Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kërcënojnë me protesta

4 javë më parë

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kërcënojnë me protesta

Sindikata e Lotarisë së Kosovës lëshoi një deklaratë për media lidhur me situatën e krijuar në këtë ndërmarrje publike si rrjedhojë e pakënaqësive të punëtorëve.

Pas ndalimit të lojërave të fatit sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, Lotaria e Kosovës e ka ndërprerë veprimtarinë e saj.

Sipas kësaj sindikate, nga ajo kohë janë zhvilluar takime dhe shkresa të shumta u janë dërguar institucioneve relevante, mirëpo deri më sot nuk është marrë asnjë iniciativë për hartimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovë, ashtu siç është premtuar.

Ata kanë kërkuar që të bëhet sa më parë inicimi i këtij ligji, ndryshe do të protestojnë.

“Nga takimet e realizuara me të gjitha grupet parlamentare ato kanë shprehur gatishmërinë në përshpejtimin e nxjerrjes së ligjit, por inicimi që duhet të merret nga institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është ndërmarrë ende. Punëtorët e Lotarisë së Kosovës janë tejet të shqetësuar dhe të indinjuar me këtë neglizhencë të institucioneve përkatëse për çka pakënaqësinë e tyre do ta shprehin edhe me anë të protestave”, thuhet në deklaratë.

Si ndërmarrje publike ku aksionare dhe pronare është Qeveria e Republikës së Kosovës, punëtorët e Lotarisë së Kosovës kërkojnë nga e njëjta që të përmbush obligimet që i takojnë si pronare e saj.

“Apelojmë tek institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të iniciojnë sa më parë ligjin e veçantë për Lotarinë e Kosovës dhe të mos na detyrojnë të ndjekim rrugët tjera për realizimin e të drejtave tona, por vetëm përmes rrugëve institucionale ashtu siç kemi vepruar deri më tani”, përfundon deklarata.