Politikanët milionerë, qytetarët të varfër

1 muaj më parë

Politikanët milionerë, qytetarët të varfër

Numri i politikanëve që kanë pasuri mbi një milion euro po rritet nga dita në ditë, siç po rritet në anën tjetër edhe numri i qytetarëve të cilët jetojnë në kushte të mjerueshme. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 25 mijë familje me mbi 100 mijë qytetarë vazhdojnë të jetojnë me asistencë sociale, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Së fundmi zyrtarët e lartë të shtetit, duke përfshirë politikanët, e kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Mirëpo një pjesë e madhe e politikanëve kanë deklaruar se kanë pasuri e cila nuk korrespondon me të hyrat që ata kanë, qoftë mujore ose vjetore.

Një numër i madh i pasurisë së deklaruar vlerësohet se është pasuri e jashtëligjshme, por që në Kosovë mungojnë mekanizmat të cilët do të mundë ta hetonin prejardhjen e saj. Përderisa shumë politikanë të shtetit posedojnë pasuri milionëshe, shumë qytetarë ende përballen me varfëri të skajshme. Rreth 25 mijë familje kosovare vazhdojnë të jetojnë me asistencë sociale.

Drejtues të organizatave civile në Kosovë janë shprehur se ekzistojnë dallime të mëdha të pasurisë së qytetarëve të thjeshtë dhe klasës politike në vend, duke shtuar se shumica e kësaj pasurie është përfituar pas luftës.

Duke nisur nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, ministra, deputetë e kryetarë komunash, të gjithë këta posedojnë pasuri e cila prek shifrat milionëshe.

Në deklarimin e pasurisë së tij presidenti Thaçi ka përmendur ndërtimin e shtëpisë në vlerë afër 400 mijë eurosh, toka në vlerë prej qindra-mijëra eurosh, si dhe shuma tjera të mëdha të depozituara në llogari bankare.

Njëjtë edhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, ka deklaruar se ka në pronësi shtëpi, banesë, lokal e tokë në vlera të larta. Ndërsa nga pasuria e paluajtshme me vlerë milionëshe prin kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili posedon 13 prona, të gjitha sipas tij të trashëguara nga babai. Edhe ministri i Inovacionit Besim Beqaj dhe ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa posedojnë pasuri mbi 1 milion euroshe.