Presidenti amerikan e ka të vështirë t’u japë fund “luftrave pa fund”

1 javë më parë

Presidenti amerikan e ka të vështirë t’u japë fund “luftrave pa fund”

Zbatimi i planit të Presidentit Trump për tërheqjen nga Siria ka filluar, ndërkohë që Pentagoni konfirmoi se po largohen paisjet nga fushëbeteja, por se për momentin ushtarët do të qëndrojnë.

Zëdhënësi i Pentagonit informoi sot se tërheqja po kryhet në bazë të një plani të koordinuar mes të gjitha agjensive të qeverisë amerikane. Megjithatë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, Presidenti Trump po has në vështirësi për të përmbushur premtimin e tij për reduktimin e ndërhyrjeve ushtarake jashtë vendit.

Ushtria amerikane është e pranishme në 150 vende, ndërsa është e angazhuar në luftëra në shtatë vende, ndër to edhe Siria.

Kur Donald Trump fitoi garën për në Shtëpinë e Bardhë, ai paraqiti një politikë ushtarake që shmang ndërhyrjet jashtë vendit, për t’u dhënë fund atyre që ai i quajti “luftra pa fund”.

“Ka ardhur koha që ky cikël shkatërrimtar ndërhyrjesh dhe kaosi të marrë fund ”, u deklaronte mbështetësve Presidenti Trump.

Megjithëse Presidenti Trump është zotuar për më pak angazhime ushtarake, ai nuk ka ulur shpenzimet për mbrojtjen. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë buxhetin më masiv ushtarak në botë, me rreth 35% të shpenzimeve ushtarake të globit.

“Shpenzimet ushtarake amerikane kanë ruajtur të njëjtin nivel për dy vite rresht”, thotë Nan Tian, i Institutit të Stokholmit për Paqen Ndërkombëtare.

Njoftimi i Presidentit dhe tërheqja e trupave nga Siria janë kritikuar si të nxituara dhe të keqplanifikuara, por vizioni i tij më i gjerë për të kufizuar misionet ushtarake jashtë vendit mbështetet nga disa eksponentë të së majtës, përfshirë kandidaten për Presidente, Elizabeth Warren.

Disa thonë se filozofia e Presidentit Trump pasqyron edhe përqasjen e ish-Presidentit Obama.

“Administrata Trump nuk po kërkon një konflikt të ri ose një luftë të re, një tjetër gjë kjo që i bashkon. Jo vetëm nuk dëshirojnë një luftë të re, por dëshirojnë edhe daljen nga luftërat e vjetra”, thotë Aaron David Miller, i Qendrës “Wilson”.

Por ndonjëherë, largimi mund të çojë në probleme të tjera. Politikanët amerikanë ende po përballen me leksionet nga ndërhyrja amerikane në Afganistan, ku trupat amerikane janë në luftë që në vitin 2001 – lufta më e gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Në Siri, lufta është edhe më komplekse. Ndër kundërshtarët radhiten Shteti Islamik, Irani dhe Rusia.

“Dalja nuk është një alternativë e mirë, pasi nënkupton dorëzimin e gjithçkaje në duart e këtyre entiteteve”, thotë Seth Jones, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara filluan tërheqjen e paisjeve nga fushëbeteja, analistët bënë thirrje për të koordinuar gjetjen e një zgjidhjeje politike.

“SHBA-ja duhet të ripërkufizojë pozicionimin e saj strategjik; ta bëjë atë të qartë dhe të negociojë përpara se të bëjë deklarata publike”, thotë zoti Jones.

Këtë javë, Sekretari Pompeo është duke zhvilluar një tur në nëntë vende të Lindjes së Mesme, për të siguruar aleatët që janë të shqetësuar nga zhvendosja e pozicionit amerikan./VOA