Priten shkarkime në Inspektoratin Policor, duke filluar nga kryeshefja

2 javë më parë

Priten shkarkime në Inspektoratin Policor, duke filluar nga kryeshefja

Një valë shkarkimesh pritet të ndodhin në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), duke filluar me kryeshefen e këtij e Inspektorati, Miradije Kelmendi.

RTV Dukagjini mëson se deri tek ky vendim që pritet të merret shumë shpejt ka ardhur pas pakënaqësisë me kryerjen e punëve në këtë Inspektorat.

Sipas burimeve të RTV Dukagjinit ky vendim është gati dhe me shkarkimin e kryeshefes do të shkarkohen dhe disa zyrtarë të tjerë në këtë Inspektorat.

“Inspektorati Policor i cili mbikëqyrë punën e Policisë së Kosovës është institucion i degraduar plotësisht”, kështu thuhet në një konstatim në draft-raportin e finalizuar të Grupit Punues për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në IPK.

Një gjë të tillë nuk e mohoi as zëvendëskryetari i Komisionit për punë të Brendshme dhe Siguri, Rexhep Selimi.

Ai tha se janë ende duke punuar në këtë draft raport dhe me fillimin e sesionit pranveror çështja e parë që do të diskutohet në Komision do të jetë shkarkimi i Kryeshefes.

Ndryshe, Miradije Kelmendi, në gusht të vitit 2018 u emërua kryeshefe ekzekutive e IPK-së, në kohën kur Ministrinë e Punëve të Brendshme e udhëhiqte, Bejtush Gashi.

Kujtojmë që ky institucion në të kaluarën ka pasur telashe. Para Kelmendit, në krye të Inspektoratit ishte Hilmi Mehmeti, por që u shkarkua për keq menaxhim nga ministri paraprak i Punëve të Brendshme, përkundër që kjo pozitë ka mandat prej pesë vitesh.