Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protesta dhe grevë

1 muaj më parë

Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protesta dhe grevë

Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës së Re në Korporatën Energjetike të Kosovës, ka paralajmëruar protesta dhe grevë për shkak të kushteve të punës.

Ai ka thënë se punëtorëve të kësaj korporate iu mungon marrëveshja kolektive dhe se Ligji i Punës nuk respektohet fort, njofton Klan Kosova.

“Çdo ditë në faqen e Srkek-ut shohim njoftimet për raste të vdekjes së punëtorëve, të gjitha këto si rezultat i sëmundjeve profesionale që dyshohet se i marrin në vend të punës. Në anën tjetër shohim menaxhmentin nëpër media duke u lavdëruar për suksese në prodhim dhe profit të KEK-ut”.

Llumnica po ashtu është ankuar edhe për bonuset në kohë të pandemisë duke thënë se punëtorët e KEK-ut po trajtohen sikur vegla pune.

“Nuk do të tolerojmë më shumë. Zgjedhje e vetme është protesta dhe greva nuk po kemi rrugë tjetër. Nuk jemi egoistë, as nuk po kërkojmë lëmoshë por të drejtat tona dhe djersën tonë. Nëse Korporata Energjetike e Kosovës është më profitabile në vënd, për meritë të askujt tjetër, veçse të punëtorëve të saj, që po sakrifikojnë për mirëqenien e tyre, për ndërmarrje me prodhim maksimal, për luftën ku kundër COVID-19, për dritën e Kosovës, për zhvillimin ekonomik”.