Promovohet libri monografik për Nexhmije Pagarushën

4 javë më parë

Promovohet libri monografik për Nexhmije Pagarushën

Është promovuar libri monografik për Nexhmije Pagarushën, i autorëve Shaban Maxharraj dhe Elvira Berisha, mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Kujtim Gashi ministër në detyrë i Kulturës Rinisë dhe Sportit e cilësoi Nexhmije Pagarushen si një “markë” ku përmes  saj Kosova dhe Ballkani u njihen më gjerë.

Gashi tha se si ministër është angazhuar që të mbështes projekte kapitale, midis tyre edhe përkujdesja ndaj vlerave siq është  monografia për Nexhmije Pagarushën.

“Në një kohë kur Kosova nuk njihej shumë, e sidomos sa i përket kulturës, një zë do të bëhej shkas që vendi i vogël i Ballkanit, të prezantohej më ndryshe. Shpejt ky zë nuk do të përfaqësonte vetëm Kosovën, por ishte edhe markë e krejt ish-Jugosllavisë.

Ishte zëri i një vajze të re, që nuk e kishte të lehtë përballjen me kohën kur jetonte. Po flasim për vitet ’50 dhe ’60. Asokohe vajzat po përballeshin edhe me pamundësinë e shkollimit. Nexhmije Pagarusha pos një këngëtareje që qysh në fillet e karrierës shihej që do të shkëlqente, nuk e la me kaq. U shndërrua në një shkëlqim që hedhte shkëndiza drite te bashkëmoshatarët e saj.

“Ministria e Kulturës, e ka për obligim që t’i shërbejë artit e artistëve. Pos kësaj ka për obligim që të jetë pranë vlerave të Kosovës. E fusha e muzikës identifikohet me vlerën që ka mbajtur, mbanë dhe do të mbajë emrin, Nexhmija Pagarusha. Qysh prej marrjes së mandatit si ministër, angazhimin tim e kam fokusuar në disa projekte kapitale. Midis tyre edhe përkujdesin për vlerat që do të jetojnë gjithmonë”

E tillë është edhe vepra e zonjës Pagarusha. Vitin e kaluar me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Qeveria e ka shpallur zonjën Pagarusha “Qytetare me merita të veçanta”, duke i ndarë edhe një pension për këtë titull. Sonte po promovojmë monografinë që paraqet jetën shumëngjyrëshe të këngëtares, ashtu sikurse edhe fotografia me të cilën është ilustruar ballina e librit. Sigurisht që Ministria e Kulturës për zonjën Pagarusha e për artistet që shënuan fillet e artit në Kosovë nuk do të ndalet me kaq”.

Ministri Gashi ka paralajmruar edhe nisjen e punës për ndërtimin e qendrës kulturore “Nexhmije Pagarusha” në vendlindjen e bilbilit të këngës shqipe Nexhmije Pagarusha.

“Jemi në proces të nisjes së punës për ndërtimin e qendrës kulturore “Nexhmije Pagarusha” në fshatin e lindjes së këngëtares, në Pagarushë të Malishevës. Me këto projekte të realizuara ju them pa modesti se MKRS-ja dhe unë si ministër do të vazhdojmë të jemi në shërbim të artistëve sikur Nexhmije Pagarisha. Këtë do ta bëjmë jo vetëm se e kemi obligim si institucione, por edhe në respekt të atyre që përmes veprave na shtruan rrugën deri te identiteti e shteti që kemi”

Bardh Rugova redaktor i monografisë e vlerësoi lartë figurën e së madhes Nexhmije Pagarusha duke thënë se ajo është vlera më e madhe që ka shoqëria jonë, e cila ka dhënë një kontribut që do të bartet ndër breza.

Gjatë ceremonisë së promovimit të pranishmit u shoqëruan edhe me këngë të interpretuara nga Ansambli “Zana” që Nexhmije Pagarusha i kishte kënduar ndër vite.