiare në të mirë të fuqizimit të NVM-ve qoftë në fazën fillestare e deri tek rritja dhe fuqizimi i tyre, transmeton Aktivpress.

Bajrami theksoi se NVM-të përbëjnë rreth 90 % të totalit të ndërmarrjeve në nivel botëror dhe janë bartëset kryesore të vendeve të punës. Megjithatë, sipas saj qasja në financa është një nga vështirësitë kryesore për ndërmarrjet e reja të cilat kanë ide dhe projekte inovative, mirëpo që sipas saj e kanë të vështirë të gjejnë financim adekuat për jetësimin e projekteve të tyre.

“Duhet ta intensifikojmë bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar për të gjetur qasje kreative në mënyrë që të mbyllim këtë zbrazëti lidhur me qasjen në financa për NVM-të të cilat deri tani kanë pasur vështirësi ose e kanë pasur pothuaj të pamundur qasjen në financa përmes sistemit tradicional bankar”, tha ajo.

Bajrami theksoi se është inkurajuese që rrjeti i investitorëve engjëj po konsolidohet çdo ditë e më shumë, dhe me këtë rast, ajo u bëri thirrje investitorëve që të vijnë në Kosovë sepse sipas saj vendi ynë ka potencial dhe parakushte optimale për zhvillimin e projekteve./Aktivpress