Presidenti i Interit, Thohir akuzohet për korrupsion

4 vite më parë

Presidenti i Interit, Thohir akuzohet për korrupsion

Presidenti i Interit, Erick Thohir, është në listën e personave që po hetohet për korrupsion në Indonezi.

Ai është presidenti i Komitetit Olimpik Indonezian dhe akuzohet se ka marrë 650 mijë euro për një projekt që ka lidhje me Lojërat Aziatike.

“Ne kemi respekt të plotë për ligjin. Nëse do të verifikohet fajësia ime, atëherë unë do të paguaj dënimin. Nuk duhet përfshirë politika në këtë çështje, nëse kam gabuar atëherë jam gati të shkoj në burg”, ka qenë deklarata e lëshuar sot nga presidenti i klubit zikaltër Erick Thohir, që është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me Prokurorinë e vendit të tij.

Në shtypin indonezian ka dalë emri i tij si i përfshirë në skandalin e korrupsionit që ka përfshirë olimpizmin në këtë vend.

Gjithçka ka lidhje me Lojërat Aziatike të vitit 2018, që nisin pas 17 muajsh (42 disiplina sportive) dhe që do të organizohen në Indonezi, transmeton telesport.

Thohir po hetohet për mashtrim me një fond prej 650 mijë eurosh që duhet të përdoren për këtë event.

Përveç presidentit të Interit po hetohen edhe tri persona të tjerë: Dody Iswaldi (sekretari i përgjithshëm), Anjas Rival (shefi i thesarit) dhe Ikhwan Agus.