Prishtina s’e llogarit si favor krizën e kampionit

2 javë më parë

Prishtina s’e llogarit si favor krizën e kampionit

Në klubin e futbollit Prishtina thonë se nuk do të mashtrohen nga forma e dobët që po kalon ekipi kampion, Feronikeli, në prag të derbit që do të luhet të mërkurën (sot, 18:00) në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së 14-të të Superligës.

Feronikeli është larg ekipit që ishte edicionin e shkuar kur fitoi titullin dhe Kupën, bazuar në rezultatet e deritashme, gjë që ka çuar edhe ndërrimin e trajnerit. Është larguar Dejan Vukiçeviq dhe vendin e tij e ka zënë Agim Sopi, që debutoi javën e shkuar me humbje ndaj Ballkanit, shkruan sot Koha Ditore.

Feronikeli renditet në pozitën e gjashtë me 19 pikë, dhjetë më pak se lideri, Ballkani, dhe në gjashtë ndeshjet e fundit ka vetëm një fitore e një barazim, si dhe katër humbje.

Në fakt, Nikli i ka humbur dy ndeshjet e fundit, me Drenicën (1:0) në Skenderaj dhe me Ballkanin (2:0) në Drenas.

Por për Prishtinën, Feronikeli mbetet skuadër kampione.

Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, insiston se futbollistët e tij në asnjë mënyrë nuk do të mashtrohen nga forma jostabile që e ka treguar Feronikeli deri më tash. Ai thotë se i ka paralajmëruar ata që të tregohen mjaft të kujdesshëm.