Prokurori Kelmendi: Në Kosovë ka ndeshje të kurdisura

1 javë më parë

Prokurori Kelmendi: Në Kosovë ka ndeshje të kurdisura

Përgjegjësit për të luftuar parregullsitë në sportin kosovar pranojnë se në futbollin e Kosovës ka ndeshje të kurdisura. Këtë në fakt e thonë të gjithë. Por sfidë mbetet vërtetimi i kurdisjeve.

Kryetari i Këshillit Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport, prokurori Besim Kelmendi, në intervistën dhënë KOHËS ka pranuar se ka ndeshje të kurdisura. Kelmendi ka treguar se për ndeshjen e vitit të kaluar Trepça – Fushë Kosova, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka ngritur një aktakuzë, derisa së paku edhe për katër ndeshje të tjera kanë nisur hetime me dyshimin për kurdisje të rezultateve. Kelmendi ka thënë se hetime janë duke u zhvilluar edhe ndaj arbitrave të futbollit.

I pari i Këshillit për Parandalimin e Dhunës në Sport pranon se në Kosovë është goxha e vështirë të zbulohet një kurdisje, meqë, sipas tij, shumë persona hezitojnë ose nuk u qëndrojnë pas deklarimeve publike kur paraqiten para prokurorit.

“ Të gjitha rastet i kemi hapur thuajse vetë, sepse askush nuk e ka paraqitur rastin zyrtarisht në Prokurori”, ka thënë Kelmendi.