Punëtorët e “RILINDJES” ndjehen të diskriminuar për mosnjohjen e stazhit dhe mospagesën e 20 përqindëshit

4 javë më parë

Punëtorët e “RILINDJES” ndjehen të diskriminuar për mosnjohjen e stazhit dhe mospagesën e 20 përqindëshit

Nga: Zeqir Bekolli

U bënë 20 vjet qyshkur punonjësit e gazetës “Rilindja”, me një vendim të njëanshëm të administratës së UNMIK-ut, u dëbuan nga Pallati. Ky rast u bë shkas që të ndërpritet së botuari edhe gazeta, kurse punëtorët e saj mbetën në rrugë. Një pjesë e punëtorëve dhe e gazetarëve të kësaj gazete tashmë nuk gjenden në jetë , kurse një pjesë e mirë janë pensionuar.

Pavarësisht kontributit që kanë dhënë kolektivi, në një periudhë të rëndë për Kosovën, të pensionuarve nga ky kolektiv nga institucionet tona nuk iu njihet e drejta stazhit, madje edhe diplomat qofshin ato të shkollës së mesme apo të fakultetit dhe mbi këtë bazë janë pensionuar me 90 euro!

Pos kësaj, punonjësve të kësaj gazete, kundrejt angazhimit të tyre, ende nuk iu pagua 20 për qindëshi për pronat e “Rilindjes”, në Prishtinë e Tiranë. Prona e “Rilindjes” në Tiranë e njohur si “Euro Rilindja” është uzurpuar nga uzurpatorë tash për tash të panjohur, kurse Pallati i “Rilindjes”, më mbi 5 hektarë truall është marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për nevojat e saj.

Bazuar në këto të dhëna, gazetarët dhe punonjësit e “Rilindjes” ndjehen tejet të diskriminuar për mosnjohjen e stazhit, por edhe për mos pagesën e 20 për qindëshit.

AKTIV PRESS