Policia e Kosovës trajnohet nga amerikanët

3 vite më parë

Policia e Kosovës trajnohet nga amerikanët

Kanë përfunduar trajnimin dhjetë javor 39 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke përfshirë Inspektoratin Policor, Doganën e Kosovës dhe FSK-në, të mbajtur nga Qendra e Universitetit North Western për Siguri të Përgjithshme.

Që të gjithë këta pjesëmarrës pas përfundimit të këtij trajnimi janë shpërblyer edhe me certifikata.

Ky trajnim ka pasur për qëllim fitimin e njohurive për zbatimin e ligjit dhe krijimin e një sigurie më të madhe në vend e po ashtu edhe menaxhimin e organizatave të ndryshme.

Ambasadori i ShBA-së, në Kosovë Greg Delawie ka kërkuar nga të gjithë të diplomuarit që ishin prezent që pavarësisht ngjarjeve të fundit në vend të zbatojnë ligjin pa marrë parasysh preferencat personale e politike.

“Në një kohë të tillë të demonstroni përkushtimin tuaj për zbatimin e ligjit në mënyrë të paanshme pa marrë parasysh preferencat tuaja personale e politike”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe pse Kosova ka bërë përparim të dukshëm në sundimin e ligjit ka ende punë për t’u bërë.

“Krijimi i një mjedisi të qetë dhe të sigurt është komponent kyç i përmirësimit të cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve. Kjo kërkon që të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit të zhvillojnë dhe të vënë në punë strategjinë inovative për ta mbrojtur shoqërinë. Kosova ka bërë përparim të dukshëm në zhvillimin dhe fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit por natyrisht mbetet edhe shumë punë”, ka thënë ai.

Ndërsa Daut Hoxha, nga Policia e Kosovës, ka thënë se ka pasur fatin që të jetë pjesë e këtij trajnimi, pasi që konsideron se ka qenë mjaft i rëndësishëm.

“Unë kam pasur fatin që të ndjek këtë trajnim 10 javorë që është organizuar nga Citapi Amerikan në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe në këtë trajnim kanë marr pjesë edhe pjesëtarë të agjencioneve tjera. Mund të ju them se ky ka qenë një trajnim mjaftë i rëndësishëm për zyrtarët e Policisë së Kosovës, por edhe për agjencitë tjera si në funksion të fitimit të njohurive tjera edhe angazhimet tona që i kemi për zbatimin e ligjit dhe forcimin e kapaciteteve tona në këtë proces”, ka thënë Hoxha.