Punëtorët e ‘Ferronikelit’ paralajmërojnë grevë, menaxhmenti tërheq vërejtjen për pasojat

6 ditë më parë

Punëtorët e ‘Ferronikelit’ paralajmërojnë grevë, menaxhmenti tërheq vërejtjen për pasojat

Sikurse edhe para më shumë se një viti, kur të gjithë punëtorët e “Ferronikelit” kishin ndalur punën për shkak se menaxhmenti nuk ua kishte paguar pagat, një ndërprerje e prodhimit në “Ferronikel” mund të ndodhë edhe tani, pasi që për të martën, më 12.11.2019, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Ferronikelit” ka paralajmëruar grevë të punëtorëve.

Shkak për grevë, sipas SP-së së Punëtorëve të “Ferronikelit”, është mospërfillja e kërkesës se SP-së për ngritje të pagave nga 100 euro për secilin punëtor. Greva e paralajmëruar do të mbahet më 12.11.2019 në platenë para punëtorisë qendrore me ndërprerjen e punës.

Menaxhmenti i “Ferronikelit” ia ka dërguar një letër SP-së së Punëtorëve të Ferronikelit, me të cilën e ka vlerësuar të paligjshme grevën, si dhe i ka njoftuar për pasojat që punëtorët mund t’i kenë. Sipas letrës njoftuese, nuk përjashtohen as largimet nga puna, duke pasur parasysh dëmet që mund t’i shkaktohen kompanisë nga mbajtja e “një greve të paligjshme”./Zëri