Prokuroria: Shtetasit rusë sot para gjykatësit

6 muaj më parë

Prokuroria: Shtetasit rusë sot para gjykatësit

Policia e Kosovës, më 13 janar, ka arresuar dy shtetas rusë – një burrë dhe një grua – në veri të Kosovës.

Ata janë arrestuar nën dyshimin se kanë bërë kalim joligjor të kufirit mes Serbisë dhe Kosovës.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e policisë, ata kanë qenë duke udhëtuar me një automjet me tabela të Malit të Zi.

Me urdhër të prokurorit, shtetasit rusë janë ndaluar dhe vetura është konfiskuar.

Ngjarja ka ndodhur në komunën e Leposaviqit.

Policia e Kosovës nuk ka bërë të ditura më shumë detaje.

Çfarë thotë Prokuroria?

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Slobodan Bakiq, i tha Radios Evropa e Lirë se shtetasit rusë fillimisht u përpoqën të kalonin vendkalimin kufitar në Jarinje, për të hyrë në Kosovë, por u kthyen për shkak të mungesës së vizës.

Shtetasit rusë janë Egor Igoreviq (Igor Krasikov) dhe Marina Vladimirovna Krasikova.

“Dy shtetasit rusë u përpoqën të hyjnë në territorin e Kosovës por nuk i plotësonin kushtet për këtë, sepse nuk kishin vizë dhe leje qëndrimi, pra mundësinë e qëndrimit në Kosovë. Pastaj, ata përdorën një rrugë alternative në fshatin Sharpel, dhe u përpoqën të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Aty u kapën nga një patrullë, u ndaluan dhe u proceduan penalisht. Kam vendosur masën e paraburgimit prej 24 orësh. Ne po punojmë në këtë çështje dhe ka të ngjarë që ata të paraqiten para gjykatësit pasdite”, tha Bakiq.

Ai shtoi se në momentin e arrestimit, nuk kishte ndonjë përkthyes të autorizuar që mund të fliste me shtetasit rusë. Por sipas tij, përkthyesi do të sigurohet sot ( 14 janar) në mënyrë që të zbulohet se për ku ishin nisur dhe cila ishte arsyeja e hyrjes në Kosovë.

Bakiq konfirmoi tha se shtetasit rusë ishin në një automjet me tabela të Cetinjës së Malit të Zi, dhe të njëjtin e kishin marrë me qira në Budvë.