Policia shqiptare arreston luftëtarin rus të Shtetit Islamik

1 javë më parë

Policia shqiptare arreston luftëtarin rus të Shtetit Islamik

Një shtetas rus, i akuzuar se ka luftuar për grupin militant Shteti Islamik, është arrestuar nga ana e Policisë së Shqipërisë.

I arrestuari do të ekstradohet në Rusi.

Policia tha se 34 vjeçari, i identifikuar si R.M, i cili është lindur në qytetin Norilsk të Rusisë, ka hyrë ilegalisht në Shqipëri, pasi një gjykatë në Republikën ruse të Çeçenisë, vendosi për arrestimin e tij, për shkak të pjesëmarrjes në grupin terrorist.

“Në qershor të 2013-s, ky qytetar, nga Rusia ka shkuar në Siri, duke iu bashkuar grupit të armatosur të quajtur “Shteti Islamik”, dhe ka qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare të Sirisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Aty thuhet se njësia anti-terror e Shqipërisë, ka shpenzuar muaj të tërë për të gjetur lokacionin dhe identifikuar shtetasin rus, që kërkohet nga Interpoli i Moskës.

Gjatë muajve të verës në Shqipëri ka rritje të fluksit të qytetarëve rusë dhe ukrainas, që shkojnë si turistë.