Policia serbe i kërkon kryetarit të veteranëve të UÇPMB-së në Preshevë ta heqë flamurin kombëtar, reagojnë shqiptarët

2 muaj më parë

Policia serbe i kërkon kryetarit të veteranëve të UÇPMB-së në Preshevë ta heqë flamurin kombëtar, reagojnë shqiptarët

Policia serbe ka trokitur në derën e Nazmi Hajredinit, kryetarit të veteranëve të UÇPMB-së në Preshevë, pasi ka parë të valvitët flamurin kombëtar shqiptar.

Ata i kanë kërkuar atij ta largojë flamurin, veprim të cilin Hajredini dhe shqiptarët atje po e konsiderojnë si cenim të të drejtave themelore, njofton Klan Kosova.

Hajredini tha se arsyeja e vendosjes së flamurit ishte për dasmë dhe atë e bëri sipas traditës shqiptare.

Në një reagim familja Hajredini thotë se derisa në Kosovë serbët lejohen të kenë të gjitha të drejtat e tyre, në Luginë s’po lejohen as të shfaqin përkatësinë e tyre etnike edhe në festa familjare.

“Shqiptarët e Kosovës Lindore ka kohë që nuk konsiderohen nga shteti i Serbisë qytetarë me të drejta të barabarta me të tjerët. Diskriminimi nuk është i sodit, djeshit apo i kohëve të fundit. Ky diskriminim është vazhdimësi shekullore. Neve na mohohen edhe të drejtat elementare që i meriton një popull si flamuri, gjuha, historia kombëtare etj. Shembull më i freskët me abuzimin e të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore është paraqitja e policisë para shtëpisë së veprimtarit të çështjes kombëtare, njëherit edhe kryetarit të OVL E UÇPMB – së z. Nazmi Hajredini. Policia i kërkoi z. Hajredinit që të largojë flamurin kombëtar i vendosur në dyert e shtëpisë siç e do tradita shqiptare me rastin e fillimit të dasmave”.

“Është e pakuptueshme që ky provokim nuk kursehet as kur është në pyetje ahengu familjar. Në Kosovën Lindore flamujt kombëtar përdoren pa pengesa gjatë ahengjeve e organizimeve private familjare. Si duket kjo gjë nuk vlen edhe për familjen e z. Hajredinit. Derisa në Kosovë, serbët gëzojnë të drejta me elementare shtetformuese, te ne nuk lejohen simbolet kombëtare as në gëzime familjare. Familja Hajredini reagon ndaj këtij provokimi, duke ia bërë me dije opinionit publik se shqiptarët e Kosovës Lindore vazhdojnë të kërcënohen duke mos iu lejuar që të përdorin simbolet kombëtare edhe elementet tjera të autoktonisë shqiptare. Me indinjatë të thellë shprehim reagimin tonë familjar ndaj këtyre veprimeve të pakujdesshme dhe jocivilizuese të autoriteteve policore serbe në Preshevë. Historia, kultura, tradita, gjuha, flamuri, dasma, vdekja, kanë qenë dëshmi e lashtësisë shqiptare në këto troje. Ato janë tonat, do t’i ruajmë e do t’i mbrojmë deri sa këtu do të frymon edhe gjeni më i fundit shqiptar”.

Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, i cili tha se kjo përbën shkelje flagrante të të drejtave të patjetërsueshme të njeriut.

“Intervenimi i policisë tek kryetari i OVL UÇPMB-ës, Nazmi Hajredini për shkak të vendosjes së flamurit kombëtar në shtëpinë e tij, është i pa pranueshëm. Vetë intervenimi nga autoritetet policore në shtëpi private për ta ndalur flamurit kombëtar shqiptar është njollosje e tij nga shteti. Nuk i takon shtetit t’i përzgjedhë veçoritë identitare qoftë ato individuale, qoftë ato të bashkësive të ndryshme etnike/kombëtare”.

“Si sot, jo pak shqiptarë të Luginës nuk mund të jetojnë në vendlindje për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar. Shumë të tjerë përballen me procese gjyqësore e që dëshmon diskriminimin dhe shtypjen e shtetit ndaj diversitetit, të ndryshmes, asaj që nuk është serbe”.

“Ky rast dhe rastet tjera të regjistruara të abuzimit me përdorimin e autoritetit policor, flasin për karakterin demokratik të vetë shtetit, një shteti ku nuk ka të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, në shpërputhje edhe me konventat për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, të nënshkruara nga vetë ai. Kjo politikë në emër të shtetit ligjor është në fakt politikë e dëbimit të tjetrit. Flamuri kombëtar shqiptar do të valojë në Luginën e Preshevës!”.