Presidenti s’e ka të lehtë për ta kthyer Ligjin për pagat në Kuvend

2 muaj më parë

Presidenti s’e ka të lehtë për ta kthyer Ligjin për pagat në Kuvend

Ligji për pagat është në duar të presidentit, Hashim Thaçi. Shumëkush pret që ai do ta shpallë këtë ligj brenda pak ditësh, e shumë të tjerë presin prej tij që ta kthej atë sërish në Kuvend. Në fakt, presidenti e ka pranuar se ka marrë shumë ankesa nga kategori të caktuara të punonjësve, por ai nuk u ka treguar se kthimi i këtij ligji në Kuvend nuk është i lehtë, shkruan AktivPress.

Kushtetuta ia njeh presidentit të drejtën e kthimit të ligjit në Kuvend, por me kushtin që t’i theksoj arsyet e kthimit. Pra, presidentit i duhet që për çdo nen të kontestuar të ligjit ta jap edhe versionin e tij. Marrë parasysh vështirësitë që i ka pasur Qeveria që të kaloj këtë ligj në Kuvend, presidenti zor se do t’i hyjë përpilimit të listave të reja me koeficientëve të pagave. Hapja e tabelave do të shënonte vetëm sfidën e parë, pasi sfida tjetër do të ishte votimi i propozimeve të tij nga ana e deputetëve.

Rregullorja e punës së Kuvendit e parasheh që kur ligji kthehet nga presidenti për rishqyrtim, atëherë Kryesia e Kuvendit ia dërgon atë komisionit funksional raportues për shqyrtim. Ky komision i shqyrton vetëm çështjet që i përmban vendimi i Presidentit dhe brenda dy javë pune, nga data e pranimit të tij, ia paraqet Kuvendit raportin me rekomandime. Pastaj, Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë deputetëve vendos për ose kundër miratimit të rekomandimit të komisionit për vërejtjet e Presidentit. Nëse Kuvendi nuk e miraton rekomandimin e komisionit për vërejtjet e Presidentit, atëherë ligji mbetet ashtu siç është miratuar më parë nga Kuvendi dhe konsiderohet i shpallur.

Kur kihet parasysh se në votimin e Ligjit për paga nuk kanë marrë fare pjesë deputetët e LDK-së dhe VV-së, atëherë kthimi i të njëjtit ligj sërish në kuvend, do të shënonte një thyerje të re mes deputetësh. Kësaj radhe mes deputetëve të koalicionit qeverisës. Propozimet e presidentit potencialisht do të mbështeteshin nga deputetët e PDK-së, por nuk është e pritshme që ato të mbështetën edhe nga deputetët e AAK-së, e me gjasë edhe nga ata të NISMA-s.

Në Qeveri kanë paralajmëruar se kthimi i mundshëm në Kuvend i Ligjit për pagat do të ishte goditje për reformën shtetërore, pasi me këtë ligj pretendohet se i është dhënë arbitraritetit të pagave në sektorin publik. Në këto rrethana, presidenti ka më shumë mundësi që t’ia plotësoj kërkesën të paktën njërës prej sindikatave, e cila kërkuar prej tij vetëm që të mos e shpallë këtë ligj.

Mos-shpallja nuk e pengon hyrjen e ligjit në fuqi, pasi me Kushtetutë parashihet që “nëse Presidenti i Republikës, brenda afatit të paraparë me ligj nuk e shpall ligjin ose nuk e kthen në Kuvend”, atëherë “ligji konsiderohet i shpallur dhe publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës”. /AktivPress/